Albspirit

Media/News/Publishing

SA SHUMË NGJAN GJITHÇKA, ME KOHËN E RAMIZ ALISË?!

ARBEN MANAJ

Vetëm për nga zgjidhja nuk po ngjan ende e atillë, se përndryshe gjithçka tjetër ka të njëjtën urgjencë dhe nevojë ndryshimi, jo aq sistemi politik sesa politikave të sistemit.

Greva e studentëve është “viagra” politike për të ‘shkapërdhyer’ kurvërinë politike që ka degjeneruar në një vend si Shqipëria, me një letargji te frikshme reagimi publik, deri në momentin kur thika i prek kockën.

Reforma tashmë e dështuar, siç del, e arsimit, e Edi Ramës, e cila në kohën e aprovimit nuk i shpëtoi akuzave se ishte projektuar pjesërisht dhe ekskluzivisht, si qokë, për ndonjë eksponent mediatik të shndërruar në biznesmen universitar, i cili hesht për ç’ka po ndodh, duket se ngërthen tërë filozofinë e qeverisjes së Rilindjes; korruptive dhe e kalkuluar për të zhvatur.

Është e pafalshme sot që kryeministri dhe ata që drejtojnë arsimin, po identifikojnë vetëm këto ditë proteste  miopllëkun e tyre dhe duket se i kanë marrë kot lekët për punët në krye të këtij sektori.

Të gjithë paskan fjetur kur ka pas shumë halle, për të zgjidhur, dhe ndoshta kanë qenë zgjuar, kur është dashur të administronin financat, që nga ç’po na dëgjojnë sytë, gjithmonë janë aty për bonuse për borde të mbushura me pjesëtarë të administratës, madje edhe të spikatur të saj, por jo për të rregulluar banjat dhe kushte e studentëve.

Është e frikshme, kur mendon që kjo qeveri dhe të tjera përpara saj, nuk e njohin gjendjen e jetës së studentëve dhe hallet e arsimit, ndërkohë që për veten e tyre i blejnë Jaguarët e i arredojnë zyrat me banja e krevatër, që të mbledhin veten, pas ndonjë dreke me verëra disa qindra euro, që siç flasin gojët e liga, eksponentë të kësaj mazhorance që është në pushtet, por edhe më parë, konsumojnë nëpër restorantet e peshkut në Tiranë e gjetkë.

Nuk mund të shfajësohet kryeministri se i’a paskan “futur” rektorët e s’ua paska borxh këtyre të fundit,  që faktikisht vetë me dorë i përzgjodhi një e nga një të gjithë, për të mbaruar punët e veta.

Ndërkohë që në fushatën e zgjedhjes së tyre, luftonte deri në një votë edhe ata që të paktën ndonjë fakultet e kanë bërë me diplomë që njihet nga konventa e Bolonjës dhe mbetet i vetmi fakultet  shqiptar që studentët mund të punësohen jashtë shtetit dhe u njihet diploma, ndryshe nga universitetet dhe fakultetet e tjera, ku studentet marrin në dorë një paçavure, për të përfunduar kamerierë me shkollë të lartë.

S’kam asgjë për kamerierët, sa për parantezë. Është e pashpjegueshme dhe absurde kur kjo qeveri dhe ky kryeministër i gjen paratë edhe jo pak, me shpejtësi drite, me dhjetëra miliona euro për të paguar, nëse kuksianët prishin lopatat dhe kioskat e pagimit të taksës së rrugës në Autostradën e Kombit, dhe nuk gjen lekë për studentët dhe universitetet.

Çfarë kërkojnë studentët, le t’ua plotësoj edhe pse thotë që janë të lehta për t’u plotësuar. Sa më shpejt madje. E nëse dalin kërkesa më të hidhura më pas, e nëse do që të jete më xhymert, e ofron akoma më shumë nga ana e tij, le t’i aprovojë ose negociojë.

E nëse do të luftojnë të tjerët dhe të tretët, me kauzën e studentëve, le ta bëjë me duart e veta, sepse ata janë gështenja të nxjerra nga tepsia e tij, që vetë i hodhi në prushin e mangallit të vet.

Kur pushteti të errëson sytë dhe korrupsioni të duket gjëja me normale, siç po duken tenderët që po  dalin një fiasko ulëritëse e askush nuk jep dorëheqjen të paktën kur do duhet të ndiqen penalisht, Ramiz Alia të duket lule për nga pozita që ishte dhe akoma më shumë për nga zgjidhja qofte edhe e detyruar që i dha sfidës së dhjetoristëve në atë botë.

Betejën me studentët pushteti i sotëm e ka të humbur. Vazhdimi i lojës së dialogut, mund t’i dalë jashtë kontrollit për nga kërkesat dhe sensibiliteti popullor. Bën mirë të mos e zgjat fjalinë dhe pendesën deri në; “What the fuck… was I doing?!!

Do jetë e pafalshme, që ish-kundërshtari jo-disident i ish-presidentit të fundit komunist, të bjerë poshtë standartit të Ramiz Alisë në raport me revoltën dhe kërkesat e studentëve, se për disa të tjera, qoftë edhe jetese e pasurie, është pakrahasimisht sipër, ai dhe rrethi i tij i besuar./shqip/

Please follow and like us: