Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Shqiptarët dhe Europa

“Më vjen turp” – më shkruante dje një person, të cilit nuk mund t’ia përmendi emrin, për shkak të funksionit që ka, teksa e kishte lexuar një fjali timen, ku thosha: “Ne, nuk jemi të vërtetë, as kur e shajmë Europën, dhe as kur flasim me epitet për Amerikën”.

Sot, kur shoh me ç’mllef flasin shqiptarët kundër Frederica Mogherinit dhe BE-së, vërtet, edhe mua më vjen turp.
Të gjithë ata që i kanë drejtuar shigjetat e helmuara kundër saj dhe institucionit që përfaqëson ajo, vetëm përpara pak kohësh, i madh i vogël, përgjëroheshin përpara saj. Po, i madh dhe i vogël.
Ky transformim i yni, kaq i shpejt dhe kaq radikal, që për ne mund të duket normal, sigurisht, për botën normale, nuk është normal. Sepse, ata nuk mbërthehen nga euforia dhe nuk kanë kujtesë të shkurtë, siç ngjet me ne.

BE-ja, si institucion dhe ide, po kalon nëpër një krizë serioze, por nuk jemi ne ata që duhet të tentojmë t’i rregullojmë punët e botës. Së paku, jo, përsa oborri ynë është përplot bërllok.
BE-ja, i ka zhgënjyer dhe dëshpëruar qytetarët e shumtë të Kosovës, për punë të vizave- e ndoshta edhe për çështje tjera- por kjo nuk është arsye që ata të hedhin gurë e dru mbi të, meqë, Kosova, krejt çka ka fituar, e ka në saje të përkrahjes dhe mbështetjes së madhe që kanë treguar vendet e BE-së dhe vetë BE-ja si institucion.
Prandaj, ndaleni euforinë dhe thirreni pak kujtesën, sepse, kjo gjuhë, nesër rrezikon të shndërrohet në ideologji. E, atëherë, mund të digjemi të gjithë në të, ashtu siç jemi djegur shpeshherë në histori.

Harresa dhe euforia, janë dy aleatë besnikë, që neve historikisht na kanë lënë prapa. Na kanë penguar të emancipohemi dhe të lartësohemi si krejt popujt e tjerë të perëndimit.
Për pasojë, gjatë historisë, jemi djegur shpeshherë në zjarrin e euforisë, duke i djegur edhe kauzat e tona ma sublime. E, kjo është arsyeja pse kemi mbetur populli më i pazhvilluar i Europës.
Edhe sot, vazhdojmë të jemi nxënës shumë të dobët të historisë.
Vazhdojmë të jemi e zeza e vetvetes, duke u sjellë me eufori dhe pa kujtesë politike e historike.
Sot, po t’i shihte Fishta shqiptarët si krekosen karshi tjerëve, kishte me përsërit atë që e ka shkruar para 104 viteve, në tekstin “Udha që duhet ta ndjekim”, kur thoshte: “mjerisht kurrë ma tepër nuk asht dëftue fëmijë shqiptari, si në këto kohë të mbrame”.
Koha i ka dhënë të drejtë Fishtës.
Po, koha do të tregojë se, edhe sot, po sillemi si fëmijë në raportet e brendshme dhe karshi Europës, duke tentuar, me kritika e pezëm, t’i fshehim paudhësitë tona të shumta.

Please follow and like us: