Albspirit

Media/News/Publishing

Sazan Guri: Pse duhen mbështetur studentët?

Protesta e studentëve është fillimi i një aksioni, por që mali mos të pjellë një mi, kjo protestë duhet të kapë bazën e vërtetë të kërkesave të popullit shqiptar. Prej kohësh, po na kalbet sërish fjala në bark, sepse mezi ajo thuhet, dhe kur thuhet mezi dëgjohet, dhe kur dëgjohet mezi kuptohet, dhe kur kuptohet mezi veprohet. Për situatën që kalon sistemi demokratik në këtë vend, mallkuar dita kur një popull zgjedh për herë të dytë një qeveri të caktuar. Ndoshta, luks i madh që të kemi zgjedhje një herë në dy vjet, si dekada më parë, në shtete si në Itali e gjetkë, por të legjitimosh dy herë radhazi të paudhët në drejtimin e gabuar, si me rastin Nano, si me rastin Berisha dhe me rastin tepsi e sini, duke i bërë të shtojnë ritmin, kjo nuk tregon mençuri e urti për një popull. Por, rasti sini e tepsi është akoma më e rëndë për këtë popull, sepse ndryshe nga zgjedhjet e tjera në këtë vend, ku ato lokale binin në opozitë me ato qendrore, ndodhi që zgjedhjet qendrore të timonierit të ndiqeshin “nga fitorja në fitore”, edhe me ato lokale. Ndaj, kjo është arsyeja e parë që duhet të shkojë në protestë, tani biles, në mes të natës që po stivos këto rreshta, sepse nesër është vonë. A më thoni ju të dashur qytetarë se ku është këtu “check and balance – kontroll dhe ekuilibër”? Po nuk ndodh që edhe presidencën edhe senatin apo dhomën e lartë në SHBA apo në Parlamentin Europian t’i marr vetëm një krah. Po nuk ndodh që vetë Parlamenti Europian të përbëhet nga timonierë të vetëm e të hanë të gjithë në një tepsi e sini. T’i vodhën apo gabove, kjo pak rëndësi ka sot, o popull. Mbase nuk ke shumë përgjegjësi për ç’të bënë, o qytetarë e fshatarë?. Por, përgjegjësia jote është sot, se ti o qytetar dhe ti fshatar, po bëhesh bashkudhëtarë me krimin, me korrupsionin, aq sa gjithë Europa dhe KLSH-ja jonë po bërtasin se lufta antikorrupsion në Shqipëri u fik e dështuar. Arsyeja e dytë që unë duhet të shkojë në protestë tani, se nesër bëhet vonë, është se ky “qeveriu”, më saktë ky derziu bëri të varfrin më të varfër, zhduku klasën e mesme – klasën që merr përsipër përgjegjësi civile, dhe të pasurin e bëri më të pasur në letra bankare, se në realitet janë më të prangosur se varfrit, si nga shpirti dhe për nga financat. Një popull thotë Konica i madh, qind vjet më parë, ku të varfrit i ka të ç’orientuar, të pasurit nuk paguajnë kurrë dhe të mesmit të munguar, është i detyruar të lëngojë. Dhe me të vërtetë kështu është edhe sot, o ‘countryman & countrycitisens’. Na ndjeni o popull, se kur një vendi i mungon shtresa e përgjegjshme, si sindikatat, ku në vend të tyre ‘jesmenët’ shajnë e shfryjnë rrotull protestave studentore, kur një vendi s’i gjendet klasa e punëtorisë, por i gëlojnë ato të fasonerisë, kur një vendi, shkencëtarët, intelektualët, inxhinierët, pedagogët kthehen në mëditësa që thjesht japin mësim si mësuesë fshati dhe si një turrë me frikamanë, turravrap e në shtëpi, kur një vendi i mungojnë fermerët dhe i shtohen radhët me banorë fshati pranë tokës të pangrënë, është normale që “qeveriu” dhe “kryeministriu” të mos tutet, dhe lumë batutash të lëshojë sa të dojë e të mos ngutet. Arsyeja e tretë madhore që duhet të shkoj sot në protestë, biles tani, është se për herë të parë pasuritë natyrore shqiptare, që dikur merreshin për nevoja uzurpimi perandorie, por thelbi, substanca apo trupi i lëndës ruhesh, sot merret edhe kaposhi i farës për zullume uzurpatorësh të vendit. Ndaj, sot apo tani, është dita që péu i halleve shqiptare po na tregon se është holluar aq shumë, sa mjerë ai që nuk e kupton se është këputur, por edhe zullumi i pushtetarëve është trashur po aq shumë, sa mjerë ai trap që nuk kupton, se edhe këtyre, pushteti po i këputet. Arsyeja e katërt që duhet të vete në protestë është se nuk shoh dhe nuk besoj dot te ngërdheshjet e “kryeministriut”, fytyra e të cilit nuk shpreh një pike të vetme qelizore shprese, ku secili nga ne mund të besonte për një dritëz qoftë edhe sa një kandil apo edhe sa kunja e një shpirtoje (shkrepseje), prej së cilës vjen koncepti shpirt e shpresë. Ndaj, o djema, o qytetarë që nga Shkodra gjer në Vlorë, mos rrini me dorë në zemër si puthadorë. Frika u vra, më keq seç jemi më s’ka. Faleminderit student. Ku po vete, o çalaman, e qeshën shokët që ulur kupa gëlltisnin, një qytetar spartan?! Unë po vete në luftë, kështu siç zoti më ka bërë. Ndaj, mos pyet se kush je, i çalë apo i plotë, doktor apo profesor, inxhinier apo karpentier, qytetar apo fshatar, ndjehu student sot dhe çdo ditë, eja në proteste. Unë po vete, jo për të marr pushtet, por për të deleguar pushtet, kurrsesi te ata që ishin dje, por te një gjenerate tjetër, mundësisht anti-establishment, (kundër atyre që kanë qenë), pra te një grupim i ri. Po ti????

Please follow and like us: