Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: GODO VJEN

Është natë. Bubullimat s’kanë të ndalur.
Ty të dridhet trupi i lagur nga shiu i rrëmbyeshëm
Nën Pemën e Jetës duke pritë Godonë.
Pritja t’ ka shndërru në statujë moderne
Ku folenë e jetës e kanë korbat e natës e zogjtë vetmitarë.
Vetmia jote është strukë si gjarpër i lidhur,
Mes së cilit përbirohet gjuha e tij helmuese.

Nga rretë dëgjohet një e trokitur e furishme, por ti s’e dëgjon.
Veshët t’ janë mbyllë nga krimba që ngjiten trupit tënd.
Si plakut para Derës së Ligjit në tregimin e Kafkës.
Pret me hy në misterin e Ligjit- më fal- të Godosë desha të them.

Zot im!
Godo erdhi me shikimin e mërrolur e thesin e shkyer.
Me dëshira të humbura gjatë rrugës së gjatë të kthimit
Nën Pemën e Jetës ku ti e prite pafundësisht.
Ti s’e njohe!
Ai erdhi me trajtat e një fytyre që s’e kishe imagjinuar kurrë.
Me zërin e lodhur që s’e kishe dëgjuar kurrë,
Me shikimin e trazuar që s’e kishe parë kurrë.
Trishtimi ta shtang trupin e krimbat përplasën tokës,
Nga trupi yt i shndërruar në pritje.
Trishtueshëm kape kokën e llastuar dhe u përplase pas thesit të tij
Ku kërkove dëshirat tua të thara si gjethe vjeshte
Nëpër të cilat shkelin këmbët e dehura.
Atëherë lotët vërshuan faqeve tua, qafës tënde.
Dhe u hodhe në krahët e dëshpërimit.
E prite si nusja dhëndrin në shtratin e braktisur,
Duke ëndërrua krahëhapur thesin e mbështjellë me ëndrra
Ku ti fut duart butësisht si nëpër flokët e dashura- prehesh aty.
Dhe kërkon ëndrrën tënde që ngatërrohet nëpër gishtërinjtë e gjatë.
Pastaj fshin ballin dhe kupton: Godo erdh dhe pritja jote mbeti pritje.

(Ng libri, Godo nuk vjen, 2010)

Please follow and like us: