Albspirit

Media/News/Publishing

Nderohet Trifon Xhagjika, memorial në vendlindje

Poeti disident Trifon Xhagjika u rikthye sot në vendlindjen e tij në Peshtan të Përmetit në një ceremoni madhështore, ku morën pjesë miq të afërm të familjes shkrimtarë dhe gazetarë nga gjithë Shqipëria. Nën organzimin e klubit të poezisë “Illz”, dhe të afërmëve të tij, u përurua në trualline  shtëpisë së tij në Peshtan memoriali i punuar nga skulptori i talentuar Bernard Lekgegaj. Kryetari i këtij klubi, publicisti dhe shkrimtari Rexhep Shahu theksoi rëndësinë që ka ngulitja në memorien historike të njerëzve që kanë dhënë jetën për lirinë e fjalës si pjesë e ndërgjegjies sonë shoqërore. Dhe mes tyre Trifon Xhagjika shkëlqen në disidencën e tij. Shkrimtari dhe studjuesi Sadik Bejko theksoi në fjalën e tij se Trifoni ishte produkti i parë i disidencës letrare shqiptare, pas Luftës së Dytë Botërore, pasi ishte ai ishte një disident i formuar brenda komunizmit. Ai është po ashtu poeti i parë i pushkatuar për arsye letrare në Shqipëri. Poeti Petrit Ruka theksoi në fjalën e tij vlerat e vërteta artistike të poezive të Trifonit, fuqinë  e vargjeve të tij, dhe kërkoi ndjesë në emër të gjithë poetëve dhe shkrimtarëve shqiptarë për këtë nderim të vonuar ndaj tij. Më pas Lek Tasi, një bashkohës dhe mik i afërt i Trifonit mbajti një fjalim fondamental mbi vlerat që ka disidenca e Trifonit për shoqërinë shqiptare. Rëndësia e të folurit hapur,  fuqia e fjalës së lirë dhe përpjekja për të qenë në anën e më të dobëtë, edhe të pambrojturëve, janë një mesazh i madh për çdo brez dhe kohë, tha ai. Më pas Guri Baze, një shok fëmijërie i Trifonit solli kujtimet e fëmijërisë dhe rinisë së tij me Trifonin duke theksuar se ai mbetet një gur i rëndë në truallin e tij dhe se ky memorial do të kthehet në pelgrinazh për cdo qytetarë që do lirinë. Ne fund Llukan Stravro recitoi një poezi kushtuar Trifonit. Pas një kokteji nga familjarët e Trifonit, aktiviteti vazhdoi me një debat mbi vlerat e krijimtarisë së tij organizuar nga klubi i poezisë “Illz”.

Please follow and like us: