Albspirit

Media/News/Publishing

Përse kjo protestë i ngjason kraterit të një vullkani…!?

ILIR ÇUMANI

Prej dy javësh, uragani stu dentor vërshon rrugëve të kryeqytetit dhe ka zgjuar nga gjumi letargjik mbarë Shqipërinë në këtë pragdimër të ftohtë dhjetori, në një protestë krejtësisht legjitime, paqësore dhe jopartiake, kundër një padrejtësie që e ka emrin LUBI. Kjo protestë, e pangjashme me të gjitha protestat e tjera në historinë e demokracisë shqiptare për nga përmbajtja, përmasat, intensiteti dinamika dhe kohëzgjatja e saj (e mbi të gjitha për kualitetin e qytetarisë), tashmë e ka formëzuar qartësisht vokacionin dhe filozofinë e saj, e ka një destinacion të qartë dhe të pandryshueshëm. Ajo i ngjan një krateri vullkanik, që në vetvete përmban shpërthimin e zemërimit jo vetëm të studentëve, por edhe atë mbarëpopullor dhe askush nuk e di se për sa kohë do të zgjasë…!

Duhet të presim edhe pak, sa t’i dalë plotësisht “anestezia” qytetarëve të këtij vendi, ajo “narkozë” e shpëlarjes së trurit kolektiv që Kryeministri i vendit, përmes një makinerie të rëndë dhe të sofistikuar propagandistike, e ka “injektuar” në gjithë këto vite të qeverisjes autokrate përmes mediave të blera prej tij, me në krye ERTV–në. Siç po kuptohet nga zhvillimet e deritanishme, protesta e studentëve është epilogu i gjithë asaj situate të akumuluar krizash dhe konfliktesh dramatike 28-vjeçare, e shpërfaqur në mënyrë autentike në sfondin më dëshpërues e të pashpresë që ka mbërthyer mbarë shoqërinë shqiptare në këtë tranzicion të zgjatur. Studentët, me mençuri, kulturë dhe maturi, kanë ngritur me kurajë dhe guxim të gjitha shqetësimet dhe problemet që kanë. Ata kanë marrë përsipër jo vetëm demaskimin e këtij realiteti të trishtë, por edhe zgjidhjen reale të problemeve të krijuara për të çmontuar definitivisht mekanizmin e një sistemi të kalbur nga krimi dhe korrupsioni, i cili ka ulur këmbëkryq varfërinë dhe mjerimin në vatrën e çdo shqiptari.

Me një inteligjencë dhe intuitë të pagabueshme, ata e kanë kuptuar se jetojnë në një shtet të padrejtë, me zyrtarë të pashpirtë e të pandjeshëm. Ata kanë kuptuar se institucionet e shtetit janë refuzuese dhe stigmatizuese, të cilat shpesh herë kanë sjellë varfëri dhe pabarazi dhe se çrrënjosja e tyre duhet të fillojë së pari nga demontimi i mekanizmit të modaliteteve dhe tipologjive keqqeverisëse të skemave klishe autokratike dhe arrogante të Kryeministrit Rama, i cili tjetër gjë premton dhe tjetër bën, tjetër hiqet dhe tjetër duket. Kohë më parë, në një nga emisionet e radhës me gazetarin Arian Çani në “Zonë e Lirë” ishte i ftuar Kryeministri Rama, i cili, në një moment u shpreh, “…. E dini kush është dallimi midis një të djathti dhe të majti…!? Kur i djathti shikon një lypës në rrugë, thotë: Ai, aty e meriton të jetë, sepse aq ka. Kur i majti shikon një lypës në rrugë, thotë: Ka diçka që nuk shkon me këtë shoqëri që ai është aty….”

Por, a mundet t’i besosh dhe t’i marrësh të mirëqena e të sinqerta këto artikulime të zotit Rama për të varfrit…!? Kush e bën këtë deklaratë dhe cili e jep këtë leksion morali për solidaritet njerëzor me zë dhe me figurë në një media me audiencë kaq të lartë të ndjekjes dhe shikueshmërisë…!? Dëshpërimisht dhe fatkeqësisht, Kryeministri i vendit, ai që i ka prishur të gjitha balancat dhe ekuilibrat social të shoqërisë, duke e çuar atë në polarizim ekstrem. Ai, që me sjelljen e drunjtë dhe veprime ekstremiste e radikale, ka krijuar një hendek të madh dhe marrëdhënie të ftohtë me të vobektit e vendit më të varfër në Europë. Ai, që me hipokrizi dhe demagogji të pashembullt prodhon retorikë e nuk lë pa përdorë e shfrytëzuar çdo hapësirë e mjet propagandistik për t’u shfaqur ai që nuk është, me synimin e vetëm për të ruajtur status quon-ë e pushtetit që ia ka parë hairin, si askush politikan tjetër në Shqipëri.

Ai, që ka hapur gropën më të zezë sociale në këto 5 vjetët e qeverisjes, përmes një politike represive dhe antihumane në dëm të më të varfërve dhe në favor të më të pasurve. Ai pra, Kryeministri i vendit, i cili, për të kaluar lehtë situatat e konflikteve dhe të krizave që vetë i shkakton, sa herë që ndodhet ngushtë, ndryshon lukun në garderobën kryeministrore, zhvesh kostumin e sundimtarit autokrat dhe si një kryeplak arkaik i fshatit, vesh “çitjanet” e tij karakteristike për të nisur lojën e aktrimit politik. Me petkun e “bamirësit” në publik, sillet rrotull nëpër Shqipërinë e luksit dhe të mjerimit që vetë e ka modeluar, e me “përulësi”, paraqitet herë si OJF–ist, herë si plaku i Vitit të Ri, herë si një “filantrop” babaxhan në ndihmë të nevojtarëve, të cilët e shohin atë si vetë Zotin. Kinse, “betohet” e “përgjërohet” përmes leksikut, gjesteve dhe batutave se nuk ka pasur dhe nuk ka dijeni për realitetin e familjeve të varfra që flenë në qiell të hapur, për fëmijët që nuk e ngopin dot barkun me bukë, për studentët e verbër të përjashtuar me ligj nga taksat dhe që në mënyrë abuzive u merret edhe pika e fundit e gjakut nga shushunjat e universiteteve, (sipas mjekut të njohur Pëllumb Pipero, janë 500.000 të uritur nga 2.5 milionë shqiptarë dhe kjo është një tragjedi kombëtare).

Pastaj, merr përsipër të bëj rolin e “shpëtimtarit” në “mbështetje” për të pamundurit dhe të sëmurëve, përmes programe të formatit “Show” mediatik të stisura prej tij, i kuruar në mënyrë skrupuloze në çdo detaj, për t’u dukur i vërtetë dhe i besueshëm në atë që thotë e bën. E gjitha kjo, me synimin e vetëm për të maskuar situatën dhe deformuar perceptimin publik mbi realitetin, për të “magjepsur” pas vetes shqiptarët e dëshpëruar, duke i mallëngjyer ata, që, në fakt, janë viktimat autentike të qeverisjes së tij kakistokrate. Ai, që e ka çuar vendin në humnerën më të rrezikshme sociale, duke nxjerrë dhunshëm nga skema e ndihmës ekonomike, me pa të drejtë dhe pa asnjë studim të mirëfilltë analitik, plot 20.000 familje të varfra. Ai, që e ka mbytur popullin e tij në taksa dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë kanë përfunduar dhe përfundojnë djallëzisht në pak duar të miqve të tij përmes PPP-ve.

Ai, që e ka rritur borxhin publik në 71 %, duke ia lënë në kurriz faturën e barrës financiare të këtij borxhi të frikshëm edhe brezave që vijnë, fëmijëve të këtij vendi që ende nuk kanë lindur. Ai, që përdhosi dinjitetin njerëzor dhe prishi që në embrion ëndrrat e fëmijëve, vrau shpresën e të rinjve, duke dëbuar nga vendi nëpër udhëkryqet e Europës e të botës plot 500.000 shqiptarë. Ai, që burgosi më të mjerët e vendit dhe la në terr të errësirës pleq e fëmijë që donin pakëz dritë, pakëz ngrohje në të ftohtin e acartë dhe që nuk mundin ta paguajnë dot energjinë elektrike prej varfërisë. Ai, që me policë bashkiakë ka bërë dhe bën terror, duke tërhequr zvarrë fshatarët, gra e fëmijë, shqelmon tezgat e tyre të vobekta, duke i konfiskuar atë çikë prodhimi të kopshteve familjare që e shesin sa për të nxjerrë bukën e gojës.

Ai, që tallet me 635.000 pensionistët e urtë, fjalëpakë e fisnikë të vendit, duke ua ngushtuar edhe më shumë lakun në fyt me pensione qesharake, që ua jep si lëmoshë sa për të blerë vetëm ilaçe, që bezdiset me 6700 invalidët që ka vendi dhe nuk u siguron as minimumin jetik për të përballuar denjësisht vështirësitë fizike dhe shëndetësore që ata kanë. Ai, që vetëm taksën e ajrit që thithim nuk ka mundur të tarifojë deri tani dhe këtë është gati ta bëjë në çdo moment. Ai, që largon me dhunë nga strehimoret e konvikteve – geto të rinjtë jetimë, të papunë, të pastrehë e të pambrojtur, u heq ndihmën ekonomike, i nxjerr në rrugë të madhe dhe i detyron nga sytë këmbët të marrin rrugët e Europës, pa pasur asnjë orientim se ku…(!)

Ai, që në mungesë të një transparence të plotë, tenton të shpenzojë dhjetëra miliona euro për realizimin e një vepre publike, e me fadromat dhe ruspat e pushtetit shkatërron shtëpitë dhe pronat e qytetarëve, duke nxjerrë në rrugë të madhe plot 350 familje me gra, pleq e fëmijë në pikun e të ftohtit, pa i kompensuar, (është detyrim ligjor dhe kushtetues kompensimi i shpronësimeve). Ky veprim arbitrar vjen në kundërshtim të hapur dhe flagrant me Kartën Universale të Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, me parimet më elementare të humanizmit dhe të jetës, që ka të bëjë me të drejtën që ka çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë, ashtu si në çdo vend të botës, të ketë një strehë mbi kokë.

Së fundmi, ai, që pangopshmërisht, tentoi të fusë duart në xhepat e zbrazura të studentëve më të varfër të Europës dhe provokoi me këtë gjest krizën e besimit dhe depresionin më të madh kolektiv te pjesa më e brishtë e shoqërisë. Ai pra, zoti Edi Rama, dëshpërimisht Kryeministri i vendit tim, i yti, i joni, i juaji, i të gjithëve ne, tashmë i përket vetëm një të shkuare, një bërthame njerëzish ekstremisht radikalë, pa kurrfarë lidhje me një forcë përparimtare politike të moderuar të së majtës. Ai, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë aspiratë dhe ideal të së majtës, me doktrinën e saj në mbrojtje të më të varfërve. Sepse, në fakt, vetëm të majtë nuk ka sot Shqipëria.

Ka vetëm një grusht njerëzish të babëzitur oligarkësh kleptokratë, që në shpërdorim të pushtetit, me politika shtypëse e represive, dhunojnë e varfërojnë dita-ditës qytetarët, duke i futur duart në xhepa popullit më të varfër të Europës…! Dhe tani, kam vetëm disa pyetje për të nderuarin dëshpërimisht Kryeministrin e vendit! Ju lutem, na thoni, cili është ai kryeministër i përgjegjshëm për fatet e vendit, që ka si mision të vetëm mirëqenien dhe begatinë e popullit, një pjesë të madhe të kohës së punës e shmang vëmendjen nga problemet kyçe të vendit dhe si një adoleshent fluturak, tekanjoz, inatçor, kacavirret 24 orë në 24 orë pas “kazanit mediatik”, (“Facebook”, “Twitter”, media vizive dhe ato të shkruara), për qëllime propagandistike e deliri, me synimin e vetëm për të ruajtur sa më gjatë pushtetin dhe për të fituar imunitet nga zullumet e keqqeverisjes në dëm të vendit, në dëm të popullit…!?

Cili pra, është ai kryeministër serioz, i vetëdijshëm për barrën e madhe që mban mbi supe, që, për hakmarrje provinciale e me sjellje infantile, i qepet këmba-këmbës të gjithë atyre qytetarëve dixhitalë, gazetarëve dhe mediave që nuk i vijnë pas oreksit, duke i shantazhuar dhe i kërcënuar me gjoba, me të ashtuquajturën “paketë antishpifje”…!? Kryeministri ynë kapardiset, bën karshillëk me cilindo, e përmes stilit të tij sarkastik fyen dhe ironizon me qesëndi e cinizëm vanitoz figura të nderuara publike, diplomatë, akademikë, artistë, politikanë, deputetë, gazetarë, opozitarë, njerëz të thjeshtë, shan e poshtëron të gjithë ata që nuk janë në një mendje me të, kërcënon dhe denigron pushtetin e katërt. Ai, në mënyrë të çuditshme, guxon dhe bëhet i vetmi nismëtar për të nxitur të ashtuquajturën “paketë antishpifje”, ngase kërkon të nxjerrë me çdo kusht ligje represive me synim intimidimin dhe shuarjen e zërit të kriticizmit, mohimin e së drejtës së fjalës, ngushtimin e hapësirave të lirisë… Nëse e gjitha kjo është një nismë e nevojshme që duhet bërë, le të bëhet nga institucione të specializuara dhe të pavarura, por jo nga zoti Rama.

Sepse, le ta themi troç: ai është në konflikt të pastër dhe të hapur interesi si Kryeministër, ngase të gjitha zullumet e mbrapshta të vendit nisin nga ai, duke filluar nga korrupsioni administrativ dhe deri tek ai politik! Ky nuk është modeli i duhur i një kryeministri europian që do të dëshironin të kishin jo vetëm studentët, por të gjithë shqiptarët. Ja përse revolta dhe protestat e studentëve nuk mund të shihen vetëm në optikën e atyre tetë pikave që sot ndodhen në tavolinën e qeverisë, sepse në fakt, bashkë me ato “pika të tjera” dhe shumë nga ato që Kryeministri i ka në mëndje, e di fare mirë se çfarë çorbe ka gatuar në gjithë këto vite keqqeverisjeje, duke shkaktuar tashmë një krater të fuqishëm në vullkanin e zemërimit mbarëpopullor.

Protestat e ligjshme nuk mund të manipulohen dhe të zhbëhen me tërheqje apo lëvizje strategjike të qeverisë, përmes anulimeve urgjente të VKM–ve, ulje–ngritjeve të toneve të retorikës nga frika e revoltave masive, as me inskenime mediatike takimesh me studentë për të zbutur rezistencën e tyre. Tashmë, kjo revoltë, si një aparat sizmograf i kolauduar, parashikon “tërmete” edhe më të fuqishme, nëse situata nuk do të kapet në kohë për t’u menaxhuar seriozisht e me qetësi, me mençuri dhe sinqeritet nga ana e Kryeministrit, për t’u dhënë një zgjidhje adekuate efikase problemeve që janë agravuar deri në këtë pikë.

Ngase këto “tërmete”, që në thelb shprehin krizën më të madhe të besimit dhe të shpresës, kanë brenda plagët e mëdha të shoqërisë, të shkaktuara dhe të trashëguara në këto tre dekadat e fundit nga një klasë e tërë politike e papërgjegjshme, nga të gjitha qeverisjet e korruptuara të marra së bashku, por që tashmë, këto plagë janë majisur edhe më shumë nga vetë zoti Rama për shkak të arrogancës dhe autoritarizmit, ambicieve dhe imagjinatave utopike jashtë realitetit, fantazive të shfrenuara dhe kapriçove pavend.

Protestat e studentëve kësaj here janë të një tjetër lloji, ato janë të pastra, të sinqerta dhe të shëndetshme si vetë mosha e tyre për një demokraci të munguar dhe të mohuar në këto tre dekada të tranzicionit të vështirë në Shqipëri. Është një lëvizje pa kthim, që nuk ka ndodhur kurrë më parë, e cila ka vendosur një standard të ri. Sovrani, e ka kthyer tashmë atë në një institucion të qëndresës dhe të drejtësisë, kundër keqqeverisjes dhe mungesës së demokracisë përfaqësuese, kundër së keqes së përbashkët.

Ndaj, i nderuar dëshpërimisht Kryeministër i vendit, thërritini arsyes dhe veproni me një logjikë të ftohtë pendese e përulësie. Asnjë shoqëri nuk mund të jetë e lumtur, nëse pjesa dërrmuese e saj është e varfër, e mjerë dhe e pashpresë… Humnera sociale ku e keni çuar vendin, assesi nuk jua jep statusin e një burrështetasi që ju e pretendoni. Përkundrazi….! Për të gjitha këto arsye dhe shumë të tjera si këto, nëse nuk do mundeni të reflektoni sot, nesër do të jetë vonë. Atëherë, historia do tregohet e pamëshirshme me ju, duke ju rezervuar në mënyrën më shembullore njollën e zezë të turpit dhe krimit të shëmtuar social, në dëm të një populli që sinqerisht ju besoi dhe ju votoi…!/panorama.al/

Please follow and like us: