Albspirit

Media/News/Publishing

Komiteti britanik mbështet përjashtimin e diplomatëve të regjimit iranian nga Shqipëria

Komiteti britanik për Lirinë e Iranit mbështet përjashtimin e diplomatëve të regjimit iranian nga Shqipëria

Iran, 3 janar 2019 – Autoritetet shqiptare kanë shpallur kohët e fundit përjashtimin e dy diplomatëve iranianë për shkak të “përfshirjes së tyre në veprimtari që dëmtojnë sigurinë e vendit” dhe për “shkeljen e statusit të tyre diplomatik.”

Ambasadori i regjimit iranian në Shqipëri, Gholamhossein Mohammadnia, ishte njëri nga këta diplomatë.

“Kryeministri Edi Rama i Shqipërisë sapo ka përjashtuar ambasadorin iranian, duke u sinjalizuar udhëheqësve të Iranit se mbështetja që ata i bëjnë terrorizmit nuk do të tolerohet,” postoi në Twitter John Bolton, Këshilltari i Presidentit amerikan për Sigurinë Kombëtare. “I qëndrojmë përkrah Kryeministrit Rama dhe popullit shqiptar teksa ata ngrihen kundër sjelljes së pakujdesshme të Iranit në Europë dhe në botë.”

Duke e vlerësuar këtë masë, Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo përsëriti gjithashtu kërcënimin më të gjerë të iniciativave të huaja terroriste të Teheranit. “Kombet europiane kanë parandaluar tre komplote iraniane vetëm këtë vit. Bota duhet të bashkohet për ta sanksionuar regjimin e Iranit derisa ta ndryshojë sjelljen e tij destruktive,” postoi në Twitter Pompeo.

Opozita iraniane ka paralajmëruar për shtimin e veprimtarive terroriste të regjimit iranian që në fillim të vitit. Të shtunën, një konferencë ndërkombëtare e organizuar nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të mbajë një qëndrim të rreptë ndaj intensifikimit të terrorizmit global të regjimit iranian.

Ndërsa fushata kundër mbështetjes që regjimi i bën terrorizmit po përhapet në mbarë globin, Komiteti Parlamentar Britanik për Lirinë e Iranit ka nxjerrë gjithashtu një letër në mbështetje të masës së paprecedent të marrë nga Shqipëria.

“Ne e duartrokasim vendimin e qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit Edi Rama për të përjashtuar ambasadorin e Iranit dhe një tjetër diplomat iranian pasi kanë komplotuar për sulme terroriste në vend.

“Autoritetet shqiptare arrestuan dy operativë iranianë të akuzuar për terrorizëm në Tiranë marsin e shkuar, të cilët kishin në plan një bombardim kundër anëtarëve të opozitës iraniane, PMOI/MEK, që janë strehuar në Shqipëri.

Një tjetër diplomat iranian, Assadollah Assadi, është në pritje të gjykimit në Belgjikë për rolin e tij në sulmin e parandaluar me bombë kundër tubimit të lëvizjes opozitare iraniane, Këshilli Kombëtaar i Rezistencës së Iranit (NCRI), në Paris më 30 qershor 2018.

Në vijim të një hetimi të detajuar nga shërbimet franceze të inteligjencës, qeveria franceze në tetor nxori përfundimin se Ministria iraniane e Inteligjencës (MOIS) është përgjegjëse për planin e bombardimit të qershorit në Paris dhe bllokoi asetet që i përkasin MOIS-it dhe dy kombasve iranianë, duke përfshirë diplomatin e arrestuar, Assadollah Assadi.

Një muaj më vonë, Departamenti amerikan i Drejtësisë shpalli një kallëzim kundër dy kombasve iranianë të cilët “kanë vepruar supozimisht në emër të Republikës Islamike të Iranit duke kryer mbikëqyrje të fshehtë të objekteve izraelite dhe hebreje në Shtetet e Bashkuara, dhe kanë mbledhur informata identifikuese për qytetarë amerikanë dhe kombas të SHBA-së që janë anëtarë të grupit Mujahedin-e Khalq (MEK).”

Rritja e veprimtarive terroriste dhe spiunazhit nga regjimi i Iranit kundër disidentëve dhe NCRI-së në 2018-ën vjen mes shtimit të mospajtimit popullor dhe protestave anti-regjim në Iran, për të cilat, zyrtarët e lartë iranianë ia vënë fajin lëvizjes opozitare, NCRI-së dhe PMOI-së.

Këto komplote të parandaluara tregojnë se qeveria iraniane ka marrë vendimin t’i përdorë ambasadat dhe diplomatët e saj për të planifikuar dhe realizuar veprimtari terroriste dhe spiunazh në tokën europiane, veçanërisht kundër atyre që e kundërshtojnë regjimin teokratik, duke shkelur kështu në mënyrë të qartë ligjin ndërkombëtar.

Vendimi shqiptar për të përjashtuar diplomatët iranianë i dërgon mesazhin e duhur Iranit, shtetit kryesues në botë për sponsorizimin e terrorizmit, se vendet europiane nuk mund ta pranojnë një sjellje kaq të papranueshme e të jashtëligjshme nga ana e regjimit.

Komiteti Britanik për Lirinë e Iranit (BCFIF) i bën thirrje qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që të shprehë publikisht mbështetje për qeverinë e Shqipërisë dhe të punojë me shtetet e tjera anëtare të BE-së për ta hetuar në tërësi dhe për ta ekspozuar rrezikun e mbështetjes dhe kryerjes së veprimtarive terroriste në Europë nga misionet diplomatike të Iranit, veçanërisht kundër disidentëve iranianë dhe aktivistëve pro-demokracisë. Ata që gjenden të përfshirë në akte të tilla terrorizmi të sponsorizuar nga regjimi i Iranit duhet të ndiqen penalisht dhe të përjashtohen nga territoret europiane.

Komiteti Britanik për Lirinë e Iranit.

Please follow and like us: