Albspirit

Media/News/Publishing

‘KOMPLEKSI ELEKTRA’ & UJËRAT E ÇMENDURA NË DETIN JON (3)

Sotir Athanasi

Por për të do të qe më mirë. Jo të mos dëgjonte asgjë prej saj, por mbase të mos e lejonte të fliste. Dhe kjo nuk ia pakësonte vuajtjen e aq më pak dëshpërimin. Se kishte lindur së pari tek ajo dhe duke tejshpuar kraharorin kishte mbërritur tek ai. Kësisoj, së paku frenonte dhe shmangte greminën. Prandaj ai, edhe për ta mikluar disi, që t’ia zbuste sadopak zhgënjimin, i vuri gishtin tregues në buzë dhe i pëshpëriti lehtë e zë’ëmbël: -Sh-sh-sh-yt. Pusho!
(Oh! A nuk i kishte bërë të njëjtin gjest së ëmës së saj ato vite rinore kur i sapolauruar në mikrobiologji ajo i qe ulur në këtë mënyrë dhe ky kishte shumë drojë, si ai djali aty poshtë që bënte xhiro në rërë dhe mjaftohej vetëm me fërshëllimë?)
Por ajo këtë shenjë e mori për miklim, ashtu siç edhe qe përnjëmend. Veçse, kur ajo e futi në gojë e nisi ta lëpijë gishtin e tij me afsh, për të frenuar stadin e ri, këtë etapë që ngutej të vinte, dhe të binte së pari mbi të, si të qe shpata e Demokleut, ai u ngrit.
– Bija ime!
(Nuk qe rast i shkëputur përdorimi formal i këtij përcaktori). Shfrytëzimi i saj mbase loste rolin e një gardhi ndarës e të një tjetër mendësi për të kaluar e lënë pas etapat drejt mëkatimit. Por edhe për të bindur veten në të kundërtën.
– Atje lart,- nisi t’i thotë, – kam dosjen e para…nëntëmbëdhjetë viteve. Është doktoratura e mikrobiologjisë mbrojtur në Havard. Shko laj sytë që të jesh më e kthjellët se germat janë të imëta dhe eja hip në…lartësi.
Ajo ktheu kryet për të parë shkallën e aluminit dhe buzëqeshi. Ishte e vetëdijshme se ashtu, me minifund, idhulli i saj nuk do të qe kaq i ftohtë dhe mbase do të nxirrte një tjetër përfundim që, gjithsesi, për të pritej me një kënaqësi të veçantë. Se gjoksin e saj (të zbuluar) ai nuk e pa. Por kjo nuk do të thotë se nuk e ndjeu. Pa të vërejmë si do ta kalojë provën kur të shohë pamjen time nga poshtë? Prandaj u bind. Ndaloi në korridor përpara pasqyrës së madhe dhe shtriu këmbën për të parë kofshën e saj, nxehtësinë përvëluese të së cilës s’dinte se si ta largonte. Me ujë, s’bëhej fjalë. Kur qe thellësisht e bindur se… donte me patjetër dorën mashkullore. Dhe jo dosido, por të idhullit të saj: Laertit.
(Tani e më pas është më mirë ta përmendim me emrin e tij se sa me fjalën baba. Edhe vajzën ta thërrasim me emrin që i shkon më mirë, me atë të lashtësisë: Elektra).
Pra Elektra mendoi: e pse të mos e provonte atë? (domethënë dorën e Laertit?) Dhe … që të nxiste ngasjen, me shishen e vogël i parfumoi kofshët si edhe dy sisët.
Laerti, nga ana e tij, vendosi shkallën në vendin e saktë. Por pikërisht në atë pozicion, si në një nivel vallëzues, në qelqet e kornizës u reflektua kofsha e së bijës.
Ai, instinktivisht ktheu kryet dhe tashmë s’ishte pasqyrimi- ngasje, por vetë një këmbë e shtrirë, sensuale, muskuloze dhe e freskët tetëmbëdhjetëvjeçare, pushin e së cilës një Zot e di sa e pëlqente, ndonëse kishin kaluar po kaq vite, me të cilën edhe qe ndarë.
Ja edhe ato dy gjëndrat e gjoksit, të cilat vetëm i kishte ndier kur Ajo qe shtrënguar aq ëmbël, aq dridhshëm në kraharorin e tij.
Bisha mashkullore brenda kraharorit kërcënonte frikshëm. S’ishte thjesht shantazh. Jo. Qe rrezik për mëkat. Paralajmërim serioz ai qe. E megjithatë, statusi i prindit ende ishte në fuqi dhe e frenonte.
Prandaj u ndal në sirtarin e bibliotekës për të njëmendësuar planin e menduar. Një veprim i rëndomtë i mjaftoi për ta nxjerrë në sipërfaqe të fshehurën me kujdes. Gjithashtu, nuk harroi litarin që përfundonte me ganxhë, të cilin e vuri përfund kolltukut.
U ul dhe priste Elektrën, e cila nxitoi të vinte si një pëllumbeshë për të marrë në këmbën e saj letrën e për ta dërguar tej hapësirave, në vendet e largëta. Por edhe matanë kohërave. Në origjinën e kompleksit të Elektrës.
Por jo. Jo dhe jo. Ajo do të hipte në ato shkallë se në raftin e sipërm ai kishte vendosur librat e mitologjisë greke mbi të TJERËT dhe HOMERIN e VERBËR si të qe kurorë, por edhe si një kujdestar formal.
Laerti u ul sërish në divan që të shijonte pamjen si një anëtar jurie të cilit i kërkohej opinioni. Ndjenja e Atit qe gremisur në të tatëpjetën e lashtësisë.
-Të hipi mbi shkallë?
– Po.
– Mbi ata libra?
– Po, nimfa e JON-it, në UJËRAT E ÇMENDURA, – i bëri ai më në fund një kompliment të vërtetë, të cilin Ajo e meritonte plotësisht. Dhe vajza vendosi këmbën në shkallaren e parë. Pastaj në të dytën. Dhe, më në fund, në të tretën. Ca minifundi, dhe ca lartësia, ia tregonin këmbët dhe më pas kofshët e freskëta e të ndritura-mermer si shtyllat e PARTENONIT.
Atij, u ul në kolltuk, po i dridhej dhe i fërgëllonte tërësisht trupi. Gjaku i ndezur në deje i rrihte damarët. Goja i lëngëzonte dhe mëkatimi ishte në prag. Një zë vetëm mashkullor e thërriste dhe e nxiste si një zjarrvënës jo vetëm të trupave, por tanimë edhe të shpirtrave, këto binjake me njëra-tjetrën. MARRËZIA MASHKULLORE po i dorëzohej për t’u çiftëzuar me UJËRAT E ÇMENDURA. Po mbytej në to.
Gjithsesi, një tjetër zë i pakuptueshëm, antimashkullor, i tërhiqte vërejtjen. Vetëm atë çast Ai kuptoi gjithë historinë e Trojës shkruar nga një i VERBËR me emrin HOMER. Por Ai s’qe i verbër, miqtë e mi. Përkundrazi. Një vëzhgues mikrobiolog, Ai qe. Me këtë duhet të nënkuptojmë se kemi të bëjmë me njeriun i cili: fluturën e bën… helikopter dhe jo të kundërtën. Prandaj shohim… Prindin që befas rrëzohet nga hierarkia e tij dhe shndërrohet thjesht në një mashkull. Ai sheh hiret e Asaj që duhet të qe e bija, si të ishte thjesht një tetëmbëdhjetëvjeçare në një pasarelë ngasëse, tejet intime dhe në të njëjtën kohë provokative për mëkat.

Please follow and like us: