Albspirit

Media/News/Publishing

Sot Shën Don Pjetri ka ditëlindjen

Bislim Ahmetaj

Po të mos kishin shpërthyer protestat e studentëve në Dhjetor të vitit të kaluar pak kush do e kishte njohur djalin e qetë dhe të matur, studentin që artikulon qartë e saktë, studentin që bind, zotëron dhe kordinon pa asnjë sforco kolegët e tij të njohur ose jo më parë. Djalin që është shndërruar në urë mirëkuptimi mes studentëve protestues dhe qytetarëve të lirë që i mbështesin studentët.

Djali që shmang me maturi të lindur çdo keqkuptim mes tyre. Sot që ai kishte ditëlindjen e ndaluan në polici dhe pse ka qënë ai më i spikaturi që ka mbi 30 ditë që bën thirrje të përsëritura për bashkëpunim dhe mirëkuptim me policinë. Unë e njoha këto ditë që STUDENTËT rikthyen shpresën dhe besimin që në Shqipëri nuk ka vdekur institucioni i PROTESTËS.

Jo vetëm që nuk ka vdekur por është më i gjallë dhe më qartë i përfaqësuar nga pjesa më vitale e shoqërisë, nga rina studentore. Don Pjetri është ndër më të spikaturit. Unë e thërras me përkedhelje – Shën Pjetër. Ai më përgjigjet me një urtësi frymëzuese si një Frat françeskan – Të ruajtë Zoti profesor.

Don Pjetri të UROJ jetë të GJATË, ta ruajtë Perëndia qetësinë dhe maturinë që ke treguar këto ditë në mënyrë që misionin dhe kauzën e brezit tënd ta realizosh me sukses. Këtë përvjetor do ta festosh i ngujuar në ambjentet e brendëshme të fakultetit por të jesh i bindur që sonte ditëlindjen tënde do ta festojnë qindra mijëra njerëz që i ke frymëzuar përgjatë këtij muaji.

Please follow and like us: