Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Përse po shtypet lëvizja studentore?

 

Ka një përpjekje të llahtarshme për sfumimin e lëvizjes studentore të dhjetorit nga viti i kaluar. Një përpjekje që kanë vënë në lëvizje gjithë makinerinë e pushtetit dhe opozitës bashkë. E para nxiton të meremetojë ca godina përmes kanakarit të butaforisë lali Erit, vetë kryeministrit me auditorët e sforcuara dhe ndjenjën e bashkëfajtorit etj. Megjithëse studentët i kërkojnë ribërjen e sistemit, a fshirjen e ligjit për arsimin e lartë. Eshtë një shfrymë e tërë e propagandës mbi arrestimin e një trafikanti. Një arrestim bizar sa është naivitet të mendosh se është i rastësishëm. Bizarr dhe plot negociata. Ku në një vend demokratik, vetëm negociata a marrëveshje me kriminelët nuk ka. Megjithatë në Shqipëri ndodh, madje e deklaron me mburrje një ministër i zgjedhur me mik. Nga ana tjetër kriminelin e shoqëron me mjetin e tij, me kamera si sukses filmik nje drejtor policie të cilin ndërmarrja e shtypit ka filluar ta pompojë si një figurë të heroizmit të popullit tonë në shekuj. Këtu futet dhe makineria propogandë shtypi, shtypistat. Një përpjekje e llahtarshme për të zhvendosur vëmendjen nga auditorët. Një përpjekje me pështyma. Tashmë në Shqipërinë time nuk është e vështirë të kuptosh se deri marrëdhëniet personale midis njëri-tjetrit janë çështje kombëtare. Në këtë pikëvështrim një shtypist mund të bëhet kollaj një showman a një ”Robert Ndrenika” i kohës së Rilindjes. Mjaft të llapi para një ”spektatori” nga kjo kasta shoqëri, për seksin, se sa herë prishet një burrë në shtrat. Dhe universi i Hollywood-it ka zbritur në Tiranë. Të gjitha nuk janë asgjë tjetër, por një përpjekje me shkumë e pështymë për të sfumuar studentët. Por edhe për faktin infantil, se gjithçka është e jona. Gjithçka.
Eshtë bizar dhe fushatesk. Eshtë dhe kërcënuese e gjitha. Sidomos pas lojës së luftës që ka plasur mes kryeministrit dhe presidentit. Kur personi në fjalë flitet se ka pasur post të rëndësishëm fal suportit të LSI-së. Eshtë i tillë sidomos edhe pas atyre kërcënimeve të hapura që i deklaroi publikisht në studion zonja e parë apo kryetarja e partisë së themeluar nga Ilir Meta. Megjithëse nga betejat, nga ky revansh kryeministër president, mësuam një gjë… atë që, Shqipërisë nuk i paskan munguar ligjet, por njerëzit për të vërtetuar ekzistencën e institucionit. Një keqardhje po kaq e tmerrshme për ish presidentët, ca leva të obsesionit prej gogolit kryetar partie. Megjithëse nuk është çudi, kur mbas disa viteve të kuptojmë se e gjitha është një lojë. E gjitha ishte loja. Ashtu u duhej të vepronin etj.
Çfarë t’ju them?! Një suferinë përpjekjesh për t’i përçarë. Dhe deri diku ja kanë arritur. Mjafton të shikoni ca yshtje e shtyrje për firma mbi fillimin apo jo të mësimit. Ca informime mbi këtu filloi mësimi dhe aty jo. Elbasani vijon rregullisht, Vlora po ashtu. Në Durrës, studentëve u bashkohen pedagogët etj. E gjitha kjo mos dakortësi nuk është asgjë tjetër veç fryti i përpjekjeve të llahtarshme të qeverisë dhe opozitës.
Mirë këta, të parët, Rama e Velia se kanë të drejtë. U duhet pushteti… po opozita. Këta të dytët…
U duhet thënë fillimisht demokratëve. Hiqeni nga mendja, nuk ka më demokratë. I pari që i varrosi demokratët është ish lideri i ashtuquajtur historik. I varrosi me betejat brenda kuvendit, pasi betejat janë publike, në sheshe. Nuk ka më zgjidhje me ja thënë troç Ramës nga foltorja e parlamentit përmes kamerave të ndonjë kanakari. Është e dhimbshme të shohësh shpërbërjen e së djathëts kështu, por duket se është e pamashmangshme, për më tepër kur shikon këto farsa rikonfirmesh pa zgjedhje. Po kaq bizarre sa strategjitë e pushtetit me kriminelët. Në fund të fundit janë pjesë e përpjekjes së mbytjes së protestave të studentëve. Sot përshembull kuvendi i Shqipërisë diskuton për gjithçka, veç për popull jo. Dhe kjo është një rënie në batak, një rënie ku opozita ka pjesën e saj. Ata që e duan të djathtën për një qeverisje më të mirë për shqiptarët, janë sot minorancë. Se po të ishin aty, po të ishte ai asht aty, do i kish vërvitur ato paçavure mandati. Por dihet tashmë cilësia e rracës së kuvendit tonë. Prandaj dhe këta të dytët janë pjesë e shfrymës së përçarjes së studentëve. Pjesë e Ramës dhe e Veliajt…
Pikërisht për këtë, këtë degradim qytetar të Shqipërisë, dhëntë Zoti që studentët të këmbëngulin. Tashmë duhet ta kenë kuptuar kalbëzimin e vendit. Domosdoshmërinë që ka vendi për frymën e tyre. Eshtë e trishtueshme se si plot njëzetë e tetë vite debatojnë dhe mbushin xhepat të njëjtit. Vendi ynë nuk është pronë e një grupi, e një kaste demode. Nuk e kuptoni, përshembull të mërkurën më 17 janar… i çau ekranet Mehmet pushtuesi, megjithëse kishim për detyrim të përkujtonim heroin kombëtar. Pse? Sepse vendi ynë është pronë e një kaste që sa vjen e bën më aktuale doktor Adhamudhin e Çajupit. A nuk u ndjetë të ligur kur patë plagjiaturën e diploma a doktaraturave?
A jeni gjallë? A jeni në këmbë… dilni e mbushini sheshet. Shqipëria e para, jo ramijtë me mikrofona, studio, e propogandë.

Please follow and like us: