Albspirit

Media/News/Publishing

Mospëlqim për Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar për marrëveshjen kundër sanksioneve me Iranin

 

Komunikatë për shtyp nga Struan Stevenson, Koordinator i Fushatës për Ndryshimin e Iranit (CiC)

Komunikatë për shtyp- Bruksel-1 shkurt 2019

“Është e pabesueshme që Britania, Franca dhe Gjermania kanë bashkëpunuar në një marrëveshje për të ndihmuar kompanitë që dëshirojnë ta vazhdojnë tregtinë me Iranin që t’u shmangen sanksioneve amerikane.” Ishte kjo pikëpamja e zemëruar që shprehu Struan Stevenson, koordinator i Fushatës për Ndryshimin e Iranit (CiC).

Duke folur gjatë një vizite në Parlamentin Europian në Bruksel, ai tha: “Në fund të qershorit të vitit të shkuar, policia gjermane arrestoi një diplomat nga ambasada iraniane në Vienë në një operacion të përbashkët ku përfshiheshin policia dhe autoritetet gjyqësore e të sigurisë nga Gjermania, Franca dhe Belgjika. Dy persona që do të bënin bombardimin dhe një diplomat, Assadollah Assadi, i cili ua kishte dhënë bombën dhe i kishte udhëzuar që ta shpërthenin në një tubim madhor të opozitës iraniane (MEK) pranë Parisit, u akuzuan për akte terrorizmi dhe ndodhen në burg duke pritur gjykimin.

“Më pas, veprime të ngjashme u ndërmorën kundër komploteve terroriste iraniane në Shtetet e Bashkuara, Danimarkë, Bullgari, Hollandë e disa vende të tjera europiane, të cilat tashmë kanë vënë sanksionet e veta mbi regjimin iranian dhe kanë futur në listën e zezë disa nga agjentët e tij. Në fund të dhjetorit, Kryeministri shqiptar Edi Rama përjashtoi ambasadorin dhe sekretarin e parë të Iranit për arsye se ata përbënin një rrezik për sigurinë e Shqipërisë.

“Është e qartë se Irani i përdor ambasadat e tij si fabrika bombash e qeliza terroriste, duke komplotuar mizori në Europë e në Amerikë, e megjithatë ja ku kemi tre kombe të BE-së, nënshkrues të paktit të dështuar bërthamor me Iranin, të cilët janë të gatshëm t’i shpërfillin komplotet terroriste të Iranit, të mos vënë re abuzimet e tij të tmerrshme me të drejtat e njeriut, të mos i kushtojnë vëmendje shfrytëzimit agresiv që Irani u bën luftërave proksi në Siri, Jemen, Irak dhe Lebanon, dhe kërkojnë të vazhdojnë të firmosin marrëveshje tregtare si një akt frikacak paqësimi ndaj regjimit të lig të Iranit.
“Qëndrimi i ashpër i Presidentit Trump ndaj sanksioneve të rivëna është absolutisht i justifikuar, nisur nga fakti që zyrtarë të lartë të Iranit e kanë pranuar këtë javë se kanë gënjyer dhe fshehur pjesë kyçe të programit të tyre bërthamor gjatë negociatave për të firmosur Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) me administratën Obama të SHBA-së, Rusinë, Kinën, Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar. T’i injorosh këto fakte në një përpjekje të dëshpëruar për ta paqësuar diktaturën klerikale të Iranit, është një fyerje ndaj 80 milion qytetarëve të vuajtur të cilët kanë protestuar nëpër qytetet iraniane gjatë 13 muajve të fundit, duke kërkuar ndryshim regjimi dhe rikthimin e lirisë dhe drejtësisë.

“Është e pazakontë që Gjermania t’i bashkohet kësaj marrëveshjeje toksike kundër sanksioneve kur ka qenë policia e saj që ka arrestuar diplomatin iranian të akuzuar për një komplot terrorist me bombë. Është edhe më e pabesueshme që Franca t’i bashkohet marrëveshjes, kur komploti terrorist iranian do të kishte vrarë e sakatuar dhjetëra burra e gra në tokën franceze; dhe është skandaloze që Ministri i Jashtëm i Britanisë Jeremy Hunt ta përgëzojë këtë marrëveshje me Francën dhe Gjermaninë si një mënyrë për të demonstruar “përkushtimin e Mbretërisë së Bashkuar ndaj paktit bërthamor”. E ka harruar z. Hunt burgosjen mizore të nënës së re britanike, Nazanin Zaghari-Ratcliffe, e cila është mbajtur në Burgun famëkeq Evin në Teheran për gati tre vjet me akuza të shpikura?

“Shpresoj që SHBA të marrë tani masa të forta kundër Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë që t’i ndëshkojë ato për përpjekjet burracake për të paqësuar mullahët. Kompanitë e BE-së që tregtojnë me Iranin duhet ta dinë se s’po bëjnë gjë tjetër veçse po përkrahin një nga regjimet më të liga në botë. Ndoshta duhet të ndalen e të reflektojnë mbi kompaninë italiane që i shiti regjimit iranian dhjetëra vinça lëvizës. Këta vinça tani përdoren rregullisht për të varur në publik të burgosurit politikë dhe protestuesit e të drejtave njerëzore”.

@STRUANSTEVENSON

Struan Stevenson është Koordinatori i Fushatës për Ndryshimin e Iranit (CiC). Ai ka përfaqësuar Skocinë në Parlamentin Europian (1999-2014), ka qenë president i Delegacionit të Parlamentit për Marrëdhëniet me Irakun (2009-14) dhe kryetar i Intergrupit Miqtë e një Irani të Lirë (2004-14). Ai është lektor ndërkombëtar mbi Lindjen e Mesme dhe president i Shoqatës Europiane për Lirinë e Irakut (EIFA).

Please follow and like us: