Albspirit

Media/News/Publishing

Përtej përdhunimit të minorenes në Drenas

 

Ana Mehmetaj

Ngjarja e rëndë e ndodhur në Drenas kur një nxënëse ra pre e përdhunimit të dy pjestarëve të segmeneteve shtetërorë, përkatësisht të mësuesisë dhe policisë, ka sjellë në reagim të jashtëzakonshëm në Kosovë.

Fillimisht duhet përgëzuar kurajoja civile e nxënëses që arriti ta denoncojë këtë akt përbuzës si dhe janë për t’u vlerësuar qëndrimet që u mbajtën nga maxhoranca dhe opozita, nga deputetë, ministra, përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias.

Por kjo nuk mjafton. Ngjarje të tilla ndodhin jo pak edhe në vende të qytetëruar dhe shoqëria atje gjen mekanizma për të ndëshkuar fajtorët, por më së pari për të parandaluar këtë kategori njerëzish që priren drejt akteve të tilla monstruoze.

Me shkas nga ngjarja që tronditi krejt Kosovën dhe jo vetëm, gjëja e parë që të shkon ndër mend është ndërmarrja e një diskutimi të gjerë mbarëpopullor që këto perversitete të denoncohen.

Dhe në këtë diskutim lypset të përfshihen të gjithë nxënësit e shkollave dhe studentët universitarë, mësues dhe pedagogë, politikanë dhe intelektualë të njohur.

Sepse rasti i Drenasit nuk është i vetëm, ka plot raste të tjera që ndodhin në qytet apo në fshat, në mjedise shtetërore apo në ndërmarrje private, të cilat fshihen dhe nuk denoncohen për ‘hir të nderit të familjes’, për shkak të mentalitetit, paragjykimeve, thathethemnajave dhe për plot arsye të tjera.

Për fat të keq seksi, raportet intime djem-vajza, edukimi seksual apo higjenik vijojnë të jenë tabu në shoqërinë tonë dhe kjo kërkon para së gjithash një vështrim të programeve mësimore që për to të flitet më shumë e të debatohet më tepër.

Shqiptarët në Kosovë, më shumë se çdo popullsi apo komb tjetër, i kanë ende të freskëta përdhunimet masive të serbëve që kanë lënë plagë të pashlyeshme në ndërgjegjet e mijëra femra dhe grave që nuk u ndëshkuan asnjehërë as nga ndonjë gjykatë ndërkombëtare dhe as nga ndonjë vendase.

Gjithmonë kur përdhunohet një nxënëse, një studente, një nënë apo një grua është nëpërkëmbur njëheri e gjithë shoqëria, por kjo ngjarje bëhet më e rëndë kur nuk denoncohet në strukturat përkatëse dhe kur personat përgjegjës nuk shkojnë para drejtësisë.

Please follow and like us: