Albspirit

Media/News/Publishing

Sonila Meço: Përgjigjia e munguar e qeverisë shqiptare

Anketa Europiane e Cilësisë së Jetës e hartuar nga Komisioni Europian, në shtatorin e kaluar tregoi se shqiptarët ishin popullata me pjesëmarrjen më të ulët në protesta, mes vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Sipas anketës, vetëm 2% e të pyeturve thanë se kanë marrë pjesë në protesta në 12 muajt e fundit. Dhe kjo ndodhte njëkohshëm me shifrat alarmante të aplikimeve për lotari amerikane, rreth 360.000 shqiptarë vetëm vitin e fundit ose të tjera anketa ndërkombëtare, si ajo e ‘Gallup’ ku më shumë se 60% e shqiptarëve duan të largohen nga vendi. Po të shtojmë mbylljen e shkollave në vend, për shkak të numrit të ulët të nxënësve, rënien e shtesës biologjike të popullatës, rënien e numrit të mjekëve – teksa shtohen aplikimet për mësimin e gjermanishtes – krijon një ide të qartë se, mes zgjedhjes për të imponuar një vend në tryezën e vendimeve të mëdha nëpërmjet protestës, reagimit dhe kërkesës së vijueshme të llogarisë, shqiptarët zgjedhin që, me një biletë avioni të protestojnë në heshtje.

Me ikjen, largimin dhe braktisjen e atdheut, shënohet nje triumf i pastër i politikës mbi popullin, i pushtetit mbi zgjedhësit, i oligarkisë mbi konsumatorin.

Por nuk është vetëm kjo anë e medaljes.Të organizohesh në reagim, të protestosh a të rezistosh, është e mundur me gjithë perceptimin e gjithpranuar se shqiptarëve u ka “ngordhur” nervi i protestës. Shembujt? Protestat kundër ndërtimit të inceneratorëve në Fier, kundër marrëveshjes së detit me Greqinë, kundër tarifës së rrugës së kombit, kundër shembjes se Teatrit Kombëtar, kundër projektit te Unazës së Madhe, apo protesta e jashtëzakonshme e studentëve. Disa ia dolën e të tjera jo, ndoca të tjera në proces.

Nëse kemi durimin t’i analizojmë, të gjitha dëshmojnë filozofinë e qeverisjes. Pa asnjë garë, transparencë, pa studime e konsultime publike, me ligje të posaçme nëse do, qeveria na prezanton PPP-të, duke përcaktuar se cili privat ose oligark do të vërë dorë në të mirën publike, me argumentin bazik se shteti është i varfër e nuk garanton dot investime të mëdha publike. Paraja publike ka rënë në pak duar. Mungesa e drejtësisë si sistem mban larg investimet e huaja dhe kapja e saj garanton vetëm grushtin e “të përzgjedhurve”. Shqiptarët nuk thirren në referendume, dëgjojnë liderin të krenohet për mungesë sindikatash, informohen prej mediash herë të kapura e herë të cilësuara “kazan”, nuk dinë kujt shoqërie civile t’i besojnë, asaj që rreshtohet nën armë kur do qeverisja, apo asaj që me zor mbahet se fondet shkojnë vetëm në pak duar. Shqiptarët po dëgjojnë se blihen në votime, po edhe në s’qofshin nga ata, nuk kanë shans të zgjedhin veç çfarë u ofrohet nga “menyja” e kryetarëve të partive. Shqiptarët nuk dinë kujt vetting-u t’i besojnë, atij që lë në sistem çuditshëm të përzgjedhurit e pushtetit, apo atij që për të njëjtat kritere mban një e përjashton një tjetër?

Ndaj a ka një përgjigje për këto pushteti kur del në konferenca shtypi?

Please follow and like us: