Albspirit

Media/News/Publishing

Albert Zholi: E PABESUESHMJA E DJALIT NGA MIRDITA

 

 

 Skicë

 

 

 

Qante dhe pinte lotët. Mund të ishte 13 ose 14 vjeç. Vinte trup i imët e i dobët. Rreth djalit ishin grumbulluar shumë shqiptarë. Të tjerë kalonin indiferentë. Ishim tek sheshi ‘Dhafni’ nw Athinë. Djali qante dhe duke pirë lotët tregonte. Ja se ç’munda të kapja nga tregimi i tij:

-Jam nga Mirdita. Mbrëmë erdhëm nga Kakavija, bashkë me vëllanë… Erdhëm me një makinë të madhe, pa dokumenta. Ishim aq shumë në makinë, sa nuk lëviznim dot  as këmbët. Në Athinë kemi  dajon, por nuk e gjetëm dot. Paratë që kishim ia dhamë shoferit. Në shtëpi ishin që të gjjithë pa punë. Paratë e udhës i morëm borxh  tek axha. Mbrëmë fjetëm në një qoshe shtëpie që po ndërtohej. Ja kështu fjetëm me këto rroba. Vëllai më  mbështolli me trupin e tij se ai është më i madh. Në fakt nuk fjetëm se kishim ftohtë. Sa zbardhi, dolëm këtu tek sheshi për punë. Vëllai e dinte se kishte ardhur edhe herë të tjera. Por erdhi policia dhe i zuri katër vetë. Edhe vëllanë tim e zuri. Ai nuk ka asnjë dokument, nga ato që do policia. Edhe unë s’kam, por nuk më zuri. Tashti nuk di nga të vete? Ku të punoj? Ku të ha e ku të fle? Edhe dajon nuk e gjej dot vetëm. Më mirë të më merrte mua policia e jo vëllanë….

Dhe djali tregonte e qante, mes grupit të shqiptarëve. Një rast si të shumtët këtu në Greqi…Ku të shkonte ai fëmijë i burrëruar nga hallet?

-Do vish me mua i thashë. Do të çoj tek disa miqtë e mi. Do flesh aty do hash aty sa të rregullohesh. Janë 3 të rinj nga Tepelena, njerëz të mi. Ai s’u besonte veshëve. Kishte të drejtë. I vetëm në mes të Athinës. Ndaj thoshte:

-Më mirë të më zinin mua se vëllanë. Ai dinte të punonte dhe na mbante me bukë.

Ato lotë thyenin dhe gurin.

M’u mbështoll rreth trupit dhe lotët e tij të nxehtë depërtuan deri në mishin tim në brez.

-Ku të shkoj pa vëllanë?-më pyeti sërish.

Nuk mund t’i shikoja lotët e tij, por e shtrëngova dhe u nisa për ta sistemuar. Ato lotë thuajse e lanë trupin tim. Hallet e shqiptarëve nuk kanë të sosur…

Please follow and like us: