Albspirit

Media/News/Publishing

Nancy Pelosi, ‘muri’ parlamentar i presidentit amerikan!

“Nëse republikanët shpenzojnë 100 milionë dollarë për të më prishur imazhin, atëherë afërmendsh duhet të jem shumë e rëndësishme”, kjo është përgjigjja e gruas së parë në historinë e Amerikës  që udhëheq një parti në Kongres. Bëhet fjalë për Nancy Pelosin, demokraten e cila mbrëmjen e së martës u rikthye në postin si drejtuese e Dhomës së Përfaqësuesve.

Nga të gjitha faktet politike që shoqërojnë Pelosin, ai që po shkakton më shumë zhurmë është dyshimi se ajo do të jetë “shpulla” më e fortë për Presidentin Trump pas zgjedhjeve të nëntorit. E megjithatë, ky është vetëm një nga faktet e shumta interesante mbi jetën dhe karrierën e “Lady Gaga-s” së politikës amerikane”.

Nancy Patricia D’Alesandro lindi në Baltimore 26 mars të vitit 1940 në një familje katolike. Gjatë fëmijërisë njihej si vajza  e kryebashkiakut të parë italo-amerikan deri kur vendosi tiu bashkohej demokratëve. Në kujtimet e saj, Nancy përmend si një nga momentet e para dhe më të rëndësishme politike atë  kur ndoqi nga afër ceremoninë e betimit të ish- presidentit John F. Kennedy.

Nancy është nëna e gjashtë fëmijëve dhe deri vonë jeta e saj sillej rreth tyre dhe kujdesit për fëmijë. Siç përshkruan vajza e Pelosit, të gjashtë të vegjlit sëbashku ishin të papërballueshëm dhe nuk i jepnin Nancy-t mundësinë të punësonte një dado. Megjithatë, në vitin 1976 ajo u shkëput nga jeta familjare për të punuar në fushatën presidenciale të Jerry Brown duke i dhënë këtij të fundit fitoren në Maryland.

Në fillimet e saj, Pelosi njihej si personi që zotëronte aftësi të jashtëzakonshme për të zgjedhur dhe trajnuar kandidatë, mirëpo ajo vetë nuk pranonte të ishte një e tillë. Gjithçka ndryshoi në vitin 1987, kur aleatja e saj kryesore në politikë u diagnostikua me kancer dhe zgjodhi Pelosin si pasardhëse.

Po atë vit Nancy u zgjodh si kongresmene dhe u katapultua drejt pozicionit më të rëndësishëm në karrierën e saj: drejtuesja e parë femër e Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 2007. Ndonëse e ndërtoi imazhin fillimisht si një opozitare e hekurt ndaj Bush, tashmë pritet të mbajë të njëjtin pozicion edhe ndaj Trump, duke patur parasysh që demokratët rifituan pas tetë vitesh Dhomën e Përfaqësuesve.

Gjatë karrierës politike, Pelosi është shoqëruar gjithashtu me kritika të ashpra si përsa i përket jetës personale ashtu edhe asaj profesionale.

Ajo është kritikuar si gruaja e një milioneri nga Kalifornia që favorizon elitën e majtë apo si një nxitëse e rritjes së taksave për shtresën e mesme. Por, popullariteti i Nancy-t u cënua dukshëm sidomos për shkak të mbështetjes që i dha demokratit John Conyers pas akuzave ndaj tij për ngacmim seksual.

Aktualisht gruaja që konsiderohet si më e fuqishmja në politikën amerikane, po lufton me rezistencën si brenda dhe jashtë partisë. E megjithatë, kjo duket se nuk e pengon. Pas zgjedhjeve së mbrëmjes së djeshme, Pelosi konsolidon planet për të “fshikulluar” presidentin Trump dhe për të dobësuar pozitën e tij deri në zgjedhjet 2020-tës./tv scan/

Please follow and like us: