Albspirit

Media/News/Publishing

Nuk luhet me simbolet tona kombëtare – ato janë të shenjta!

Dr. Sadik Elshani

Kryeministri i Shqipërisë shpërfill e përdhos simbolet tona kombëtare

Këto dite u njoftua në shtypin shqiptar për një postim të z. Luan Rama në Facebook ku ai me të drejte e ngrinte shqetësimin e tij për përdhosjen që z. Edi Rama, kryeministri i Shqipërise u kishte bërë simboleve tona kombëtare. Dhe pas këtij njoftimi nuk u dëgjua më asnjë fjalë, thua se nuk kishte ndodhur asgjë, thua se kjo është një imtësi për të cilën askush nuk duhet ta çajë kokën. Kryeministri i Shqipërisë e ka deformuar shqiponjën tonë, stemën e Republikës së Shqipërisë. Në të gjitha ambasadat shqiptare ishte vendosur një shqiponjë e bardhë, që më tepër i ngjante një shqiponje bizantine, një pulëbardhe sesa shqiponjës sonë. Pas ca ditësh kjo shqiponjë është hequr nga ambasadat shqiptare dhe është zëvendësuar me shqiponjën e flamurit tonë, ndoshta pas reagimit të z. Luan Rama. Por në faqen zyrtare të Kryeministrisë dhe të gjitha ministrive ende qëndron stema e Republikës së Shqipërisë me shqiponjën e deformuar me ngjyrë të përhimtë (gri). Ndërsa përkrenarja e Skënderbeut, po ashtu ngjyrë gri, është vendosur në anën e majtë dhe jo në anën e djathtë, siç është e përcaktuar me ligj. Ndoshta z. Edi Rama mendon se pasi ai dhe partia e tij janë të orientimit të majtë, atëhere edhe përkrenarja e Skënderbeut duhet të vendoset në profil majtas. Kjo më kujton vendimin e një demagogu, populisti, diktatori marksist të një shteti të Amerikes Latine, i cili e ka ndryshuar lëvizjen standarde të akrepave të orës: nga e majta në të djathtë, në drejtimin e kundërt: nga e djathta në të majtë.

 

Simbolet tona kombëtare janë të shenjta

Në Shqipëri, si në të gjitha vendet e tjera të botës, simbolet: pamja, forma dhe përdorimi i tyre është e përcaktuar në kushtetutë dhe është e rregulluar me ligj. Neni 14 (pikat 1 – 5) i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë i përcakton qartë gjuhën zyrtare, simbolet dhe festat kombëtare të Shqipërisë. Ndërsa këto simbole dhe përdorimi i tyre rregullohen në hollësi me ligjin nr. 8926: “Për formën dhe përmasat e Flamurit Kombëtar, përmbajtjen e Himnit Kombëtar, formën dhe përmasën e stemës dhe mënyren e përdorimit të tyre”. Dhe ja si e përcakton ky ligj stemën e Republikës së Shqipërisë (Neni 7, Pika 1):

“Stema e Republikës se Shqipërisë është simbol shtetëror. Ajo paraqet një shqyt, me ngjyre te kuqe gjaku, me një shqiponje ne qendër, te njëjtë me shqiponjën e flamurit kombëtar te Republikës se Shqipërisë. Ne krye te shqytit, me ngjyre te arte, është vendosur përkrenarja e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ne profil djathtas. Përmasat e shqytit janë ne raportin 1 me 1, 5 njësi”.  Po ashtu, ky ligj e percakton edhe perdorimin e kesaj steme (Neni 8, Pika 2):

“Stema e Republikës se Shqipërisë vendoset në vulat e institucioneve shtetërore, në aktet e tyre zyrtare, mbi emërtimin zyrtar të institucioneve shtetërore dhe në çdo akt tjetër, që institucioni shtetëror u drejton të tretëve. Stema e Republikës së Shqipërisë përdoret si shenjë identifikimi në mjetet e punës së institucionit shtetëror dhe në mjediset e punës”. Pra, shihet qartë se stema e Republikës së Shqipërise e përcaktuar me ligj dhe ajo që përdor z. Rama janë krejtësisht të ndryshme. Kjo shpreh, shpalos arrogancën, mosrespektimin, mospërfilljen e simboleve tona kombëtare, kushtetutës, ligjit, nga kryeministri i Shqipërisë. Këto janë vetëm maja e ajsbergut, simptomat e një shoqërie, qeverie, shteti të sëmurë. Kur kreu i qeverisë nuk e respekton kushtetutën, ligjin, atëhere çka pritet nga të tjerët?! Nuk thonë kot: Peshku qelbet nga koka. Shqipëria për një kohë shumë të gjatë është duke vuajtur nga keqqeverisja, ndërsa shoqërinë shqiptare e ka kapluar një krizë e thellë morale. Simbolet kombëtare janë letërnjoftimi, identiteti i një kombi, shteti. Për shqiptarët nuk ka simbol më të shenjtë se flamuri ynë: Eshtë flamuri që na la Skënderbeu; është ky flamur që i mban së bashku popollin dhe trojet tona padrejtësisht të ndara. Për të gjithë shqiptarët, por sidomos për ata që mbetën jashtë kufijve londineze, ky flamur është vetë Shqipëria. Për këtë flamur shumë shqiptarë në Kosovë dhe trojeve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi janë burgosur e janë vrarë. Prandaj, askush, qoftë ai edhe kryeministri i Shqipërisë, nuk duhet lejuar që ta përdhosë atë! Dhe habia më e madhe është se shqiptarët, institucionet tona, përfshirë këtu edhe dy Akademitë e Shkencore, heshtin, thua se nuk është duke ndodhur asgjë. Po ashtu, ditë më parë, veprimet e kryeministrit të Shqipërisë, zotit Rama, lidhur me emërimin e ministrit për Europën dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë ngjallën reagime të shumta në shtypin shqiptar dhe në ligjërimin publik. Dhe pikërisht për kandidatin z. Cakaj, por edhe për mënyrën sesi u krye ky proces. Edhe në këtë rast kryeministri u tall me shtetin, kushtetutën. Për këtë më herët e kam bërë një shkrim (“Qeverisje arrogante – tallje me shtetin, kushtetuten” – Illyria, 30 janar, 2019), prandaj nuk ka nevojë që të zgjatem më shumë për këtë çështje.

 

28 Nentori nen hijen e 29 Nentorit

Meqenese ne kete shkrim po perqendrohemi per keqperdorimin, shperfilljen, perdhosjen e simboleve tona kombetare e shteterore, duhet theksuar se edhe Festa jone Kombetare, Dita e Flamurit, 28 Nentori ka disa dhjetevjeçare, pikerisht, qe nga ardhja e sistemit komunist, ka mbetur nen hijen e 29 Nentorit (edhe pas renjes se komunizmit, kur ne pushtet jane socialistet). Edhe kete Dite te Madhe, Dite te Shenjte, Kryeministri eshte duke e shperfille. Vertet, ai shkon me 28 nentor ne Vlore, veshur me dimia apo shallvare, per te vene nje kurore ne varrin e Ismail Qemalit, por me 29 nentor ai e “kalle” Tiranen me nje koncert madheshtor (Nata e Bardhe), duke e lene keshtu 28 Nentorin nen hijen e 29 Nentorit. Ne historine shumeshekullore te kombit tone nuk date me te shenjte se 28 Nentori, qe shenon kthimin e Skenderbeut ne Kruje (1443) dhe Shpalljen e Pvaresise se Shqiperise ne Vlore. Edhe me kete rast Kushtetuta e Shqiperise (Neni 14, Pika 5) eshte e qarte: “Festa Kombetare e Republikes se Shqiperise eshte Dita e Flamurit, 28 Nentori”. Nuk ka nje Feste te dyte Kombetare, nje dite me te madhe.

Shpesh ne Kuvendin e Shqiperise, qe duhet te jete nje tempull i shenjte i demokracise dhe bashkekuvendimit tone kombetar, Kryeministri perdor gjuhe jodinjitoze, duke i fyer,duke i perqeshur deputetet, veprime qe nuk i bejne nder te parit te qeverise se nje vendi. (Edhe sjellja e disa deputeteve eshte e papranueshme, por kjo eshte nje teme tjeter qe meriton nje shtjellim me te hollesishem e me kritik).

Zoti Kryeminister i Shqiperise, respektoni simbolet tona kombetare e shteterore, sepse ato jane te shenjta per te gjithe shqiptaret!/ylliria press/

Philadelphia, 24 shkurt, 2019

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Please follow and like us: