Albspirit

Media/News/Publishing

Majlinda Bregu: Harrojeni datën e anëtarësimit në BE…

Lutfi Dervishi

 

Nëse në Ballkan do të jetonin 100 njerëz…

 

61 prej tyre do të thonin se shqetësimi kryesor për ta mbetet papunësia!

27 do të thonë se gjendja e tyre ekonomiko-sociale është nën mesataren!

21 nuk mund të paguajnë qeratë dhe faturat!

46, më pak se gjysma thonë se anëtarësimi në BE është një gjë e mirë!

Sa i përket BE-së numri i pesimistëve dhe cinikëve është më i madh se i optimistëve. Nëse 20 persona thonë se nga viti 2030 mund të antarësohemi në BE, 26 të tjerë kjo gjë nuk do të ndodhë kurrë.

Njerëzit në Ballkan duket e shohin më të lehtë dhe të shkurtër rrugën për në BE në mënyrë individuale.

Nëse në Ballkan jetojnë 100 njerëz, 39 prej tyre thonë se duan të punojnë jashtë shtetit! Po kaq thonë se dikush nga familja, kushërinjtë apo miqtë ka humbur vendin e punës.

Numri i atyre që nuk kanë besim tek institucionet që do t’i zgjidhin këto probleme është në rritje.

Mungesa e besimit tek institucionet bën që 70 persona të mendojnë se qeveria nuk e ka seriozisht luftën nda korrupsionit!  Edhe më keq paraqitet opinioni kur vjen puna tek, “kështjellat e demokracisë”-  partitë politike.

79 thonë se partitë politike janë të korruptuara. Dhe i njëjti numër, (79) është i mendimit se ligji nuk vepron njëlloj për të gjithë.

Megjithëse duket se në Ballkan po përjetohet një stinë protestash për vitin 2018 vetëm 9 vetë protestojnë, 6 prej tyre në rrjete sociale dhe 24 të tjerë thonë thonë se nuk e vrasin mendjen për atë që thotë apo bën qeveria.

Nëse mund të ketë lajm të mirë nga rajoni ëshë rritja e ndjeshmërisë ndaj gjendjes së komunitetit rom është në rritje.  76 thonë se qeveria duhet të ofrojë mundësi për shkollë dhe universitet për komunitetin rom.

Nëse publiku anon më shumë nga pesimizmit, e kundërta duket se ndodh me biznesin. 62 thonë se situata do të jetë më e mirë.

Këto të dhëna janë nga Barometri Ballkanik për vitin 2018- komisionuar prej Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal. Me dy fjalë ky këshill synon integrimin e rajonit në BE dhe strukturat euroatlantike.

Ky këshill prej datës 4 janar të këtij viti drejtohet nga Majlinda Bregu- ish gazetare, ish sociologe, ish pedagoge, ish ministre dhe ish deputete në Kuvendin e Shqipërisë.

Majlindja Bregu është ministrja e integrimit më jetgjatë në Shqipëri dhe tashmë është përballë sfidës së integrimit të rajonit që ky i fundit të jetë gati për anëtarësim në BE! Në një BE që nuk është më ajo që ka qenë dhe që vetë përballet me ditët e veta më kritike.

 

Image result for majlind bregu e lutfi dervishin

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu: Harrojeni datën e anëtarësimit në BE…

 

 

Nëse dikush kërkon një përgjigje të shkurtër dhe të qartë: çfarë është Këshilli i Bashkëpunimit Rajona që ju drejtoni prej datës 4 janar?

Bregu: Eshtë institucioni i cili ka në dorë axhendën e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, kryesisht përmes procesit të Berlinit, por që ndjek bashkëpunimin rajonal në një koncept më të gjerë…

Na duhet edhe një shpjegim tjetër për “procesin e Berlinit’….

Bregu: …dhe ndjek në bashkëpunimin në një nivel më të gjerë që është ai i vendeve të Europës Juglindore, pra janë 13 vende të Europës Juglindore, një pjesë prej tyre sot vende anëtare të BE-së, një pjesë prej tyre duke negociuar anëtarësimin në BE. Një pjesë janë vende kandidate për në BE. Vende të tjera që presin me padurim të bjerë zilja për të çelur negociatat me BE. Pra kemi vende që janë anëtarësuar së fundmi me valën e fundit të zgjerimit të BE-së, sikurse është Kroacia në 2013, pra kemi një set detyrash shumëngjyrëse për të ruajtur jo vetëm trendinin e europianizimit sepse doja ta shmangia këtë fjalë, të këtij rajoni dhe kësaj pjese të botës ku jetojmë, por bërjes dhe mbajtjes gjallë të një axhende që është realisht transformuese për vendet tona.

 

Nëse përpiqemi t’i japim një kuptim KBR (Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal), nëse flasim për fuqi si SHBA- ShBA ka edhe shkopin edhe karrotën, nëse flasim për BE-në, thuhet që BE ka karrotën. Nëse flasim për Këshillin çfarë instrumenti ka KBR që i detyron vendet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin?

Bregu: Dialogun dhe fasilitimin neutral. Pra për të ruajtur një pozicion i cili të jetë i barazlarguar dhe të mos mbash anë, sepse vetë procesi i bashkëpunimit rajonal, pra jo vetëm KBR si institucion, ka një vlerë më të madhe, ose e thënë ndryshe dhe më qartë: unë me të vërtetë jam shqiptare dhe Shqipëria drejton KBR, por do më duhet që gjithmonë të mbaj një nivel të përfaqësimit të barazlarguar për të gjitha vendet dhe të promovoj axhenda që nxisin bashkëpunimin real mes vendeve. Dhe kjo nuk është gjithmonë shumë e thjeshtë.

 

Aspak e thjeshtë, por nëse shohim këto vende, Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, kanë probleme në shtëpi, kanë probleme me fqinjët dhe a nuk duket se i ngjajnë pak atij djalit që nuk e qasnin në fshat dhe ai kërkon “vajzën e priftit”. Kërkojmë të shkojmë në BE, por me 1000 probleme ….

Bregu: E vërtetë është se të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor,… por në fakt të mos jemi kaq të ashpër gjithë kohën vetëm me veten. Sot ka probleme kudo në botë dhe politika dhe gjeopolitika i ka dhënë një formë të re marrëdhënieve. I ka dhënë një formë të re kompozimit të rajoneve dhe ka një arsye pse vendet dhe rajonet po tentojnë sot të jenë të konkurueshëm në tregun botëror si rajone. Kjo vlen, kryesisht edhe për 6 vendet tona të Ballkanit Perëndimor sepse të gjitha bashkë nuk jemi më shumë se 18 milionë banorë. Që do të thotë se tek e tek nuk jemi interesantë për investitorët e huaj. Po t’i shtosh këtu edhe problematikat që ka secili vend me zbatimi e ligjit, apo me respektimin e pronës, apo me dënimin e korrupsionit të gjitha këto e bëjnë më të pamundur në rast se nuk kemi një qasje serioze dhe një vendimmarrje se tashmë në këto kohë është e pamundur që të flasësh për zhvillim ekonomik brenda një vendi në rast se nuk bëhesh atraktiv të paktën si një treg i përbashkët. E vërtetë është që ne kemi ndarje. Ka ndonjëherë zemërata të mëdha. Nuk duhet të harrojmë se flasim për një rajon, të paktën për Ballkanin Perëndimor, por duke përfshirë pak më tej dhe vende si Kroacia dhe Sllovenia që janë vende të BE-së, por që kanë qenë përfshirë në një problematikë lufte jo më larg sesa 20 vite më parë. Vetëm Shqipëria ka qenë e paprekur nga shpërbërja e ish Jugosllavisë dhe këto luftra. Pra flasim për një rajon i cili realisht….pavarësisht që flasim çdo ditë dhe duke qenë se bëhemi më të paduruar për ta parë zhvillimin dhe kjo është tërësisht normale, sepse qytetarët presin më shumë, sepse kanë më shumë se 20 vite transformimi, ose të paktën që flitet për një retorikë transformimi, e vërteta është që rajoni ka bërë një hap përpara. Ka një trend të konsoliduar sot në rrugën drejt Europës dhe BE-së. Më lejo të them një gjë sepse shpesh jam e detyruar që sa herë që unë si një ballkanase e mirë tipike jam e detyruar edhe unë të flas se çfarë nuk shkon mirë dhe sa të lartë e kemi nivelin e zemërimit ose të zemëratës mes nesh- nuk ka qenë e lehtë edhe për BE-në. Po ta marrësh në periudha të ndryshme historike ka patur situata të cilat kanë qenë konfliktuale. Psh në 1960 kur sapo kishte filluar të krijohej le të themi BE ose të merrte formë, nëse do të bëja një paralele që nuk është 100% e qëndrueshme me situatën tonë, nuk duhet të harrojmë që patën një konflikt, që quhej ai i karrikes bosh ku de Goli e ndjente veten më shumë francez sesa europian. E njëjta situatë më 1970 kur po ndërtohej ideja e monedhës, konceptet e para të monedhës së përbashkët ku marka gjermane fitonte dhe ishte më e fuqishme, kështu vijoi me Theçer (kryeministra britanike) nja 10 vite më vonë ku vendosën që të mos ishin pjesë e plotë e këtij unioni dhe të ruanin një farë niveli përjashtimi, po kështu më 1990 me Murin e Berlinit dhe Traktatin e Mahstritit- ka patur gjithmonë konflikte- apo me përcaktimin e euros si një monedhë e vetme. Pra edhe BE nuk është se ka kaluar në ndërtimin e tij pa kriza. Të them të drejtën unë nuk pres që edhe ne vendet e Ballkanit Perëndimor me demokraci asnjëherë të konsoliduara mjaftueshëm, me probleme të theksuara të korrupsionit, me probleme të theksuara të mungesës së zhvillimit ekonomik, të tregut të punës së copëtuar të teknologjisë së pa përditësuar, të jemi vende të dala nga lufta dhe të kalojmë dhe brenda 20 viteve të shkëlqejmë, por qëndron edhe e vërteta tjetër- e kemi humbur shansin shpesh herë dhe e kemi humbur – jo për faj të tjerëve.

 

Ju flisni për rajonin në këtë rast?

Bregu: Në këtë rast për rajonin.

 

Çfarë mendoni se e pengon bashkëpunimin në rajon. Në teori është kjo që ju thoni: një treg më i madh është më tërheqës për investimet e huaja, nuk është kush kundër kësaj. Nëse do të themi një problem kryesor që e pengon bashkëpunimin cili do të ishte?

Bregu: Eshtë bashkëpunimi.

Mungesa e bashkëpunimit?

Bregu: Bashkëpunimi është problemi kryesor. Ne nuk jemi të sinqertë gjithë kohën në momentin kur vendosim të çojmë përpara një axhendë që të jetë axhendë bashkëpunuese dhe shpesh herë krijohet përshtypja që jemi të zellshëm dhe me vrull për të bërë dy hapa para dhe sidomos kur bëhet fjalë për retorikë dhe pastaj për çështje të caktuara nuk e kemi fare problem të bëjmë 3 hapa pas, pa menduar për një qasje të përbashkët, për një qasje rajonale. Eshtë akoma ndarja dhe paqtimi i ekonomive të ndryshme të Ballkanit Perëndimor me historitë e luftës, është mungesa ose përqëndrimi i vëmendjes më shumë te stabiliteti politik sesa te zhvillimi real i secilit prej vendeve, është deri diku pranimi në linjë të parë dhe në parim se procesi i integrimit europian është shumë i rëndësishëm për vendet tona, por kur vjen puna te zbatimi përditshëm në praktikë i detyrimeve dhe te kryedetyrimi që është zbatimi i ligjit kemi nuanca nga më të ndryshme. Të gjitha këto janë problematika. Eshtë pasiguria e investimeve që është problem shumë i madh për vendet e Ballkanit Perëndimor sepse pasiguria e investimeve ose konkurenca ku është normale që secili vend të tërheqë më shumë nga vetja, por pasiguria e investimeve e cila lidhet me mos zbatimi ne duhur të ligjit ose me çështje të pronësisë të cilat kanë mbetur për vite e vite problematike në shumë vende të Ballkanit Perëndimor.

 

Nëse do të flisnim për zgjidhjen e problemeve/mosmarrëveshjeve mes dy vendeve të rajonit, a ka një rol për të luajtur këtu Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal?

Bregu: Ne nuk hyjmë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe, por ka mënyra të tjera po aq interesante për të ndihmuar vendet të cilat kanë mosmarrëveshje mes tyre për të mbërritur në një tryezë bisedimesh. Psh ne jemi gjithë kohën në bisedime për axhenda të cilat janë sot fokus kryesor i punës dhe negociatat nuk janë asnjë herë të lehta. Ndonjëherë në fillim të duket se janë të paqta, pastaj gjatë rrugës e sheh që në tryezë vijnë gjithmonë dhe zënë vendin e fantazmës ato ndarjet mes dy vendeve apo më shumë. Por nuk kemi mision të merremi drejt përdrejt me zgjidhjet dhe mosmarrëveshjet bilaterale, por duke nxitur dhe duke u munduar që nëpërmjet këtij lloj paqëtimi dhe bashkëpunimi ekonomik dhe të axhendave që prekin direkt qytetarët, pra një rrugë e tërthortë…

Si qasja me qymyrin dhe hekurin…

Bregu: Po, si me qymyrin dhe hekurin që ishte interesi kryesor mbi të cilin u ngrit BE.

Ka një problem të pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës, Kosova kërkon njohje ndërkombëtare dhe vend në OKB. Funksionojnë rrugët e tërthorta që ju përmendi edhe në këtë rast?

Bregu: Ne kemi në tryezë në të gjitha negociatat dhe po përmend vetëm ato të dyja të cilat gjithë stafi i KBR është i përfshirë, çdo ditë tashmë; axhendën e roaming apo axhendën digjitale po ku fokusin e kryesor tashmë deri të paktën në korrik, kemi vendosur uljen e çmimit të tarifave të roaming ndërmjet 6 vendeve, duke nisur kështu procesin e uljes së çmimit me vendet e BE -së dhe njëkohësisht deri në zerimin e tyre pas dy viteve në vitin 2021.

Do të thotë në 2021, një shqiptar që udhëton në Serbi, Maqedoni apo Bosnjë….

Bregu: Do të thotë që telefonin do të mund ta hapë, të lexojë dhe të shohë emisionin tënd pa asnjë tarifë shtesë interneti dhe të mos ketë frikë që kur të kalojë kufirin në Mal të Zi, në Serbi apo në një vend tjetër edhe në Kosovë sigurisht, të ketë frikë të hap celularin se interneti do t’i “shkatërrojë” faturën mujore. Nuk është pak. Po nuk është ky përfitimi krysor. Në momentin që të 6 vendet nënshkruajnë marrëveshjen e cila shpresoj shumë të ndodhë….marrëveshja pritet të nënshkruhet në samitin e radhës digjital në Beograd. Pra në momentin që nënshkruhet marrëveshja pastaj siglohet nga kryeministrat në korrik në samitin në Poznan, do të thotë se nisim fazën e zbatimit të uljes së çmimit të telefonisë celulare në roaming. Nga momenti që nënshkruajnë të gjashtë ekonomitë, ne kemi mundësi të ndërtojmë dhe të nisim dialogun me BE-në për uljen e çmimeve deri në zero. Pra roam like at home, si marrëveshja e BE-së.  Fol si në shtëpi e kemi përkthyer në shqip, me të gjitha vendet e BE. Më lejo të them. Kemi më pak se tre vjet negociata për BE- për të hequr tarfimin e roaming me njëri – tjetrin janë dashur 10 vjet. Prandaj nganjëherë duhet edhe t’i njohim vetes edhe aftësinë. Mbase nga padurimi dhe lodhja e tepërt, nuk shohim disa rezultate konkrete përveç retorikës që ndajmë vetë çdo ditë. Po ju thoja që në këto tryeza ne i kemi përfaqësuesit e të gjitha ekonomive të ulur, si tek roaming si te njohja e ndërsjelltë e diplomave dhe kualifikimeve për katër profesione, siç e kemi nisur fillimisht që do të thotë që nesër një mjek i diplomuar në Tiranë, në rast se nuk gjen punë në Tiranë ose nuk i pëlqen mund të shkojë të punojë në një vend tjetër të rajonit, diploma do t’i njihet, po kështu një arkitekt, një inxhinjer…

Po, por realiteti në këtë rast është se mjeku i pa punë në Shqipëri dhe mjeku i papunë në Serbi duan të shkojnë të punojnë në Gjermani dhe jo tek njëri -tjetri.

Bregu: E vërtetë është madje edhe infermierët duan të shkojnë të gjithë në Gjermani…

Madje edhe pacientët…

Bregu: Por e vërtetë është se kur vjen puna për shëndetin, njeriu kërkon zgjedhjen më të mirë dhe nuk sheh nëse kemi të bëjmë me axhenda nacionale apo po flasim për bashkëpunim rajonal. Por nuk është se është kaq e pamundur. Sot kemi rreth 25 aplikime në vit nga një vend në tjetrin ose nga një ekonomi në tjetrën, pasi gjuha jonë zyrtare është ajo e ekonomive dhe jo ajo e vendeve. Por me arritjen e kësaj marrëveshje ka një parashikim që numri i aplikantëve mund të rritet dhe mbase jo të gjithë mund të shkojnë në Gjermani, mbase disa për arsye të tjera mund të kenë dëshirë të punojnë në Mal të Zi apo nga Prishtina kanë dëshirë të punojnë në Shqipëri. Të paktën u krijojmë një mundësi dhe u japim një standart të cilin e ka edhe BE dhe krijojmë dhe afrojmë rrugën. Ky është momenti i vërtetë i integrimit europian. Vazhdoj të besoj se integrimi europian nuk është çështje datash. Madje mbase ka qenë shumë gabim që të gjithë ne e kemi menduar si një proces pritshmëri date kalendarike.

Një njeri që do të jetojë vetëm 100 vjeç.

Bregu: Për të gjithë ne vdektarët e thjeshtë

Në kuptimin historik data nuk ka rëndësi, por në kuptimin e jetës së një njeriu ka rëndësi. Kanë kaluar 30 vjet nga rrëzimi murit të Berlinit, 16 vjet nga premtimi i madh i BE-së në samitin e Selanikut se e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Europian. BE që duket se ka sot probleme ekzistenciale. Ka një lloj….

Bregu: Pikërisht për të gjitha këto arsye them se nuk është më vetëm çështje datash. Asnjë nuk pret që kjo të jetë një axhendë territoriale. Askush nuk pret që vendet tona t’i marrim në krah dhe t’i lemë diku në Bruksel apo në mes të Berlinit. Prandaj them se axhenda transformuese është ajo që na afron realisht dhe duke patur parasysh këtë që the: premtime kalendarike, premtime në samitin e Selanikut, ka patur premtime nga Presidenti aktual Junket si një vit dhe një datë që vendet e Ballkanit Perëndimor të kishin një perspektivë të qartë të zgjerimit dhe anëtarësimit. Por nga ana tjetër duke patur parasysh se ç’ndodh sot në BE, ç’ndodh sot me bipolaritetin e politikës në përgjithësi në botë, se çfarë krizash dhe pasigurish po kalojnë vendet anëtare të BE-së, ku njëri nga vendet po largohet, ende s’po largohet po pret marrëveshje të tjera për t’u larguar e kështu me radhë sikurse është Britania e Madhe që ka qenë vend i BE dhe nuk ka qenë tërësisht vend i BE-së apo duke patur parasysh që vende të tjera janë vende të BE, por nuk e ndjejnë veten se janë më të kënaqur se më parë. Për të gjitha këto them se e rëndësishme për këtë rajonin tonë, për mënyrën se si gjërat kanë ecur deri më tani, është që ne duhet të shohim ndryshim dhe transformim real brenda vendeve tona, duke patur ato standartet e shëndetësisë në Shqipëri, nuk e merr rrugën njeri për t’u nisur e kuruar në Gjermani, dhe në rast se do të kishim zbatim të ligjit në të gjithë vendet tona, do të ketë më shumë punë dhe më shumë garanci për të rinjtë. Prandaj them se është më e rëndësishme ta përqëndrojmë vëmendjen te tranformimi që ndodh brenda nesh sesa te rrugëtimi si një proces vetëm datash. Se datën tashmë e kemi humbur si betejë.

 

Nuk duhet të flasim më për data fikse, ndoshta duhet të flasim për dekada. Ju flisni për 6 ekonomi të rajonit. BE nuk pranon anëtarë të rinj që nuk kanë zgjidhur problemet me njëri tjetrin…

Bregu: Franca ka një ide shumë të qartë për të mos vijuar më tutje me anëtarë të rinj gjithsesi dhe jo vetëm…

Por nëse shohim këtë rajon që duhet të integrohet fillimisht me njëri-tjetrin dhe pastaj me Brukselin ne shohim  që kemi tre çifte. Dy vende negociojnë me BE-në, (Serbia dhe Mali i Zi) dy vende janë kandidate, (Shqipëria dhe Maqedonia) dhe dy vende janë potencialisht për të qenë kandidatë (Kosova dhe Bosnja). Duke se në kryeqytetet e rajonit më shumë ka dëshirë për të bërë një tango me Brukselin sesa njëri – tjetrin. Duke qenë në faza të ndryshme, sa ndikon ky realitet në misionin e organizatës që ju drejtoni-integrimin e rajonit me njëri-tjetrin.

Bregu: Ka një gjë procesi i integrimit BE-së që nuk lë pas asnjë vend, e përsëris që është i sigurtë në zbatimin e reformave së brendshmi. E kundërta është po ashtu e vërtetë. Pak rëndësi ka stadi dhe statusi në të cilin ndodhesh, je vend duke negociuar, pra që ke çelur negociatat, je vend potencial kandidat apo je vend kandidat. Në rast se nuk ka reforma të cilat zbatohen së brendshmi në fund të fundit procesi do të mbetet një proces që prap do të flitet e diskutohet  dhe do të ketë manipulim politik, pasi qytetarët nuk do ta ndjejnë ndryshimin real. Ky është dëmi më i madh që mund t’i bëhet narrativës europiane në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Zbatimi i reformave të brendshme…

Bregu: Sigurisht, është më i madh se sa dëmi që sjell kalendari i vonuar i anëtarësimeve. Të bësh sikur është më e rëndë se kalendari i vonuar i anëtarësimeve. Ky është rreziku dhe problemi që unë do të doja të mos ishte prezent dhe të mos e shihja, jo vetëm për hir të axhendës që ndjekim ne, por të mos e shihja prezent në asnjë prej ekonomive të rajonit. Ndërkohë është e vërtetë që të gjithë vendet kanë këtë lloj tangoje me Brukselin dhe në fund të fundit ka dy mënyra për ta parë. Nga një anë mund ta shohësh nga ajo fjalë që tanimë duket e pisët si ajo e “stabilokracisë” në vendet tona, pasi është kërkuar gjithmonë që vendet të jenë stabël dhe të mos sjellin probleme. Ndërkohë që ka patur gjithmonë e më pak vëmendje për standartet reale të demokracisë. Por ka një problem: kur nisi procesi i stabilizimit nisi me idenë e një qasje të qartë pro perëndimore, pra të një narrative perëndimore dhe deri këtu nuk ka asgjë gabim. Problemi është kur ne fillojmë, pak nga koha tejet e zgjatur, pak nga mungesa e rezultateve konkrete, pak nga mos mbajtja e premtimit për datën e anëtarësimit nga ana e politikës europiane fillojmë dhe bezdisemi të gjithë pastaj. Dhe kur bezdisemi të gjithë mendojmë më shumë për politikën lokale dhe ky kthehet në problem. Por ne kemi sot në Ballkan Barometër që për mua është instrumenti më interesant që prodhon KBR- që unë e kam gjetur në fakt nuk është se e kam shpikur apo është novacion i imi, por është instrumenti më i mirë se teston perceptimin e vendeve dhe të qytetarëve dhe po të shohësh janë më shumë se 72% e qytetarëve në 6 ekonomitë tona të cilët e mbështesin fuqishëm procesin e bashkëpunimit rajonal. Pra ka një shtytje e cila shkon gati gati paralel madje më e madhe se ajo që shkon për mbështetjen e integrimit europian sepse procesi integrimit të BE-së, lëviz dhe luhatet në vende të ndryshme.

Nëse flasim për atë që BE e cilësoi stabilizim asociim. Në kohën që po flasim tre vende që janë në stade të ndryshme në marrëdhënie me Brukselin, Serbia, Mali i Zi dhe Shqipëria janë në protesta për arsye të ndryshme: emëruesi i përbashkët është që kërkojnë ndryshimin e qeverisë. Ndërkohë që brenda pak javës Komisioni do të japë vlerësimin vjetor që do t’i paraqitet Këshillit Europian për shqyrtim. Cilli është leximi juaj për protestat?

Bregu: Do të doja të mos merresha me politikën e brendshme të asnjërës prej ekonomive të paktën jo në këtë pozicion. Se nuk them asgjë të re se e drejta e protestës është e legjitimuar për secilën nga ekonomitë, cilatdo qofshin arsyet. Po aq sa është e vërtetë se kur protestohet për të arritur në një stad më të lartë për ta parë vendin më mirë, ka gjithmonë mbështetës. Në rast protestat ndërthuren pastaj me axhenda të tjera që mund të jenë edhe axhenda personale. Këtu situata bëhet pak më problematike. Dhe do të doja ta ndalja këtu komentin për të mos e zgjeruar më shumë për çështje që nuk janë pjesë e axhendës tonë të drejtpërdrejtë.

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal është pasardhës i Paktit të Stabilitetit. A ju duket pak ironik fakti që sot në vende të rajonit po flitet për “stabilokraci”? Për hir të stabilitetetit shpesh është mbyllur një sy e ndonjëherë dy sytë në kurriz të zhvillimeve të brendshme dhe ndonjëherë shtyllës kurrizore për një demokraci siç janë institucionet e pavarura, dhe check and balance.

Bregu: Në fakt, besoj se kanë ndryshuar dhe evoluar gjërat. Sigurisht do të ishte stabiliteti i pari sepse…

Pa stabilitet nuk mund të bësh asgjë…

Bregu: Pa stabilitet nuk mund të negociosh me vendet që nuk kanë qeveri, nuk kanë interlokutor të sigurt, dilnin nga lufta pra…normal që duhet të kesh partner në tryezë. E vërtetë është se ka patur vëmendje edhe për faktin se ne nuk kemi qenë asnjëherë stabël dhe stabiliteti nuk ka të bëj vetëm me ruajtjen e pushtetit të një qeverie që ka marrë detyrën për të drejtuar vendin, ka të bëjë me sigurinë. Dhe siguria është elementi kryesor i stabilitetit. Pra të mos kesh kërcënimet e sigurisë dhe të kesh mundësi të ruash integritetin tënd. Vetëm kështu mund të kishe mundësi për të identifikuar axhenda me secilën ekonomi më vete. Pra po flasim prap për një rajon e përsëris ku çështja e debatit të kufijve e luftrave ka qenë e ndjerë për shumë e shumë kohë. Prap unë them që historia e ruajtjes së një narrative pro perëndimore, pro europiane ka qenë qëllimi kryesor i kërkesës për stabilitet. Edhe pse kam vërejtjet e mia apo dyshimet e mia se sa realisht ky proces është shoqëruar me një demokratizim të thellë të vendeve tona, nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që sot për sot ne kemi mundësi të flasim të negociojmë, të ulemi në tryezë me vende të cilat janë vende stabël. Ne tentojmë t’i harrojmë gjërat kur nuk na vjen për mbarë. Ka patur kërkesa që pavarësisht se mund të kenë mërzitur elitat politike në secilën prej ekonomive, kanë shkuar në të njëjtën linjë me pritshmëritë e qytetarëve. Psh reforma në drejtësi nuk është kërkesë vetëm për të ruajtur stabilitetin. Për të ruajtur stabilitetin mund të mbanin në fuqi si në rastin e Shqipërisë të njëjtat institucione, të njëjtin sistem gjyqësor dhe ja ku jemi stabël. Por në fund të ditës askush nuk ishte i kënaqur dhe po bëhej një problem i madh se prej këtij “stabiliteti” nuk po luftohej korrupsioni dhe u bë stabël korrupsioni, u bë stabël krimi e kështu me radhë. E vërtetë është se ka kaluar një fazë e gjatë, por kjo është edhe çështje interesi dhe zgjuarsie politike dhe vëmendje politike gjithsesi. Nuk është se ky sinori ynë ka qenë qendra e botës, për pjesën e politikës së jashtme. Ka patur një vëmendje të shtuar vitet e fundit. Eshtë marrë gati e mirëqeni se procesi integrimit europian i ka mbajtur në një ton, i ka mbajtur të tonifikuar elitat politike dhe duhet të bënin gjithçka edhe pse në fund të ditës kjo kthehej në një kredo personale. E vërteta është se axhenda integrimit është në vëmendje. Ju përmendët pak më parë në hyrje rritjen e shqetësimi për komunitetin rom. E kupton se mund të duket si një çështje anësore kur flet për politikat e papunësisë, kur flet për korrupsion politikanësh, kur flet për krim të organizuar, por ja që ka një vëmendje edhe ndaj grupeve të marxhinalizuara të shoqërisë dhe kjo nuk është pak sepse është një detyrim sot edhe çështja e romëve, është një detyrim i atyre kapitujve të drejtësisë, po kështu edhe çështje të tjera. Pra dua të them se ka një qilizëm më të thellë nga dita në ditë edhe sepse askush nuk është gati më që përtej kapicës së problemeve të veta që ka në vendin e vet, apo rritjes së populistëve, ekstremistëve, flukseve migratore dhe emigracionit e azilit kanë bërë të tyren gjithashtu. Mungesa e orientimit dhe përballjes të gjithë burimeve të rrezikut që ka sot një vend i BE-së nga terrorizmi te azil kërkuesit, nga lëvizjet brenda vendit e kështu me radhë- të gjitha këto kanë shtuar skrupolozitetin për të kërkuar më shumë llogari te vendet e tjera të cilat duan të anëtarësohen. E përsëris nuk humbasim asnjë orë e asnjë ditë në rast se ne përqëndrojmë vëmendjen te reformimi ynë së brendshmi. Humbasim në rast se rrimë në linjë pritje për  të parë se kur do të vij dita e bekuar e anëtarësimit që nuk vjen po nuk ndryshove vetë.

 

Kampionet e Bashkëpunimit rajonal CEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë për Europën Qendrore) mori këtë çmim nga KBR më 2012? Nëse e kujtojmë sot, është vetëm ironi apo tregues që gjërat mund edhe të përkeqësohen?!

Bregu: Jo nuk e gjej ironik, sepse çmimi është dhënë para disa vitesh para se të ndodhte edhe kjo situata, gjë që nuk do të thotë se nuk do të ketë përsëri përmirësim të marrëdhënieve. E vërteta është në fakt dhe kjo nuk është se na vë në një pozicion për t’u mburrur apo për ta thënë me devotshmëri se në rast të gjithë vendet tona kanë një regjim vit pas viti të rritur të marrëdhënieve edhe ekonomike edhe të eksportit me tregun e madh të BE-së, kanë 142% rritje, me njëri tjetrin shkëmbimet janë të papërfillshme që do të thotë se kemi të bëjmë me një elemet shumë të rëndësishëm për të menduar se çfarë realisht nuk shkon. Nuk shkojnë shumë gjëra, duke nisur nga gjërat themelore në pikat e kalimit doganor, nga tarifat që duhet të paguajë një biznes që vjen nga njëra ekonomi apo tjetra, nga procedura e zhdoganimit që nuk janë të njëjta për gjitha ekonomitë, diku marrin 24 orë, diku 48 orë, diku 72 orë, nga pagesat që duhet të bëj një biznes diku paguan 400 euro e diku vetëm 25, pra të gjitha këto pa shtuar problematikat e reja të kohëve të fundit, të taksës mes Kosovës e Serbisë dhe Bosnjës. Të gjitha këto nuk tregojnë për një situatë të kënaqshme të shkëmbimit tregtar mes ekonomive. Pavarësisht se është një nga shtyllat që ne duhet të merremi, jemi po aq të ndërgjegjshëm që në fund të ditës ky proces i bashkëpunimit rajonal, përfshirë edhe KBR-në ka sukses kur ekonomitë dhe dialogu mes vendeve nuk është i cënueshëm dhe nuk ndërpritet. Përndryshe është e pamundur të flasësh. Ne mund të vijojmë dhe të përgatisim axhenda, por nëse në një ditë të caktuar ndodhin ngjarje si kjo që ka ndodhur para disa muajsh do të jetë shumë e vështirë për të folur për zhvillim dhe tregti ndërmjet vendeve.

63% e banorëve të rajonit janë të pakënaqur me situatën ekonomike. Ju këtë e keni cilësuar si tregues të qartë që politika duhet të veprojë për të adresuar shpejt shqetësimet e qytetarëve…

Bregu: Për pak do të bëjmë prezantimin e Ballkan Barometrit të ri, besoj se do të jetë nga fundi i muajit maj dhe ka shifra edhe më interesante.

Më optimiste apo më pesimiste?

Bregu: Më interesante. Por dy shifra që vijojnë të mbesin udhëheqëse në perceptimin e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor si problematike janë papunësia dhe largimi i trurit, ose largimi i të rinjve që këtë vit rezulton në shifra edhe më alarmante, më të larta se viti shkuar, dhe ky është identifikuar si problem kryesor nga vetë qytetarët. Dhe ka një arsye. Pavarësisht për 2018 dhe 2019 ka një parashikim tjetër dhe këto nuk janë shifrat tona, por shifra të institucioneve financiare, më seriozet sot në botë, pra ka një trend të rritjes ekonomike nga 3.5 deri në 3.8% siç pritet deri në fund të vitit, më pozitiv përsëri, kjo rritje nuk është e prekshme nga qytetarët. Ky është një nga problemet dhe sfidat tona të reja. Institucionet tona duhet të dalin nga ai koncepti i zyrës, i mbledhjes i mbajtjes së shënimeve dhe të mundohen të zbresin për të kuptuar sa më shumë aty ku janë problemet reale në terren. Nuk është detyrë primare e jona për ta bërë këtë, sepse është detyrë primare e qeverive, normalisht e atyre që mandatohen, por ka plot mënyra për të parë se cilat mund të jenë rrugët për të ndryshuar situatën në rajon. Psh të them, unë nuk isha në dijeni se në cilat pika të kalimit kufitar ne kemi gjendjen më të rënduar të laboratorëve që kontrollojnë sigurinë ushqimore, dhe po flasim për një standart të sigurisë ushqimore, pra uji, djathi, qumështi, kosi, miellit etj, të jenë të garantuara- ne e kërkojmë këtë, por nuk kemi patur vëmendje për të kontrolluar dhe për të parë në çdo pikë si është gjendja reale e laboratorëve të sigurisë ushqimore. Sigurisht që duhen investime. Pavarësisht se BE vazhdon të mbetet parnteri kryesore dhe investitori më i fuqishëm në rajon. Janë financuar me grante së fundmi 190 milionë euro për transport- prap rajoni mbetet shumë keq i lidhur me njëri-tjetrin. Mua më duhen 9 orë rrugë për të shkuar me makinë deri në Sarajevë dhe më duhen 10-11 orë rrugë për të shkuar me avion deri në Sarajevë. E njëjta gjë vlen për Shkup- Sarajevë. E njëjta distancë dhe të njëjtat probleme a thua se kemi të bëjmë me një rajon të madh nga pikëpamja gjeografike. Pavarësisht se ka patur investime dhe grante për të përmirësuar jetën e banorëve të rajonit ende nuk janë shfrytëzuar si duhet potencialet e brendshme të ekonomive. Eshtë tërësisht e pamundur rimëkëmbja vetëm me fondet e IPA-s apo me grante nga BE, qoftë edhe me kredi të buta…

Nëse fondet e BE-së nuk mjaftojnë për të bërë ndryshimin, çfarë duhet të bëjë rajoni të kërkojë nga Kina, Rusia, Turqia, nga vende të Lindjes së Mesme?

Bregu: Këtë nuk e them dot, pavarësisht se është një realitet që është prezent në rajon. është realitet i ulur këmbëkryq në shumë nga vendet. Më pak se një muaj më parë isha në konferencën e sigurisë në Mynih, kishte të dhëna dhe një studim interesant për përqindjen e investimeve të huaja- kineze në ekonomi të ndryshme të rajonit, të cilat lëvizin nga 14% në Bosnjë, në 32% në Mal të Zi, po kështu Serbia e me radhë. Shqipëria është ende pa një përqindje të investimeve kineze e cila të jetë kokëfortë në përqindje të GDP-së, por kjo është një situatë e cila po ndodh. Dhe në fakt po të mos ishte Kina një partner i fuqishëm ekonomik, nuk do të ishte ulur as BE për të negocuar një marrëveshje ekonomike…

…dhe nuk do të kishim këtë rritje ekonomike në rajon.

Bregu: Dhe nuk do të kishim këtë rritje ekonomike. Nuk besoj se është diçka e zgjuar që të shmangësh dhe të bësh sikur nuk sheh atë që po ndodh para syve të tu, përndryshe i bie që të jetojmë akoma ne kulturën dhe konceptin e izolimit. Eshtë e rëndësishme që marrëdhëniet të jenë në bazë reciprociteti kur munden, sigurisht në bazë reciprociteti kur flasim mes BE-së dhe Kinës në këtë rast dhe njëkohësisht të ketë ca rregulla të përcaktuara dhe unë uroj shumë që të paktën nga samiti i radhës që do të jetë tashmë shumë shpejt, këtë të enjte, të ketë një kuadër më të qartë ligjor për pjesën e investimeve apo rregullave të prokurimit mes BE-së dhe Kinës.

Ballkani është edhe zona ku fuqitë e mëdha ushtrojnë ose përpiqen të ushtrojnë kontrollin/ndkimin e tyre: BE- SHBA- Rusia- Kina- Turqia. Si e gjen veten BE në këtë “power game”?

Bregu: Jo vetëm për faktin që unë besoj fuqishëm në projektin europian dhe besoj se është një projekt që ka sjellë dhe përcaktuar një rrugë të qartë, pavarësisht sa problematike mund të jetë ajo për të gjitha vendet tona. Por edhe për një arsye tjetër. Bazuar në shifra konkrete dhe në fakte konkrete BE është investitori më i madh për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm për anën ekonomike, është investitor i fuqishëm për ndryshimin e ligjeve, është investitor i fuqishëm për t’i ofruar vendeve tona standarte demokratike, tjetër gjë si luhatemi ne në këtë shkallare të zbatimit të ligjit apo të vendosjes së demokracisë brenda nesh. Edhe për faktin se ne gjeografikisht jemi pjesë e këtij kontinenti. Do të doja shumë që narrativa europiane në vendet e Ballkanit Perëndimor njëkohësisht të ndihmuar edhe nga vendet e tjera të rajonit të cilit jemi pjesë tashmë të Europës Juglindore, një koncept pak më i gjerë, të ishte e gjallë dhe përditshme në terma konkretë.

Narrativa e BE-së?

Bregu: Narrativa europiane në rajonin tonë dhe nuk është mision i vogël të mbash gjallë këtë narrativë në një kohë kur ka tronditje dhe ajo që the vetë pak më parë pasiguri, kur vetë BE nuk e di se çfarë forme do të ketë nesër mbas zgjedhjeve që do të ketë shumë shpejt, apo ne nuk dimë nesër se si do të jetë parlamenti i ri europian? Sa miq do të kemi në Parlamentin Europian që me të vërtetë ta duan, por edhe ta njohin rajonin dhe sa mund të jenë të gatshëm për t’u angazhuar…

Sa ndikon gjithë kjo pasiguri për të ardhmen e BE-së tek e ardhmja e Ballkanit?

Bregu: Ndikon sepse ne nuk jetojmë më vetëm me ëndrra, pra nuk mjafton vetëm të përmendim Europë dhe marrëdhëniet tona do të jenë shumë të mira. Pasiguria sigurisht që ndikon, ndikon në politikat, ndikon në axhendat. Që të jem shumë e sinqertë: jemi fokusuar për të përmbyllur axhendën e roaming-ut brenda korrikut të këtij vit, me firmosje tashmë në mars, por sa më shpejt brenda vitit sepse kemi sot dy komisionerë të cilët janë mbështetësist kryesorë; është komisioneri Hahnn që është komisioneri i fqinjësinë dhe zgjerimin dhe komisioneren tjetër Maria Gabriel që ka axhendën digjitale, kemi mbështetjen e parlamenti europian, me të cilët kemi garancinë që menjëherë do të nisë procesi për uljen e tarifave dhe përafrimin e tyre me vendet e BE-së. Pra të gjithë përfshihemi në këtë situatë të pasigurt, por unë shpresoj të ketë qartësi për të kuptuar rëndësinë e madhe që ka jo vetëm paqja dhe stabiliteti në rajonin tonë, por rëndësinë e madhe që ka tranformimi i rajonit në një rajon i cili të qëndrojë vetë.

Një nga themeluesit e BE-së Jean Monet, thoshte 40 vjet më parë një nga ideatorët e BE-së, Jean Monet tha se të gjithë ne: “gjermanët, belgët, francezët, hollandezët, italianët, luksemburgasit” jemi drejt rrugës për t’u bërë europian. Në dritën e zhvillimeve të fundit (Brexit- iliberalizmi në disa vende, rritja e frymës nacionaliste)- çfarë do të thotë sot të jesh europian kur në një letër publike të kohëve të fundit të nënshkruar nga intelektualët më në zë të kohës, mes të cilëve edhe Kadare- në manifestin për Europën thuhet se: “Europa është një ide që po shkallmohet para syve tanë”…

Bregu: …dhe mbyllet më pas me një thënie të Orhan Pamukut i cili thotë se pa idenë e Europës të mbrosh të drejtën e demokracisë, të barazisë, të drejtave të njeriut do të ishte shumë e vështirë në këtë pjesë time të botës.

Timothy Garton Ash thotë se vlerat bazë të BE-së janë të sulmuara sot më shumë se kurrë…

Bregu: Eshtë e vërtetë sot më shumë se kurrë se ato vlera mbi të cilat është ngritur Europa sot janë të kërcënuar edhe nga vetë ata që janë qytetarë të BE-së. Rritja e populizmit dhe skepticizmi ka tronditur vlerat mbi të cilat është ngritur vetë Europa. Për solidaritetin për shembull pjesa e azilkërkuesve ishte një tronditje kaq e madhe sa krijoi një çarje shumë të madhe që testoi dhe vuri në provë një nga vlerat kryesore, vlerë shtyllë të BE-së.

Ju përmendët Barometrin 2019, por 83% në Shqipëri dhe 84% në Kosovë e konsiderojnë një gjë shumë të mirë anëtarësimin në BE- ndërkohë në ky optimizëm në Serbi dhe Mal të Zi, dy vendet që janë më para është më poshtë se 50%

Bregu: Shqipëria dhe Kosova vijojnë jenë vende udhëheqëse në mbështetjen për në BE.

Dhe Serbia dhe Mali i Zi janë më pak entuziastë. Si e shpjegoni paradoksin që më entuziastët janë ata që negociojnë dhe më entuzistët janë prapa derës?

Bregu: Sa më shumë të shtohen detyrat aq më i vështirë bëhet procesi dhe më e lartë bëhet steka e kontrollit. Por nuk duhet të harrojmë që ka një elemet që ndikon shumë në këtë përqindje që është padurimi. Unë e lexoj pjesën e 83% në Shqipëri shumë e lartë akoma edhe si një lloj dufi për pjesën e politikës së brendshme, është një escape që i thonë në anglisht.

Një arratisje…

Bregu: Një arratisje që është edhe dëshirë. është ajo që dëgjon nga miq dhe të afërm. Nuk po bëhemi dot dhe duhet të ikim. Pavarësisht probleme që ka Europa që më së shumti i lexojmë ne, qytetarët e shohin si garanci për punë, si garanci për një jetë më të mirë, e shohin si garanci për një shkollë më të mirë për fëmijët dhe këto faktorë e mbajnë ende lart përqindjen e mbështetjes.

Në ditët e para të punës tuaj ju nisët një tur për konsultime politike- në të gjithë vendet e rajonit dhe ju thoni se “Vullneti politik dhe lidershipi janë thelbësore për ecjen përpara të procesit të bashkëpunimit rajonal”.  E gjeni të vërtetë vullnetin për bashkëpunim mes vendeve të rajonit? Apo kemi të bëjmë me një retorikë për kamerat që bashkëpunimi është i rëndësishëm, është një hap më pranë BE-së.

Bregu: Që të jem e sinqertë në të gjithë takimet që kam bërë, nuk kisha menduar se do ta thosha edhe këtë publikisht, jam munduar që në çdo takim të jem me këmbë në tokë, pa retorikë dhe pa atë paragrafin frymëzues për audienca më të gjera. Në çdo takim me politikanë të nivelit më të lartë, kam takuar presidentë dhe kryeminitra të vendeve të rajonit, ministra që ndjekin axhenda tona, ka patur një gjuhë tërësisht të qartë për përfitimin kryesor, axhendat që ne i kemi fasilituar dhe po i shtyjmë përpara janë axhenda në përfitim të të gjithë qytetarëve. Në fakt gjatë këtyre muajve kemi patur në zyrë ndryshime humori të herë pas hershme, psh niseshim në janar me idenë që negociatat shkuan shumë mirë dhe në raundin tjetër të negociatave na dilte një problem tjetër në tryezë që dukej sikur nuk do të mbyllje kurrë. Jo më kot ndërmora edhe turin jo vetëm për t’i bërë të qarta dhe për të treguar përfitimet por edhe për rëndësinë e vullnetit politik për të bërë të mundur jetësimin e këtyre axhendave përfituese dhe transformuese për rajonin dhe të them të drejtën jam befasuar pozitivisht deri në ditët e fundit, pra jam befasuar pozitivisht nga ekonomi të cilët kishin një qëndrim më të ngurtë, për arsye të tyre, dhe nuk duhet të harrojmë që ka edhe interesa në mes- axhenda e roaming ka interesa biznesi shumë të mëdhaja- deri më sot jam befasuar pozitivisht dhe uroj të vijoj këtu dhe këtu po flas për axhenda që po i ndjekim ne. Nuk më takon mua të them se kjo ndodh ngaqë qytetarët përfitojnë dhe politikanët kanë interes që qytetarët e tyre të përfitojnë sepse më pak tarifa për roaming do të thotë më shumë lek në xhepat e tu, se të gjithë do të ndihen më të lirë për të naviguar në internet dhe për të paguar më pak. Deri më sot jam befasuar për mirë nga vullneti politik për t’i bërë të mundur këto axhenda.

Kur flasim për interesa të fuqishme, dhe për gjëra konkrete si nisma “fol si në shtëpi” a është sekret të flasim për fitimin e kompanive celulare ne roaming; është ky një sekret?

Bregu: Ky nuk është problemi im. Dua të them në parantezë me respektin e madh që kam për biznesin dhe trajektoren e tyre të mundimit se një marrëveshje ekziston mes katër ekonomive të Ballkanit Perëndimor. Të vetmit që janë të përjashtuar nga marrëveshja për të folur me tarifa më të ulta dhe për të patur internetin me çmime më të ulta janë Shqipëria dhe Kosova. Do të thotë se nuk kemi një ushtrim të paprovuar – janë bërë prova për këtë marrëveshje dhe do të thotë që edhe kompanitë janë të përgatitur dhe më e rëndësishmja ata dhe interesat e tyre janë përfaqësuar dhe dëgjuar në tryezat e negociatave nga autoritetet e telefonisë dhe të komunikimit elektronik që ekzistojnë në secilën prej ekonomive.

Çfarë pretendimi kanë kompanitë celulare?

Bregu: Janë detaje që nuk besoj se janë me interes.

Kërkojnë më shumë kohë?

Bregu: Janë detaje teknike që kanë të bëjnë me sistemin e faturimit se do t’u duhet të ndërtojnë në softëare të ri. Vijoj të jem optimiste e kujdesshme dhe shpresoj se ne do ta mbyllim këtë axhendë brenda 6 mujorit të parë të këtij viti.

Le të flasim për raportet me Shqipërinë. Sa e ndihmon Këshilli i Bashkëpunimnit Rajonal Shqipërinë në rrugën drejt Brukselit?

Bregu: Ndihmon në të njëjtën mënyrë që ndihmon edhe ekonomitë e tjera për të nxitur bashkëpunimin mes njëri tjetrit.

Sa ndikon emocionalisht fakti se një shqiptare drejton Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal?

Bregu: Unë shqiptare jam. Nuk kam shtetësi tjetër. Jam rritur mjaftueshëm për të kuptuar se agjë sot nuk bëhet vetëm dhe Shqipëri është treg i vogël. Sigurisht që jam shqiptare dhe të njëjtën ndjesi pozitiviteti dhe mbështetje kam edhe për të gjithë ekonomitë e tjera.

Në ditët e sotme njeriu falë teknologjisë mund të ndodhet njëkohësisht në dy vende. Si e përcollët “lajmin” se ndërkohë që ishit duke punuar në Sarajevë në portalet në Tiranë u “takuat” me reporterin për Shqipërinë Knut Flackestein?

Bregu: Siç janë zakonisht ditët e zëna, kam qenë në një takim me Bankën Botërore, po flisnim për projektin e grave dhe tregun e punës, një nga gjërat që kam shumë për zemër dhe do të dua ta shoh të ndodhë gjatë mandatit tim dhe nuk e kisha kuptuar se çfarë ziente në Tiranë dhe pastaj kuptova që një video e bërë në Parlamentin e Shqipërisë…

Në tetor të 2015-ës…

Bregu: Po në tetor të 20125-tës, ka qenë një komision parlamentar i gjithë komisioneve të integrimit të rajonit dhe Knut Fleckestein ka qenë i ftuar si reporter i Shqipërisë, Ilir Meta ka qenë asokohe kryetar i Kuvendit  dhe drejtonte pjesën e parë të hapjes së takimit, unë isha kryetare e komisionit të integrimit dhe ishte periudha kur PD dhe e kishte shumë për zemër dhe falenderonte Knut Fleckestein dhe Eduard Kukan sepse ishin ato nismëtarët dhe garantuesit e procesit të dekriminializimit, një nga fitoret kryesore të Partisë Demokratike. Duket kohërat ndryshojnë. Kush është mik në një moment mbas disa vitesh kur nuk të vjen përshtat të bëhet edhe armik. Për mua këta ishin bashkëpunëtorët kryesor dhe e kam thënë dhe herë tjetër ky proces i dekriminalizimit dhe nuk dua ta mohoj ka nisur tërësisht mbas një bisede shumë miqësore në Bruksel më 2014 kur jam ndodhur së bashku me Knut Fleckestein dhe Eduard Kukan dhe nuk e prisja që ta merrnin përsipër iniciativën për të negociuar për kthimin e PD-së në Parlament. E mbani mend që kishte nje bojkot. Dhe jam kthyer në Tiranë atëherë, kam takuar Lulzim Bashën dhe I kam thënë “Parlamenti Europian është gati” dhe përgjigja ka qenë “duhet të shohim nëse ata arrinë ta negociojmë me palën tjetër”, pra me Edi Ramën. Të dy parlamentarët europian, njëri përfaqësonte të majtën europiane, pra ishte më afër me familjen politike në PS-së, tjetri atë të djathtë. Të dy bashkë gjatë gjithë kohës kanë qenë dhe janë dy nga personat më miqëor ndaj Shqipërisë. Unë kam dëgjuar shumë shqiptarë të shajnë shqiptarët me tonet më të larta, por nuk kam dëgjuar kurrë asnjë, jo vetëm nga dy zotërinjtë që përmenda, por asnjë në Parlamentin Europian që të mos kenë menduar dhe të kenë folur një ditë pozitivisht pro Shqipërisë, nuk them pro një force politike. Dhe normalisht që në punë dhe në politikë puna të lidh me shumë njerëz. Disa prej tyre të bëhen miq, disa të tjerë i ke vetëm të njohur në politikë, por jam e sigurtë se nëse ka një problem të madh nuk është problemi sa i do Europa shqiptarët. është problemi sa shqiptarët duan veten. Dhe kjo ndodhi edhe në Tiranë. Por unë tashmë jam mësuar me këtë pjesën e medias dhe mua nuk më bën përshtypje. Habitem pse njerëzit nuk kishin identifikuar dot dhe nuk e shihnin që ishte e katër viteve më parë video. Për më tepër një video, të cilën e kam postuar unë aso kohe si pjesë e backstage-it të takimeve zyrtare. Por jam mësuar dhe me thashethemin tashmë, edhe me akuzat nga më të rëndomtat dhe të shëmtuarat. Kur I mendoj dhe kthehem pas, them gjatë këtyre viteve nuk mbaj mend të jetë sulmuar një politikane grua kur ishte në qeveri 3 muaj rresht non stop me akuza të nivelit më të lartë deri organizatë mafioze e deri te akuzat më banale që bëjnë pis ata që I ndërtojnë për arsyet e tyre.

Ka një thënie: nuk ka njeri më të largët se ai me të cilën dikur ke ndenjur pranë dikur: Mëri, xhelozi, zemërim, qejfmbetje, zili- pse nuk e gëlltiti PD kandidimin tuaj për postin e sekretares së përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal?

Bregu: Nuk i hyj fare kësaj analize. Unë nuk kam dalë nga PD, na nxorrën nga PD0 një grup ku unë isha pjesë. Edhe kur i kthehem sot deklaratave nuk besoj se kam folur kurrë në dëm të Shqipërisë, apo nuk besoj se kam thënë një gjë e cila të jetë jashtë vijës partiake, ose më saktë jashtë bindjeve, besimeve dhe ideve që kisha se si duhet të ishte PD. Sigurisht edhe si duhet të jetë. Por nuk më shqetëson kjo. Unë nuk jam natyrë që nxis sulmin, por as që të mbaj mëri. Shumë gjëra nuk kanë më rëndësi dhe besoj që gjëja më e mirë është distanca. Ka ca gjëra dhe realisht ca njerëz që nuk më interesojnë më fare, po fare fare.

Njerëz të rëndësishëm…

Bregu: Secili e di veten për të rëndësishëm. Nuk më interesojnë fare, as axhenda dhe as njerëz. Jam duke bërë një punë dhe jam tërësisht e fokusuar. Pak rëndësi ka për mua se kush është në qeveri dhe kush do të jetë nesër. Do të jem çdo ditë e fokusuar për të bërë më të mirën, sikur ta shoh Shqipërinë një minutë më afër Europës, një ditë do të ishte shumë. E njëjta gjë vlen edhe për gjërat e tjera, sepse jam e bindur që është e vetmja siguri që mund t’i lemë fëmijëve tanë: Europën.

Distanca dhe pozicioni i ri ju japin një reflektim më të qetë për marrëdhënien tuaj që keni me PD-në. Keni qenë 7 vite Ministre e Integrimit në qeverinë e PD-së…

Bregu: … dhe 3 mandate si deputete. Më japin mundësi sot dhe qartësinë për të mos menduar se i përkas dhe nuk mund të jem pjesë e politikës lokale dhe për t’u fokusuar sigurisht në këtë pjesë të politikës të bërë në një nivel tjetër tashmë. Sepse puna është prapë politike dhe mandate është prapë politik, por njëkohësisht më japin mundësinë e analizës, por kur kam kohë Luti, të them të drejtën. Dita e punës është kaq e gjatë, udhëtimet janë kaq të lodhshme sa ndonjëherë nuk kam kohë. Ndjehem keq kur dëgjoj keq dhe kur më bëjnë pyetje akoma për Shqipërinë, por jam po kaq e qartë se ky vend meriton shumë dhe meriton mbi të gjitha pak më shumë dashuri.

Eshtë një pyetje që ndoshta nuk ua lejon pozicioni të përgjigjeni, por gjithsesi do të doja ta ngrija. Konflikti politik, kriza politike në Tiranë, e cila në një farë mënyre ndikon edhe axhedën e bashkëpunimit rajonal apo axhendën e Shqipërisë në varësi të Brukselit. Keni një koment për situatën në Tiranë?

Bregu: Nuk do të doja kurrë ta shihja sot Shqipërinë në 2019-ën, me të njëjtën dinamikë zhvillimi politik si në ’97-ën.

Kjo është deklarata më e fortë, ’97-ta është momenti më i ulët i tranzicionit të vendit…

Bregu: Prandaj thashë nuk do doja kurrë ta shihja.

7 vite ministre e Integrimit të Shqipërisë, vështirësitë e hapave për t’u afruar me Brukselin…Nëse do të bëja një metaforë, ndoshta jo shumë të qëlluar, por për shkak se mandati i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal është integrimi I rajonit në BE… e shihni më të vështirë detyrën si Ministre e Integrimit të Shqipërisë apo si “Ministre” e Integrimit të rajonit?

Bregu: E di çfarë, unë besoj se çdo njeri duhet të bëj detyrën që ka me përgjegjësi dhe vazhdoj t’i besoj kësaj shumë fort. Vitet si ministre e integrimit të Shqipërisë kanë qenë vite të vështira, por vite shumë të bukura dhe vite rezultatesh, që nga firmosja e MSA-së, statusi i vendit kandidat, pastaj liberalizimi I vizave. Sigurisht që ka qenë një axhendë… anëtarësimi në NATO nuk ishte domein i ministrisë së Integrimit, por sigurisht që ishte prapë një marrëdhëie dhe vendosja e vendit që i takonte Shqipërisë në një organizatë të fuqishme, siç është organizata e sigurisë. Por them që kanë qenë vite shumë të bukura tani shoh që ka sfida shumë të bukura përpara dhe mbase atë që nuk e kuptoja dot aso kohe, ndoshta edhe për shkak të moshës, por edhe për shkak të pasionit dhe yryshit politik, mundohem që ta korrigjoj tani. Dhe besoj që është një eksperiencë shumë e mirë që më vjen në ndihmë. Për më tepër kur arrij ta kuptoj procesin dhe ta shoh edhe nga një këndvështrim tjetër sepse nuk e shoh vetëm si një process për një vend, por e shoh si një process përfitim për të gjitha vendet e rajont.

 Ju merreni me ekonomitë e gjashtë vendeve dhe po të jesh në kryeqytetet e këtyre vendeve të thonë dy gjëra, vendi ynë është shumë i bukur, vendi ynë ka një pozitë gjeostrategjike shumë të mirë. Në të vërtetë emëruesi i përbashkët i të 6-të ekonomive në kuptimin e sfidës është imazhi. Keni menduar si mund… po të përmendësh Ballkan menjëherë të shkon mendja te lufta, trazira dhe njerëz që nuk marrin dhe nuk merren vesh…

Bregu: Për këtë arsye mendoj se është shumë e rëndësishme dhe një nga gjërat që po përpiqemi të bëjmë është që të ndërtojmë një axhendë, e cila të jetë një axhendë delikate, por një axhendë agresive në kuptimin pozitiv, për të promovuar rajonin tonë, nga turizmi deri tek serioziteti i gjithë atyre që përfaqësojnë rajonin, apo i ndërmarrjes përsipër të sfidave që nuk janë të vogla. Ndaj dhe këto marrëveshje që ju përmenda pak më parë dhe jo vetëm, janë të rëndësishme sepse na japin një shenjë të seriozitetit dhe për t’u prezantuar nesër si pasaportë edhe me këtë Europën e institucioneve të reja që do të jetë e pas zgjedhjeve

Me një fjali përmbledhëse. çfarë do të dëshironit të shikonit të përmbyllur në vitin 2019?

Bregu: Dua të shoh të përmbyllur marrëveshjen e roaming-ut, të uljes së tarifave, atë të njohjes së ndërsjelltë të diplomave dhe kualifikimeve. Dua të shoh që të kemi përcaktuar politika të qarta për mbështetjen e të rinjëve dhe të start-up-eve në të gjitha vendeet e Ballkanit Perëndimor, por jo vetëm. Do të doja shumë që të kishim një hov cilësor, por së pari për të përmbyllur këtë historinë e konflikteve përsa i përket çështjes së tregtisë. Dhe njëkohësisht do të doja shumë që të shihja që të promovonim më shumë gra në tregun e punës, se gati tani po më bëhet një sfidë e përgjithshme. Eshtë e turpshme që në rajon 60% e grave nuk janë pjesë e tregut të punës, që do të thotë që ne humbasim në terma realë, pra zhvillimi ekonomik, më shumë se 16% të GDP-së vit pas viti.

Please follow and like us: