Albspirit

Media/News/Publishing

Alisa Katroshi: Më pëlqen të këndoj në shqip, edhe kur jam jashtë Shqipërisë

Alisa Katroshi ka studiuar për kanto, pranë Akademisë së Arteve, Tiranë, ku është diplomuar me rezultate të larta. Në vitin 2005 fiton çmimin e dytë në konkursin nacional “Jorgjije Truja”, ku edhe fiton një bursë nga Instituti Italian i Kulturës për një masterclass në Konservatorin e Veronas. Në vitin 2006 nis studimet në Konservatorin e Veronas, ku diplomohet me rezultate të larta nën udhëheqjen e sopranos Maria Noto. Përpos tjerash ka bërë kurse perfeksionimi me këngëtar botërore si, Mirella Freni, Fiorenza Cedolins dhe Daniela Dessì, etj. Ka fituar edhe konkurse të ndryshme si: Çmimin Antoni Salieri në konkursin e 1 ‘Giovani Musicisti’, fituese e konkursit Internacional ‘Villa in Canto’, Verona, Cmimin e parë si zëri më i mirë në ‘Concorso Internazionale Anita Cerquetti’. Në vitin 2014 ajo është finaliste në Concorso Lirico Internazionale Cav.Davide, dhe fiton të drejtën për të qenë pjesëmarrëse në koncerte të ndryshme në Gjermani.  Repertori i saj përmban një gamë të gjerë me pjesët e kompozitorëve si G. Verdi, G.Puccini, etj. Alisa është pjesë aktive e mjaft ngjarjeve kulturore- artistike në salla të ndryshme prestigjioze në Itali. Jeton prej disa vitesh në Hungari.

Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?

Në të shumtën e rasteve, ky profesion, i këngëtarit operistik, nuk është i mirëllogaritur. Është shumë i lidhur me cilësitë e zërit që është vokacioni që na është dhuruar nga prindërit apo perëndia, (për ata që besojnë) sikurse është edhe rasti im.

Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?

Janë tre momentet më të rëndësishme:

A. Kur isha duke kënduar në TKOB, në moshën 12-vjecare në korrin e fëmijëve në operën “Toska” dhe ndjeva se rruga ime duhet të vijonte, duke kënduar rolin e Toskës në skenë.

B. Fitimi i konkursit të parë kombëtar lirik “Jorgjia Truja”, që ishte dhe hera e parë për mua që konkurroja në një konkurs për këngëtarë lirikë dhe hera e parë që këndoja si soliste në një publik të gjerë shqiptar. Fitimet e shumë konkurseve internacionale për këngëtare lirikë në Itali.

C. Takimet dhe vlerësimet e marra nga sopranot me famë botërore si Mirela Freni, Daniela Desi e Sylvia Sass.

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?

Po ashtu mendoj edhe unë se nuk ka vetëm një çelës suksesi të unifikuar për të hapur çdo derë suksesi, por mund të them se në rastin tim çelësi ka qenë bashkimi i talentit, punës, pasionit për operën.

Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?

Sfidat në këtë lloj profesioni janë të shumta dhe të përditshme. Jemi gjithmonë brenda tyre në konkurse e audicione. Një nga më të vështirat në jetën time ka qenë dhe shkëputja nga Shqipëria nga familja ime dhe jetesa vetëm në Itali, në fillim në shkolle e më pas me aktivitete në Itali, Gjermani e vende të tjera të Europës.

Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?

Zgjedhjet e mija kanë qenë gjithmonë të lidhura me dashurinë dhe pasionin për ta bërë këtë profesion. Mendoj se lumturia më e madhe në jetë është të luftosh të arrish atë dëshiron të bësh në jetë.

Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset? 

Në fakt kjo është edhe një nga cilësitë e një Artisti të mirë të arrijë gjithmonë të tejkalojë veten. Në këtë rast dua t’ju jap tre shembuj, ku unë nuk kam qenë plotësisht koshiente, por kjo ndoshta ka ndihmuar edhe artin tim të më bëjë ta tejkalojë vetën:

1.Rasti kur isha fituese e një konkursi lirik internacional në Verona, ku fitohem të debutoj në rolin e Mimisë në operën “La Boheme” të G. Puccinit. 2 Rasti kur isha fituese e konkursit internacional në Genova, me një juri vetëm me artistë dhe manaxherë gjemanë që më dha mundësinë të performoj në disa qytete të Gjermanisë. 3 Rasti kur sopranoja e famshme botërore Sylvia Sass e quajti interpretimin tim në një nga koncertet në Budapest si një ka interpretimet më të larta me nivel botëror.

Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme,  të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?

Kam qenë një nga njerëzit që nuk doja të shkoja nga Shqipëria edhe pse me koncerte kisha vizituar që në moshën 14-vjeçare Italinë, Zvicrën, Greqinë edhe pse isha e vetëdijshme për problemet dhe vështirësitë që ishin në atdhe. Më pëlqen të them se jam nga Shqipëria, kudo që jam në botë. Më pëlqen të këndoj në shqip edhe kur jam jashtë Shqipërisë dhe kam kënduar në disa qytete të Italisë dhe në Budapest. Më pëlqen akoma më shumë të këndoj e kritikohem në Shqipëri. Kur këndoj në Shqipëri jam në shtëpinë time dhe me duket vetja më e realizuar kur vlerësohem në atdhe, sesa kudo tjetër.

Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm? 

Mendoj se jemi një nga pak vende në botë me kaq shume cilësi që të tjerët na u kanë zili. Një nga cilesitë që mendoj të kem si trashëgimi nga Atdheu është të qenit e dashur dhe e sjellshme, e hapur në komunikim me të huajt dhe mendoj kjo më ka ndihmuar dhe të integrohem me botën e jashtme.

Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?

Ne rastin tim personal emigrant ka qenë të shkoja nga Tirana në Verona dhe me pas nga Verona në qytete të ndryshme të Italisë, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të Europës.

Të isha emigrante në fillim i vetmi problem ishte ai burokratik, i dokumenteve, që kisha për shkollë t’i kaloja për punë kështu nuk do të kisha problemin e pjesëmarrjes në konkurse.

Moralisht jam trajtuar dhe ndihmuar nga dashamirës italianë, sikur të isha një prej tyre dhe ndoshta edhe me më shumë respekt.

Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?

Mendoj se përmirësohet duke dashur të bashkëpunohet me mendje të hapur, pa friken e konkurrencës dhe me dashurinë për të bërë art më të mirë, duke ndërthurur eksperiencat dhe kulturat e mara nga artistet jashtë vendit.

Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?

Ashtu siç e thashë edhe në pyetjen e mëparshme e konfirmoj edhe këtu se duhet të funksionojë ndryshe bashkëpunimi me të gjithë ata që kanë studiuar dhe zhvilluar aktivitet jashtë vendit. Të jenë të mirëpritur të bashkëpunojnë të shkëmbejnë artin dhe kulturën e marrë në vendet e huaja. Kjo mendoj se do të ndihmojë jo vetëm në zhvillimin e artit dhe kulturës po edhe në fusha të tjera. Të ketë kritikë profesionale e marketing më shumë në art, muzikë, opera e kudo.

A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare? 

Diaspora si në rastin e Shqipërisë është nga më të mëdha që mund të ekzistojnë. Dhe për këtë kam mendimin se qeveria duhet ta vazhdojë qasjen e ndërmarrë ndaj diasporës dhe të ndihmojë e mbështesë organizimin e eventeve të ndryshme kulturore tradicionale se vetëm kështu mund të transmetojmë kulturën dhe traditat shqiptare brezave të rinj dhe jo vetëm, por edhe të huajve për të njohur traditat dhe kulturën dhe  për t’u nxitur kureshtjen për të vizituar Shqipërinë.

Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen? 

Në javën e parë të qershorit do të jem e ftuar të performoj në Radion Kombëtare të Portugalisë “Antena 2” në Lisbonë. Në mes të korrikut, në datat 13.14, do të jem e ftuar në dy koncert prestigjioze me repertor italian në Gjermani, në qytetet Frankfurt dhe Darmstadt.

Në gusht do të jem në Italinë e jugut ne qytetin Katania për një koncert.

“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim) ?

Ju uroj sukseset më të mira të gjithëve!

Ju uroj ta duan profesionin dhe punën e tyre kudo që janë dhe njëri-tjetrin. Ju uroj që emri i shqiptarëve dhe virtyteve të tyre  të dëgjohet në botë, gjithmonë vetëm për mirë dhe çdo njëri prej nesh të mundohet  të punojë mirë për ketë.

Ju falënderoj “The Albanian” për intervistën dhe ju uroj shume suksese në punën tuaj.

“The Albanian”

Please follow and like us: