Albspirit

Media/News/Publishing

Ndryshimi i sistemit na shpëton edhe nga ‘Avdylët’

Arben Rrozhani

Disa përgjime të reja për shitblerjen e votave gjatë zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017 u publikuan sot. Qeveria, përmes kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja, kërkoi hetime për nxjerrje të sekreteve të një dosjeje (339/1) që është në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërsa PD dhe LSI e përdorën transkiptimin si prova më bindëse pse Edi Rama duhet të japë dorëheqjen, bashkë me ministrat e tij dhe t’i hapë rrugë një qeverie tranzitore. Dosja në fjalë nuk është e re, ashtu siç nuk është e re historia shqiptare 25-vjeçare e krimeve elektorale. Duke përdorur këtë si alibi, por edhe zgjedhjet e parakohshme vendore në Dibër, PD dhe LSI dorëzuan mandatet parlamentare dhe prej javësh kanë bërë shtatë protesta në Tiranë, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës.

Shitblerja e votave nuk është e re dhe nuk e shpiku Rama me të tijtë. Ai vetëm e ka perfeksionuar atë, si çdo të keqe tjetër që më parë e ngriti në sistem Berisha dhe të tijtë. Madje edhe ata që përdoren janë të njëjtët. Avdylët, përpara se të bëheshin me PS-në e Ramës ishin me PD-në e Berishës. Si në shumë raste të tjera, kur bota e krimit kërkon të jetë në shërbim të pushtetit, që të mos e trazojnë, të ketë mbrojtje politike dhe ajo t’ia shërbejë duke blerë vota, intimiduar votuesit kundër dhe garantuar maksimalizim të ‘votave kriminale’. Në rast rotacioni të pushtetit, fituesi do të harrojë akuzat dhe do të kërkojë t’i përdorë po këta, siç bëri kundërshtari politik.

Ky është mjerimi i sistemit elektoral ku është katandisur Shqipëria, ku vota e lirë dhe e barabartë ekziston vetëm në raporte, por jo në realitet. Kjo e bën të domosdoshëm çlirimin e votës së shqiptarëve nga kthetrat e partive, komisionerëve të tyre grabitqarë dhe sekserëve që shesin e blejnë votat si në pazarin e gjësë së gjallë. Opozita e sotme që kërkon një qeveri të re tranzitore, pa Edi Ramën kryeministër, nuk e ka në plan pastrimin e zgjedhjeve prej Avdylëve dhe hajdutëve të tjerë fundorë të votës së shqiptarëve. Ajo është për këtë sistem, përderisa nuk ka një projekt të vetin për të lëshuar administrimin e tyre nga KQZ-ja, KZAZ-të e deri te Qendrat e Numërimit të Votave.

Ajo po kërkon thjesht një qeveri për të bërë zgjedhjet pa Ramën kryeministër, por duke mos cenuar asgjë nga infrastruktura kriminale e shitblerjes së votës, intimidimit të votuesve dhe detyrimit të votës pro partisë në pushtet të punonjësve të administratës dhe familjarëve të tyre, në këmbim të vendit të punës. Këto tipare kriminale të votës së administruar nga PS, PD dhe LSI zhbëhen vetëm me zbatimin e Paktit Kombëtar të propozuar nga partia ‘Zgjidhja’, me formimin e një qeverie teknike që do të kryejë reformën kushtetuese dhe zgjedhore dhe çlirimin e zgjedhjeve nga administrata partiake. Ndryshe Shqipëria do të mbetet po në këtë krizë ciklike dhe do të ndryshojnë vetëm urdhëruesit, por jo zbatuesit e projektit për krimet elektorale të radhës.

 *Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’

Please follow and like us: