Albspirit

Media/News/Publishing

DUELE PËR DASHURINË E MBRETËRESHËS KOHA

Image result for astrit gjunkshi

Dr. Astrit GJUNKSHI

Ajo kishte qenë shumë e bukur në moshën e adoleshencës, aty nga viti 1992. Në atë vit, në kryesheshin e kryeqytetit të Mbretërisë ishin mbledhur një mizëri djem të rinj dhe burra të pjekur, por edhe gra. Që të gjithë çmendeshin pas saj dhe kërkonin ta bënin për vete jo aq për bukurinë, por për magjinë që ajo kishte: ishte provuar nga historia se, po të të dashuronte kjo vajzë-grua me emrin Koha, do të arrije të fusje në dorë Mbretërinë dhe të fitoje fuqi pafund. Dhe, me një fuqi të tillë, ajo do të dukej edhe më e bukur për atë që e fitonte. Edhe gratë ishin futur në këtë garë- e dinin se në Europën që ëndërronin lejoheshin edhe martesat brenda së njëjtës gjini…

Koha kujtonte atë vit, dhe 27 vitet e tjera më pas, kur pretendentët i bënin me zë të lartë aq shumë premtime në deklaratat e tyre të dashurisë. I premtonin se do t’ia bënin jetën parajsë. Edhe pse premtimet ndryshonin, një nga premtimet që e bënin të gjithë ata ishte se do të jetonin bashkë me të si në Europë, në një pallat prej diamanti transparent të quajtur….e kishte harruar… por me sa i kujtohej, mbaronte në fund me fjalën Kraci.

Kishte zgjedhur në atë vit t’i falë dashurinë një burri që iu duk serioz dhe quhej Misha. Jetoi mjaft vjet me të dhe arritën të bëjnë mjaft gjëra në Mbretëri: ndërtuan rrugë, zgjeruan marrëdhëniet me mbretëri të tjera të botës, zhvilluan teknologjinë, mediat dhe reformuan institucionet… natyrisht sipas oreksit të mbretit. Por, Koha mbeti e pakënaqur, sepse i pakënaqur mbeti një pjesë e madhe e popullit. Dhe doli një princ tjetër pretendent, i quajtur Tano, që i kërkonte ta dashuronte atë dhe të linte Mishën. Ajo u bind nga elokuenca e tij dhe iu mbush mendja t’ia falë Tanos dashurinë. Ai ishte disi më xhentil se mbreti i parë dhe bashkëjetuan për disa vite. Por gjendja në Mbretëri pak ndryshoi. Njerëzit ankoheshin thuajse për të njëjtat gjëra, sidomos për shpërdorimin e fjalës «meritokraci»…

Një rival i fortë për të marrë Mbretërinë doli ndërkaq në skenë, princi Tedi, që ishte kushëri i Tanos. Ai arriti t’i fitojë zemrën Kohës dhe pritej që të ngjitej në fron. Por Koha nuk ishte ende gati për të. Atëhere kur nuk pritej, ajo mendoi që të kthejë sërish në fron Mishën që kishte edhe një vëlla më të vogël me emrin Toli. Pak nga pak, Misha po i jepte Tolit mjaft atribute të pushtetit dhe pritej që ai të zinte fronin. Por, me një lëvizje të papritur, pas një dueli të fortë me Mishën dhe Tolin bashkë, ishte Tedi që fitoi zemrën e Kohës dhe tani jetojnë bashkë prej 6 vitesh. Por, në zemrën dhe mendjen e Kohës rri pallati i kristaltë i ëndrrës së saj: pallati Kracia si në Europë. Ndërsa ajo dhe populli i saj vazhdojnë të jetojnë mes të mirash dhe mungesash në një pallat prej betoni në Mbretëri, në periferi të Europës, pallat që i kanë vënë emrin Tranzikraci. Edhe kjo me «kraci» mbaron, por ngjan pak me atë pallatin e kristaltë «…Kraci », që ia ka harruar katër shkronjat e para!

Koha vuan sidomos nga hapësira e vogël me pak dritë që zë drejtësia në Mbretërinë e saj. Dhe mendon se aty qëndron Thembra e Akilit që Mbretëria nuk bëhet dot Europë dhe që popullit i ka humbur shpresa. Sot, është princi Toli që po troket fort çdo javë në derën e pallatit mbretëror dhe e fton mbretin Tedi në duel. I thotë të ikë sepse bashkëpunon me njerëz që kanë probleme me drejtësinë dhe se po manipulon çdo gjë në mbretërimin e tij. Tedi ka rinovuar mjaft sheshe, rrugë e shkolla të Mbretërisë dhe ka treguar dorë të fortë për t’i dhënë hapësirë drejtësisë në Mbretëri. Ka hapur mjaft dritare që të hyjë më shumë dritë, por, ndërkaq, ka mbyllur disa të tjera. Dhe Toli po reagon ashpër për sukseset e tij, duke e akuzuar se drejtësia që ai po bën është për vete dhe për njerëzit e tij më të afërt.

Kështu Koha, duke ndërruar bashkëjetuesit e saj mbretër, ka mësuar të zgjedhë gjithnjë si mbret atë që i duket e keqja më e vogël. I ka humbur edhe asaj bashkë me popullin shpresa se do të gjejë një mbret që të rinovojë pallatin e Tranzikracisë sipas modelit të pallatit europian të “…Kracisë”, duke zëvendësuar muret prej betoni me mure të kristalta e transparente, që do t’i jepnin dritë e frymëmarrje drejtësisë. I lindi asaj një shkëndi shprese në dhjetorin e kaluar, kur dëgjoi stundentët të ngrihen me kërkesa të ashpra për të rinovuar pallatin Mbretëror. Mendoi se midis tyre mund të gjente mbretin e duhur. Por… edhe zërat e tyre u shuan si flakë kashte.

Tashmë Koha ka mbetur në udhëkryq me martesat e saj të palumtura me princa që i bën mbretër, të cilët vetëm i marrin asaj por pak i japin. Mbi të gjitha, nuk po gjendet njëri prej tyre që të rinovojë siç duhet, të bëjë prej kristali pallatin e Tranzikracisë, njëlloj si pallati i …Kracisë në Europë. Po, iu kujtua me ne fund emri i plote i atij pallati: quhej DemoKraci!

Por, duket se, edhe Koha vetë nuk është pa faj. Në mungesë të një mbreti të vërtetë europian, ajo duhet të kishte arritur të pjellë një princ për të qenë. Por, për këtë, duhet të kishte mbetur shtatzënë. Ama jo me mbretërit e deritanishëm, sepse pjella e tyre do të kishte të njëjtat deformime gjenetike. Duhet të bënte diçka siç kishte bërë Shën Maria: të mbetej shtatzënë me frymën e shenjtë që të lindëte një princ, një Mesia, që të mbushte me dritë pallatin mbretëror dhe tërë Mbretërinë. Mbase ajo përpiqet për këtë, por mbase dhe Koha don kohën dhe hapësirën e duhur për të bërë një mrekulli të tillë…!

Tirane, 09 Qershor 2019.

Image result for astrit gjunkshi

Please follow and like us: