Albspirit

Media/News/Publishing

Ema Andrea: Lukunitë puritane facebukiane lë të shtëngojnë gurët!

Image result for ema andrea

 

Meqënëse po bezdisem, si rrallë herë nga lukunitë e facebook, që nxjerrin përfundime mbi mua e veprat e mia, a mund të më thoni se për cilën parti paskam bërë fushatë?

Kujt partie i paskam shërbyer dhe kur?

Kur paskam firmosur për prishje e ndërtime?

Nuk mbaj mend të kem qenë ministre ndërtimi ndonjëherë.

Në këtë vend, u dashka ti përkasësh patjetër një grupi, më keq akoma një partie, në mendim e mënyrë jetese, ndryshe nuk ekziston veçse mes fjalorëve përjashtues!?

Çfarë tjetër do shpikë mendja juaj e liruar në facebook? A shkoni në punë? A keni halle e probleme tuajat ju, që keni kaq shumë kohë për trille mbi jetën e tjetrit?

Dy fjalë pra:

Edhe sikur t’i kisha bërë,  do kishin qenë zgjedhje të miat për të cilat do flisja me zë e me figurë në vetë të parë njëjës, pa bërtitur, ashtu si nuk kam bërtitur, kur më lanë vetëm “se mos i hiqnin nga puna”, “se duhet të merrnin rrogën” kur kërkova dinjitet për gjithë profesionistët apo kur kërcënohesha portalesh se i kisha kundërshtuar tjetrin idhull pa krye (edhe pse më falenderonin fshehurazi)!

Kur “hakmarrjet” e mendjeve mediokre me pak e shumë pushtet trondisnin ekzistencën time profesionale, sepse kërkoja atë që më përkiste e më përket, sërish vetëm dhe sërish nuk bërtita e as kërkova mëshirë as në parti e as në grupe pushteti!

Nuk kam bërtitur, sepse s’më kanë pëlqyer kurrë tenxheret bosh!

Unë kam gjuhën time e mjetet e mia për t’u përballë çdo ditë me problemet e mia dhe të shoqërisë, e s’kam nevojë as të jem me Hitlerin për të mundur Stalinin e as anasjelltas e as të luaj kukamfshehti!

S’kam nevojë të jetoj në grup për të ruajtur parimet. Nuk mi kujton e nuk mi mbron dot askush më mirë se unë me zgjedhjet e mia në çdo akt të përditshëm social e profesional dhe s’kam nevojë për asnjë përkatësi e grupim që të më ruajë dinjitetin, i cili përket mua dhe zgjedhjeve të mia, jo gjithmonë të lehta!

Kontribuoj për këtë shoqëri çdo ditë që prej ditës që erdha në mend (u rrita) aq sa kam mundur e si kam mundur!

Nuk i mbledh parimet për flamur fushatash e as për lapidar, sepse nuk mendoj se qënia sociale krijohet me fushata të asnjë lloji!

E mbi të gjitha nuk kam nevojë për pushtet politik e ekonomik, nuk kam nevojë të blej askënd e as të shërbej e të përulem për të patur atë që meritoj! Nuk kam nevojë të var talentin tim, aftësitë e mia në kremastarin e asnjë partie!

Nuk besoj në asnjë grupim politik që thërritet si përkatësi e një lideri e jo si përfaqësi e një grupi me vizion apo ide të përbashkëta!

Nuk besoj në asnjë idhull artificial, në asnjë idhull që sundohet e sundon prej frikës!

Të vërtetën e të drejtën e gjykimit për mua e ka Tjetërkush!

Lukunitë puritane facebukiane le të shtëngojnë gurët!

Please follow and like us: