Albspirit

Media/News/Publishing

JENI SHUMË I VONUAR ZOTI PRESIDENT, SË BASHKU ME KËSHILLTARËT TUAJ!

 

Dr. Astrit GJUNKSHI

 

Sot, presidenti i Republikës shpalli dekretin për një date të re të zhvillimit të zgjedhjeve lokale, më 13 Tetor 2019. Dhe këtë e bëri vetëm dy ditë para zgjedhjeve të datës 30 qershor, dekretuar që në nëntorin e vitit të shkuar. Shumë vonë, je shumë i vonuar zoti President! Nuk i lejohet një presidenti të zgjasë kaq shumë ndërhyrjen e tij, gjoja për të ulur tensionin, ndërkohë tensioni midis dy kampeve të politikës ka disa muaj që zien, duke prodhur kosto jo të vogla politike, sociale, ekonomike, psikologjike dhe dëmtim të imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë!

Përse nuk dekretuat një datë të re zgjedhjesh me të njëjtin dekret me të cilin anulluat zgjedhjet e 30 qershorit disa javë më parë? Ose, të paktën, ta kishit shpallur këtë dekret të tretë shumë më herët, mbase pak ditë pas dekretit të dytë. Keni kaq shumë përvojë politike zoti President, keni dhe një ushtri të tërë këshilltarësh për të gjithë sektorët, si politik, juridik, ekonomik, diplomatik, dhe dikush prej tyre duhet t’ju kishte këshilluar.

Personalisht, i shqetësuar nga zgjatja e krizës politike dhe nga tensioni social në rritje, pasi prita mjaft kohë që jutë bënit diçka për të ndërmjetësuar, 10 ditë më parë unë e bëra një propozim për një dekret të tillë të tretë zoti president. Pra afro 10 ditë para jush dhe këshilltarëve tuaj! Mund ta gjeni të publikuar në portalin ‘Albspirit’ të datës 19 qershor 2019, me titull “Urgjenca e një dekreti të tretë presidencial”. Merrni mundimin ta lexoni të paktën tani zoti president, bashkë me këshilltarët e tu. Aty do të lexoni se unë kam propozuar pikërisht një datë në fillim të muajit tetor si datë të re të zhvillimit të zgjedhjeve, duke argumentuar se ajo duhet të paraprinte vendimin e BE-së përhapjen e negociatave. Njëlloj siç ju argumentuat sot. Por aty do të mësoni edhe ndonjë mendim tjetër që mund t’iu vlejë për më tutje, për periudhën pas 30 qershorit! Dhe këtë jua them modestisht, ju bëni si të doni.

Natyrisht, tani është vonë që sugjerimet e mia, përfshi edhe nga shkrime të mëparshme, të japin efektin maksimal. Ato duheshin shfrytëzuar në kohën e duhur, javë më parë. Gjithsesi dyshoj edhe në arsyen që ju shtyu të vendosni kaq vonë për këtë datë të re të zgjedhjeve. Dyshimi im qëndron në dëshirën e vërtetë që mund ta keni patur ose jo që kjo datë e re të zgjidhte situatën e tensionuar. Fakti që nuk ndërhytë, para së gjithash tek opozita që ajo të hiqte dorë nga kërkesa e saj ultimative për dorëheqjen e Kryeministrit, ngre dyshime se ju nuk keni dashur që të mbetej kohë e mjaftueshme për të ulur dy palët në tavolinë.

Me sa kuptoj, opozita ra sot dakord për datën e retë 13 Tetorit, besoj se pa kërkesën që kryeministri të largohet. Sepse, po të qëndrojë përsëri ajo kërkesë, edhe sikur të supozojmë se mazhoranca do të pranonte shtyrjen e 30 qeshorit, ajo nuk do të binte dakord për datën 13 Tetor. Si do të bëhej atëhere, apo në atë rast, sërish do kishim zgjedhje vetëm me pjesëmarrjen e njërës palë, pra të opozitës, sepse mazhoranca do të bojkotonte? Pra, me përcaktimin e datës së re kaq vonë, pa rënë dakord që më parë të dy palët, ju nuk keni zgjidhur asgjë, veçse e keni thelluar krizën!

Zakonisht, ai që ka qëllime të pastra, vepron më shpejt, arsyeton qartë, konsultohet me transparencë me palët dhe vendos njëherë e mirë, pasi i ka konsumuar të gjitha alternativat.

Duke ju adresuar ju, zoti President, më lejoni t’iu them se këtë e bëj vetëm me dëshirën e mirë për t’u vënë gjërave emrin e vet. Nga ana tjetër, është rasti për t’u përsëritur atyre që do të duan të etiketojnë këtë qëndrim timin me ngjyrën e njërës apo të tjetrës parti se unë nuk jam rreshtuar me asnjërën prej tyre. Unë jam rreshtuar vetëm me të vërtetën, sepse nuk do ta kisha vështirë të bëja karrierë në njërën apo tjetrën parti.

Duke kritikuar qëndrimin e vonuar tuaj dhe të opozitës, dënoj gjithashtu edhe arrogancën e mazhorancës, veçanërisht për të mos pranuara sgjë nga përgjimet që u bënë të njohura për deformimet e zgjedhjeve të kaluara. Prandaj unë kam vendosur që të mos marr pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit. Para së gjithash, do të shpresoj që e gjithë elita politike e të dy krahëve të pësojë reformim të plotë dhe të zëvendësohet.

Në përfundim dua të theksoj se njerëzit duhet të fillojnë të dëgjojnë mendimet e njerëzve që përdorin logjikën dhe jo pasionin politik. Qëndrimet ekstremiste, goditjet e intelektualëve të pavarur, shfryrjet mediokre të njerëzve që kërkojnë gjithçka ose asgjë nuk të shpien gjëkundi, siç e tregoi edhe kjo krizë e fundit. Aksioni demokratik është i nevojshëm për të çuar demokracinë përpara, por ky aksion duhet paraprirë nga shqyrtimi i të gjitha alternativave, me mendim racional. Njerëzit ekstremistë, të paformuar politikisht dhe intelektualisht, apo të shtyrë nga interesa të vogla personale i prishin gjithnjë punë të ardhmes së demokraci së  vërtetë.

 

Tiranë, më 27 qershor 2019

 

Autori është Doktor i Shkencave për Siguri Globale, mban MSc për sigurinë nga Cranfield University i Britanisë së Madhe, diplomë universitare dhe pasuniversitare në matematikë, është autor librash dhe shkrimtar. Ka shërbyer si Ministër Këshilltar në Delegacionin e Përhershëm të Shqipërisë në NATO.

 

Për të lexuar apelin ndaj presidentit, lexoni linkun e mëposhtëm:

URGJENCA E NJË DEKRETI TË TRETË PRESIDENCIAL

 

Please follow and like us: