Albspirit

Media/News/Publishing

Shkrimtari Charles Dickens dhe ndikimi i veprës së tij

Image result for mimoza koka

 

Mimoza Koka

 

 

 

 

Këto kohë kam menduar për veprat artistike që kanë ndikuar në adoleshencën dhe rininë tonë të hershme dhe veçova shkrimtarin Charles Dickens (1812-1870). Po shkruaj disa konsiderata për mënyrën se si ai ka ndikuar tek brezi ynë.

Charles Dickens është një shkrimtar tepër i talentuar, që shkroi vepra të rëndësishme në epokën viktoriane. Gjatë jetës së tij ai njohu një popullaritet të jashtëzakonshëm. Ёshtë i vetmi shkrimtar i kohës që i lexonte veprat e tij në publik. Në provinca të Anglisë, një herë në javë pritej të vinin fashikujt e veprave që ai shkruante. Aq i madh ishte popullariteti i tij, sa ai la në hije dhe nuk u vlerësua shumë sa ishte gjallë një shkrimtar tjetër i madh anglez, William Thackeray (1811-1863) dhe vepra e tij e rëndësishme “Panairi i kotësive”.

Stefan Zweig, (1881-1942), shkrimtar dhe biograf austriak, ka një monografi tepër interesante për Dickens. Aty ai thekson se pikërisht popullariteti, pra fakti që iu përshtat kërkesave të kohës, bëri që talenti i tij të dëmtohej. Ai e krahason Dickens me Guliverin, që megjithëse ishte gjigant, u lidh nga liliputët (vepër e Jonathan Swift).

Pavarësisht kësaj, vepra e tij ka ndikuar shumë tek unë. Kanë ndikuar pikërisht humori, satira, vëzhgimi i hollë i personazheve dhe i jetës shoqërore. Kujtoj mënyrën se si ai i përshkruan personazhet, mjafton një gjest, një tipar apo një zakon që personazhi të përvijohet përfundimisht.

Le të kujtojmë këtu, Anjezën e mençur gjithmonë me çelësa në duar që menaxhonte aq qetësisht Dorën delikate, teze Betsin me qëndrimin e drejtë dhe krenar,Tomin me flokët qe nuk i kriheshin kurrë, simbol i miqësisë, Pegotin me faqet e kuqe si mollë, saqë Davidit të vogël i dukej gjithmonë se do t’ja ҫukisnin zogjtë, Dikun shpirtmirë që ndërtonte balona, gjithmone në rast se mëndja nuk i fluturonte te Karli i IX, Rozën diabolike me shenjën në buzë, që i shtohej bashkë me diabolizmin, Dombin i cili nuk shikonte kurrë në sy nga krenaria dhe fodullëku, gjë që e ҫoi në shkatërrim, Klarkun, me të qeshurën në të cilën vezullonin një rresht dhëmbësh të bardhë dhe të shtrënguar fort, që shkatërroi Editin dhe Dombin, si dhe fërkimi i duarve të Uriah Heep-it, që është bërë simbol i së keqes dhe i servilizmit, etj, etj.

Ajo ҫka u bë shkas për këto shënime është fakti se ky shkrimtar ka një ndjeshmëri të thellë ndaj karaktereve demoniakë dhe sadistë. Në veprat e tij, ai ka përshkruar sidomos një sërë drejtorësh, mësuesish dhe kujdestarësh të shkollave të rrethinave të Londrës, dhe në provinca të Anglisë, që abuzonin me fëmijët. Pikërisht prej kësaj fëmijët më tepër deformoheshin se sa formoheshin. Aq shumë e preku ndjeshmërinë popullore me këto përshkrime, saqë qeveria e kohës u detyrua të ndërmarrë reforma të thella në të tilla shkolla.

Kanë qënë këto përshkrime që kanë bërë që mua personalisht të më rrënjoset një neveri ndaj karaktereve demoniakë, diktatorialë dhe sadistë.

Duket sikur Dickens i bëri një paralajmërim shekullit të 20-të, që në fakt nuk u mor parasysh. Shekulli i njëzetë, përpos arritjeve shumë të mëdha, në raport me liritë dhe të drejtat njerëzore shënoi një regres të thellë. Dhe kjo sepse i la punët dhe detyrat e shoqërisë në duar të sadistëve të tillë si Hitleri, Stalini, apo diktatorë të niveleve më të ulëta në lindje dhe në perëndim, por sidomos në lindje.
Pavarësisht se talenti i tij nuk konsiderohet gjenial, tek unë ka ndikuar shumë me humorin, ndjeshmërinë, pse jo dhe me sentimentalizmin. Natyrisht, kur e lexoj sot kam të tjera ndijime krahasuar me rininë, por mund ta lexoj dhe ta vlerësoj në të njejtën mënyrë. Këto shënime morën shkas pikërisht nga rileximi i romanit të tij “Dombi dhe i Biri”.

Please follow and like us: