Albspirit

Media/News/Publishing

Për kufijtë e Kosovës, Kryeministri lau duart si Pilati, Kryetari i opozitës nuk ekziston

Fotografia e Jozefina Topalli

Jozefina Topalli 

 

Prej disa javësh Presidenti Thaçi dhe Vuçiç flasin për ndryshime kufijsh. Ditët e fundit, dueti ka hyrë në procesin e shkëmbimeve të territoreve…

Kundër kësaj ka dalur hapur Gjermania e Britania duke tërhequr vëmendjen për rrezikun e madh që mund të shkaktojë prekja e kufijve.

Brukseli përsërit vazhdimisht që “ne duam garanci që të mos cenohet stabiliteti i rajonit”. Ndërkohë me erën e Trumpit, SHBA ka një qëndrim më pragmatist, por duke bërë kujdes e duke kërkuar që gjëja të mos përshkallëzohet në luftë në rajon.

Ndërkohë me ndonjë përjashtim të rrallë politikanët shqiptarë kanë folur me vonesë ose vazhdojnë të heshtin, thua se bëhet fjalë për kufijtë e Afrikës dhe jo të kombit tonë; thua se nuk kemi humbur boll nga territoret tona; thua se kufijtë u ndryshokan me lehtësinë me të cilën njeriu ndërron trotuar; thua se korigjimi do i sillte Kosovës tokë serbe, kur në fakt flitet me ba pazar vetëm me tokë shqiptare. Serbia në çdo rast luan vetëm me qarin.

As sot në takimin informal të kryeministrave (të munguar) të rajonit nuk u fol për atë që po ndodh, me përjashtim të Hajredinajt. Thua se kufijtë janë çështje e dorës së fundit…ku e ku më pak e rëndësishme se roaming në rajon që nuk i hyn kujt fort në punë…

Kosova i ka kufijtë e saj tha natyrshëm Kryeministri i Kosovës edhe në konferencë shtypi.

Kryeministri shqiptar nuk tha se ishte dakord me Hajredinajn.

Në përgjigje të pyetjes për ndryshime kufijsh, ai tha se e mendonte si Hani, i cili praktikisht bëri kujdes të mos të angazhohej në deklarata.

Sot Rama ngjasonte si Pilati.

Lau duart. Nuk kishte gjë me thënë për kufijtë shqiptarë, ndërkohë që tha se nuk mund të ishte indiferent ndaj emigrantëve që vijnë nga Afrika.

Duke u kthyer tek Thaçi.

Integriteti territorial i një vendi nuk është e nuk mund të jetë në dorë të një njeriu. Ai është i përcaktuar në dokumentat themeltare të vendit, në Kushtetutën e Kosovës, në dokumentat ndërkombëtare. Çështja e kufijve nuk është çështje as e dy personave dhe as e dy vendeve. Rrezja e influencës së saj shkon përtej rajonit dhe Europës. Ajo bëhet globale. Prandaj asnjeri as ka të drejtë, as ka mandatat me hedh në pazar tokat shqiptare.

Sa për heshtjen epike të kryetarit të opozitës në Shqipëri për çështjen e kufijve, mos ia vini re…ai nuk ekziston.

Please follow and like us: