Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Është dimër, mikja ime!

Fotografia e Sadik Bejko

Është dimër mikja ime është dimër
në fusha, në male dimër, ngado dimërim
Është stina mikja ime, stina e të ftohtit
ngrohtësi pak ngrohtësi
Pak diell mbi fytyra mbi ish-njerëz
Mbi fytyra shtrembëruar nga të ftohtit rrëqethës.

Fushat kanë marrë ujë në brinjë
E malet lidhur kokën me qefine reje
E ne jetojmë në një qytet rrëshqitës
Tmerrësisht rrëshqitës, tmerrësisht të gurtë
Në jashtë kohë, në jashtë stinë, jashtë feje.

Këtu ujërat rrëshqasin se guri s’i mban në rrëmbe
Era rrëshqet e të merr fjalën nga buza
Bukuria rrëshqet si loti në fytyrën tënde
Këtu është një lëmim ngjethës, i ngrirë
Një gri tmerrësisht e thatë, e shtrirë.

Me ç’guxim më vjen ti e ngrohta e qelqta
Me ç’frymim m’i thur ëndrrat arabeska
Me ç’guxim të drithëron drita në sy
Ç’ qiellëzim të ndriton, të yllëzon ty?
Ky është vendi i thyerjeve, i rrëshqitjeve
I nëpërkëmbjes, i pështymave gri.

Me ç’guxim guxon, njerëzon ti…
1980

Please follow and like us: