Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Taip Sulko!

Fotografia e Izet Duraku

KËNGA E NJERIUT

Në gurë durimi jam shkruar,
në zemër të gurit
përvijuar si lule, si zog, si gjethe shprese.
Nga guri kam dalë, por jam shpirt përqafimi,
Zotit i ngjaj, sepse ai kështu më deshi…

Unë vdes dhe ringjallem, si stinët,
shembëlltyrë e Hyut,
Grimcë që s’prishet, joshë që etja e vërvit.
Marr plagë e ligështohem,
goditem, por prapë ngrihem
E s’e prish fytyrën që më dhanë Perënditë.

E MBAJ FRYMËN QË TI TË SHFAQESH

Unë e mbaj frymën që ti të shfaqesh,
si atë të shtrenjtën. E mbaja frymën
e ajo mugollehej, përhapej e më pushtonte si shpirt.
Erëmim i brishtë shprese në dejet e mia,
degë agavie që tundet e freskët, e qetë mbi hon,
trumëz bari që ma bën me dorë që poshtë ujit,
nuk doja të vdisja ndaj e mbaja frymën.
Kur ti vonohesh, e ndal kohën time që ti të shfaqesh,
një me detin që merr frymë nga thellësia
dhe rrobën e kuqe të dashurisë që lëkundet në telat e shpresës
e gatshme të më ngrohë përsëri.

NJË DJALOSH NË TRISHTIMIN E SHIUT

Një djalosh në trishtimin e shiut ende luan mbi kitarë
Nga cullufja e varur, nga maja e hundës, nga mjekra
trishtim si i shiut rrjedh, por ai ende po luan.
Zogjtë s’e pritën perëndimin, lulet u bënë trishtim,
Mbasditja në mjegull u mpi, por ai qëndron, kokëfortë,
derisa ta bëjë pikëllimin e shiut të bukur.

BUKURIA NJERËZORE

Jam krijuar ta dua bukurinë njerëzore
Edhe kur qan, me faqet me çurga lotësh.
Edhe një ditë me shi, ditë është, e dua.
Mjaft, them, kam parë qiellin dhe kaltërsinë e tij,
Dua tashmë të shoh më shumë sytë e tu të bukur.
A ka diçka më të lumtur se frymëmarrje e detit në mbrëmje?
Unë jam, kur shetis buzë ujrave përdore me fëmijët e mi.
Vij nga dashuria për njeriun, s’e braktis as në lojën e fundit të
frymës
si gjethe e thatë që era e hedh rërës në shkretëtirë,
derisa të prehet tek një shkëmb që po tretet.
Ajo që është si klithmë fëmije tek ai, ajo më magjeps.
E dua, deri në pafundësi më ngazëllen bukuria njerëzore.
E kush tjetër din të vetëflijohet për rracën e vet si njeriu,
Të jetë fare afër Qiellit e prapë ta adhurojë Zotin?

FJALËT E POETIT
-Kushtuar Frederik Reshpjes-

Ikja ime veç mund të jetë
E lehtë, si fluturim. Nuk kam mbi vete
Thasë të rëndë mëkatesh. Zinxhirë
Pengjesh s’më mbajnë lidhur në shkëmb.
Iki, si drita që më e dridhshme bëhet kur fiket,
Më e perëndishme kur diçka i dhemb.
Gjithçka lehtë do ikë, e fisme, si gjethe
si qeshje që le mbrëmjes vala në det.
Me një tufë dashurish erdha, Zotit t’ia blatoj
Me mirënjohje, se më deshi e më bëri poet.

ANIJA IME, EJA!

Anija ime, eja, ti zog i dëshpërimit që ujin e puth.
Eja në breg, të thuash rrëfenjën tënde, stuhinë në dimër
qeshjen e Diellit mbi direkët e tu. Në çdo drejtim që të ecësh
do të hasësh buzëujin ku po të pres. Aty ku flenë përjetë anijet.
Atje poshtë, nën rërë, don të shtrihesh përgjithnjë?
S’do kesh më frikë nga zemërimi i dallgëve,
Nuk do shfresh, s’do ulesh e ngrihesh, të luftosh e lagur?
Eja, fëshfërima e mbrëmjes frymë do ketë fjalët e tua.
Dashuria jote si shall do më ngrohë parzmin në muzg.
Hej, e bukura ime, hej, Jam këtu, më sheh?
Krahëhapur si një kryq dashurie, këtu, në buzëdetin tënd. Eja!

SHUSHURIMË YJESH TË MESDHEUT

E pashë dritën e saj, i pushtuar jam
Nga shushurima yjesh të Mesdheut.
I urtë do të jem dhe nëse marrosem,
Në dritë do të eci dhe nëpër errësirë,
Si fisnik do qesh edhe me blana goditjesh.
Unë e pashë dritën e saj, i pushtuar jam
Nga shushurima yjesh të Mesdheut.

DO TA BRAKTIS MAGJINË E FJALËVE

Të betohem, do ta braktis magjinë e fjalëve
veç poezinë e buzëve të tua do këndoj,
dridhmën e epshit kur dy trupat puqen,
derisa unë kthehem në dritë.
Të betohem, gjithçka është gati,
perëndimi ra si një zjarr i butë,
dëlirësia e shtratit vetëtin si ftesë.
Përqafomë dhe puthmë, gjithë këtij mali padurimi
flakë do t’i vërë shpuza e buzëve të tua.

KAM TË SHENJTË

Kam të shenjtë brenda vetes,
siç ka një zog, siç ka një pemë
aq sa ka njeriu, as më shumë dhe as më pak,
mjaftueshëm sa të mos vdes i etur,
sa të mos humb i vetëm nëpër natë.
Era rënkime sjell në rrugën time,
gjethet, si fletë flijimesh më bien tek këmbët.
Dhe tinëz më ther tehu i klithjes se kryqet
nuk ngrihen vetëm për të shenjtët!

/revista Illz/

Please follow and like us: