Albspirit

Media/News/Publishing

OSBE: Paketa anti-shpifje të mos ndikojë negativisht në lirinë e medias

OSBE vlerësoi të enjten pasdite se në paketën anti-shpifje të paraqitur nga qeveria e Shqipërisë ka përmirësime të dukshme, por theksoi se legjislacioni i ri duhet të respektojë standardet ndërkombëtare për të mos cënuar lirinë e shprehjes.

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias në Vjenë, Harlem Désir publikoi një deklaratë dhe analizën e projektligjit për Shërbimet e Medias në Shqipëri.

“Legjislacioni i ri duhet të respektojë standardet dhe angazhimet e OSBE-së për lirinë e shprehjes dhe që të mos ndikojë negativisht në lirinë e medias në vend” – theksoi  Desir.

Në këtë dokument vlerësohet heqja e dispozitave të mëparshme mbi regjistrimin dhe bllokimin e emrit të domenit dhe OSBE mirëpret faktin që ndryshimet prekin vetëm legjislacionin e medias dhe jo atë të telekomunikacionit.

Désir theksoi se bllokimi ose pezullimi i botimeve në internet konsiderohet një masë ekstreme e shtetit kundrejt të drejtës së lirisë së shprehjes, ndaj pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet e shkeljeve shumë serioze të të drejtave të tjera të njeriut ose parimeve demokratike, ose kur masa të tjera nuk mund të zbatohen.

“Zyra ime ka qenë e përfshirë në një proces të gjatë konsultimi gjatë hartimit të këtij legjislacioni dhe nga bashkëpunimi konstruktiv me autoritetet u bënë përmirësime të shumta. Megjithatë, ende nevojiten përmirësime të mëtejshme të ligjit gjatë shqyrtimit parlamentar”, – tha ai.

Një element tjetër pozitiv, sipas OSBE-së, është heqja e kompetencës Komitetit të Pajtueshmërisë për të përcaktuar respektimin moral, etik ose profesional si dhe heqjen nga kompetencat e AMA-s të bllokimit të mediave në rastet e “shkeljeve të dispozitave të ligjit”.

Përfaqësuesi i OSBE-së, Harlem Désir,theksoi se “Autoriteti i Mediave Audiovizive nuk duhet të zëvendësojë gjyqësorin e pavarur apo mekanizmat vetërregullues për çështjet e lirisë së shprehjes”, duke shtuar se kjo vlen edhe për bllokimin për përmbajtjen, gjobat për shkelje të ligjit dhe modalitetet e së drejtës për t’u përgjigjur.

Përfaqësuesi i OSBE-së vuri në dukje se kompetencat e AMA lidhur me “bllokimin e përkohshëm apo kufizimin e aksesit në internet” mund të zbatohen vetëm në tre raste të qarta të përcaktuara në ligj: pornografia e fëmijëve; inkurajimi i akteve terroriste; dhe shkeljet e sigurisë kombëtare dhe kur masat e tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke marrë parasysh ekzistencën e një rreziku të afërt.

Please follow and like us: