Albspirit

Media/News/Publishing

USHC: SHOQËRIA CIVILE DUHET BASHKUAR…!

Fotografia e Unioni Shqiptar i Shoqerise Civile - USHC

 

Pas shumë diskutimesh, me qytetarë e intelektualë atdhetarë, Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile së bashku me fondacionin ALBANA, organizojnë më 20 Korrik 2019, në qytetin e Tiranës një takim të parë të përfaqësuesve të shoqërisë civile, intelektualë e drejtues të organizatave jo qeveritare që kanë dëshmuar me punën e tyre, ndjeshmëri të lartë ndaj problemeve të shoqërisë shqiptare dhe dashurinë për vendin e vet.

Tridhjetë vjet kanë kaluar dhe ende jemi shumë larg asaj, ku duhej të ishte, Shqipëria sot.

Korrupsioni në nivelet më të larta të botës, emigracioni galopant, politikanë miliarderë që nuk duan t’ia dijnë për fatet e popullit të vet, një drejtësi që e turpëron Shqipërinë, po na largojnë gjithnjë e më shumë nga bota e qytetëruar. Janë prekur interesa ekzistenciale të cilat po rrezikojnë të ardhmen e brezave e të vet kombit shqiptar.

Në këto kushte, qytetarët shqiptarë, duhet të organizohen e të marrin në dorë, fatin e vet.

Një nga rrugët më efikase është organizimi i shoqërisë civile, bashkimi i saj, unifikimi i programeve dhe vendosja e tyre në themel të punëve e të interesit kombëtar të shqiptarëve.

Ky bashkim i shoqërisë civile, do t’i kthejë realisht qytetarët, në faktor të zhvillimit të vendit, duke iu kundërvënë politikave të ndjekura gjer më sot. Këto politika nepotike e klanore, kanë qenë në shërbim të një kaste të caktuar që e ka parë popullin e vet me dylbi, në mes të luksit e milionave të zhvatura pa djersë, në 30 vjet të tranzicionit demokratik.

Politika shqiptare e ka konsumuar politikisht dhe moralisht mandatin që i ka dhënë populli.

Gjendja e rëndë në të cilën ndodhet Shqipëria sot, është përgjegjësi direkte e politikave të gabuara që kanë ndjekur e zbatuar në Shqipëri, partitë kryesore, parlamentare që për tre dekada me radhë e patën në dorë, fatin e shoqërisë shqiptare.

Me politikat që ato kanë ndjekur gjer më sot e kanë diskredituar Shqipërinë në sy të botës, duke vonuar e dëmtuar rëndë, ÇËSHTJEN KOMBËTARE SHQIPTARE.

Shoqëria shqiptare po shkon drejt një rruge të re, drejt bashkimit të qytetarëve të ndershëm, të organizatave patriotike e kulturore që duan të punojnë për Shqipërinë e për kombin shqiptar.

Ejani e bashkohuni me ne.

Mos harroni, më 20 korrik 2019, në Tiranë…!

 

Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile

Please follow and like us: