Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Bici: Nuk është e lehtë…

Nuk është e lehtë
të më dashurosh mua,
por është dhe më e lehtë
se çfarë mendohet.
Ajër thithim të gjithë
shohim aq sa mundemi,
askush s’shemb yjet
as than detet.
Të dua vetëm ty,
pse nuk beson?
E di shumë mirë
1+1= 3.
Më pëlqen ta besoj se më dashuron
më pëlqejnë çdo rezultat
ku nuk ka vërtetësi
beso dhe ti…
Kështu më shumë do dashurohemi.
dyshimi në fund: Vërtetë më don!
Zgjat ditë tona.
Bota po përmbytet
bashkë me rregullat
Sot gjenitë notojnë
me varka letre,
ndërsa budallenjtë
mendojnë se po zbulojnë planete.
A ka më bukuri se kur çel një gonxhe?
Kjo do ndodh kur të shpërthej toka.
Mos u trembi, o njerëz!
Po kur zogu del nga lëvozhga,
a nuk është mrekulli?
Kështu do dukemi ne
në jetën tjetër.
Mos u trembi, o njerëz
Një sekond është lindja
Një sekond dhe vdekja
Ato nuk janë asnjëherē
baraz me dy
derisa mbledhja mes tyre jam unë.

Unë jam një,
unike si lindja dhe vdekja
Jemi Tre në këtë jetë
Lindja, Vdekja, Unë
Ndaj i dashur të them
1+1 = 3,
Kur ti mashtron
Po vërvitesh rreth vetes
sepse beson se: 1+1= 2
Shko fluturo planeteve
dhe eja trego mrekullitë!
Tregouaju të gjithëve
që të rendin pas teje
Do jetë më e bukur kjo botë
pa ju!
Gjithsesi të dua
Se më plotëson
Të mbuloj me bekime
E sheh?! Është kaq e lehtë
të më dashurosh.
Por përrallat e planeteve,
dashuritë e përjetshme,
të lutem,
mes nesh nuk duhet të ekzistojnë.

Sot,
buzë liqenit
Një nusepashke
mbi fytyrë më ndalon
Ka një mesazh për këdo:
Vargjet e mësipërme
përcillen nga dikush,
Kjo dorë, ky trup
është vetëm një transmetues!

(Mimoza Bici. Poezi nga cikli i poezive “Për të gjithë të pafajshmit”, Tiranë, korrik 2019).

Please follow and like us: