Albspirit

Media/News/Publishing

Përpjekja për demokraci dhe zhvillim ekonomik në rendin botëror

Margot Wallström,  Ministre e Punëve të Jashtme të Suedisë

Një nga arritjet më të mëdha të shekullit të 20-të ishte përhapja e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik në shkallë globale. Demokracia ka provuar të jetë forma më e mirë e qeverisjes. Ajo sjell përfitime ekonomike dhe sociale, si dhe paqe dhe stabilitet. Mundëson që të dëgjohen zërat, inkurajon pjesëmarrjen dhe lejon që konfliktet në shoqëri të zgjidhen përmes mjeteve paqësore. Shoqëritë demokratike qëndrojnë më të forta në një botë që gjithnjë ndryshon.

Megjithatë, demokracia kërkon vëmendje dhe përkushtim të vazhdueshëm. Liria dhe prosperiteti i shoqërive tona duhet të mbrohen dhe rideklarohen çdo ditë. Sepse sot, për herë të parë që nga vitet 1970, më shumë njerëz jetojnë në vende me tendenca autoritare, sesa në vendet që bëjnë përparim demokratik. Bota është – duke u bërë më pak e lirë, duke përfshirë edhe Evropën. Gazetarët e kanë më të vështirë të kryejnë punën e tyre. Aktivistët e shoqërisë civile dhe të të drejtave të njeriut kërcënohen dhe përndiqen. Shqetësimi dhe urrejtja po helmojnë debatet. Kur të drejtat dhe liritë e njeriut kufizohen, shoqëritë vuajnë dhe të drejtat dhe zgjedhjet e qytetarëve janë të kufizuara. Besimi i publikut në shoqëri dhe në politikë është prekur.

Lajm i mirë është se asgjë nuk është e paracaktuar. Së bashku ne mund ta ndryshojmë trendin. Prandaj, Suedia ka nisur Përpjekjen për Demokraci: Ne do të rrisim mbështetjen tonë për demokracinë në mbarë botën, për të promovuar respektin për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, për të ndihmuar gazetarët, për të luftuar korrupsionin dhe për të avancuar të drejtat dhe mundësitë e barabarta. Nuk mund të ketë demokraci të vërtetë nëse gjysma e popullsisë është lënë jashtë. Një pjesë e rëndësishme e forcimit të demokracisë është krijimi i barazisë midis grave dhe burrave. Kjo e bën jetën më të mirë për të gjithë: shoqëritë ku gratë kanë të njëjtat mundësi dhe detyrime si burrat janë më të sukseshme, më të shëndetshme dhe më inovative.

Suedia do të vazhdojë të mbështesë reformat që forcojnë demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Procesi i integrimit në BE përcakton përparësi të qarta për këtë qëllim. Do të nevojitet një vendosmëri më e madhe nga ana e qeverive në rajon. Zbatimi i Agjendës 2030 është harta globale për zhvillimin e qëndrueshëm dhe një mjet i rëndësishëm për të arritur shoqëri demokratike të qëndrueshme. Sfidat ndaj demokracisë ndryshojnë midis vendeve, por ne mund të ndërmarrim hapa të rëndësishme përpara duke u përpjekur për demokraci në vendin tonë. Ne shpresojmë që Kosova dhe të tjerët të na bashkohen në këto përpjekje. Vendet tona kanë një marrëdhënie të veçantë. Mijëra suedezë kanë rrënjët në Kosovë dhe shumë kosovarë kanë familje dhe miq që jetojnë në Suedi, duke kontribuar në forcimin e lidhjeve midis vendeve tona. Suedia është ndër partneret afatgjatë që mbështet Kosovën në zhvillim të qëndrueshëm dhe integrim në BE. Ne kemi bashkëpunim të gjerë me Kosovën në mbështetje për barazinë gjinore, kohezionin social dhe fuqizimin e të rinjve. Kjo përfshin nxitjen e barazisë gjinore në legjislacion, ofrimin e mundësive arsimore për pakicat dhe mbështetjen e ndërmarrësve të rinj. Mbështetja kryesore e Suedisë për Qendrën e Inovacionit në Kosovë është një bashkëpunim i suksesshëm. Ajo tregon një angazhim afatgjatë për të rinjtë  dhe të rejat e talentuara të Kosovës duke ofruar platformë për inovacion dhe ndërmarrësi të qëndrueshme. Por edhe më shumë mund të bëhet. Kosova është shteti më i ri në kontinentin tonë, me popullatën më të re. Këto rrethana duhet të sinjalizojnë shpresë, kreativitet dhe progresivitet: kjo duhet të thotë mundësi për zhvillim. Unë ndonjëherë mendoj për një përrallë që gjyshi i tregon nipit te tij se si njerëzit përjetojnë një betejë mes dy ujqërve në mbrendësin e tyre. Njëri është i keq, tjetri është i mirë. Fëmija pyet: Cili ujk fiton? Ai që ushqehet, përgjigjet gjyshi. Kjo vlen edhe për botën. Ne duhet të ushqejmë forcat e mira. Mbrojtja e demokracisë nënkupton promovimin e paqes, prosperitetit dhe barazisë sociale. Unë shpresoj që ju, jo më pak gjenerata e re, të doni të merrni pjesë në këtë përpjekje.

 

Please follow and like us: