Botohet libri i dytë në anglisht i poetit Ndrek Gjini
Kujtim Morina
Nga shkrimtarët shqiptarë që shkruajnë në gjuhët e vendeve ku kanë emigruar pas fillimit të viteve ’90, mendoj se mund të shtohet edhe Ndrek Gjini. Këtë vit u botua libri i tij i dytë me poezi në anglisht, “The Invention of Shoes” (Shpikja e Këpucëve) me mbështetjen e Galway Academic Press në Irlandë. Libri i tij i parë në anglisht, “The Death of Night” (Vdekja e Natës) është botuar në vitin 2011 në fakt nga një shtëpi botuese shqiptare, EMAL, por që ka qarkulluar vazhdimisht tek kolegët anglishtfolës të autorit dhe një pjesë e lexuesve shqiptarë.
Poezia e botuar në anglisht e Ndrek Gjinit përbën një ridimensionim të poezisë që autori ka shkruar e botuar më parë në shqip në disa libra të mëparshëm. Ai ka një përvojë mbi 10 vjeçare si gazetar në Shqipëri, ka emigruar në Irlandë më 2002 ku ka ndjekur një bachelor për studimet e trashëgimisë e pasuar nga një Master për të Mësuarit Krijues. Veçanërisht në studimet e tij për Master që duhet të finalizoheshin me një botim në anglisht, autori thotë se ka përfituar mjaft nga redaktimi shumë herë i poezive në grup ku poezia e gjithsecilit qarkullonte dhe secili jepte një mendim jo vetëm për redaktimin e poezisë së vet por edhe të të tjerëve gjë që solli librin e tij të parë në anglisht “Vdekja e Natës”.
Poezia e tij priret të zbulojë dhe të shpalosë elemente të humbura të traditës shqiptare dhe humanizmit që po i venit çdo ditë modernizmi, me një gjuhë të hollë e lakonike. Në një poezi të tij, autori shkruan “the invention of the shoe was an early one/ this damning invention/ with its tenderness/ seduced human feet so much/ as to make us not to feel the craving/ for fervent kisses of the earth/ the first human betrayal of land” (shpikja e këpucës ishte një e tillë e hershme/ shpikje e mallkuar/ me butësinë e saj/ e joshi këmbën njerëzore aq shumë/ sa të mos ta ndjente dëshirën e ethshme/për puthjet zjarrmuese të dheut/ tradhëtia e parë ndaj tokës). Poezia e Gjinit nis me një rrjedhë në dukje të qetë që vijon pastaj kërkimin dhe valëzimin në oqeanin e pafund të jetës me mjetet shprehëse të personifikimit, sinektodës dhe inversionit.