Albspirit

Media/News/Publishing

Pyeti futbollistët çekë a ekziston Kosova, o president pijanec?

“Pyeti futbollistët çekë a ekziston Kosova o president pijanec”

Presidenti pijanec çek Millosh Zeman ka deklaruar se për të Kosova nuk ekziston. Ish-ministri i Jashtëm Karel Schwarzenberg i tha Zemanit se nëse dëshiron të kuptojë a ekziston Kosova le t’i pyes futbollistët çekë.

Presidenti çek Millosh Zeman, i njohur për problemet e tij me pije të forta, i përbuzur si palaço për shkak të relativizimit të krimeve komuniste, i kritikuar për shkak të afërsisë me Vladimir Putinin, pra Millosh Zeman gjatë vizitës në Beograd tha: i dua serbët, nuk e dua Kosovën. Ai tha se do të përpiqej të tërhiqte njohjen e Kosovës, duke aluduar se Kosova për të nuk ekziston si shtet.

Kësaj marrëzie të Millosh Zemanit iu përgjigj Karel Schwarzenberg, ish-ministër i Jashtëm çek, një aristokrat i politikës në Pragë dhe europian me horizont të gjerë. Schwarzenberg tha se nëse Zemani mendon se Kosova nuk ekziston, atëherë le t’i pyes futbollistët çekë. Lideri i partisë opozitare STAN, Vit Rakushan, nënvizoi: «Po të doja të jem mizor, do të thosha se (Zemani) mund të llomotis në pistën e aeroportit çfarë të dëshirojë. Politikën e jashtme dhe drejtimin e saj e përcakton qeveria».

Ministri i Jashtëm çek Tomash Petshiçek u përpoq ta kalojë deklaratën me humor. Ai tha se Zeman nuk e do Kosovën, sepse ajo e ka mposhtur Çekinë. Petshiçek tha se vendi i tij ka raporte korrekte me Kosovën dhe Serbinë dhe Çekia është në mesin e njëqind vendeve që e kanë pranuar Kosovën.

Karel Schwarzenberg nënvizoi se tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nuk është e mundshme. «Nëse një shtet është pranuar, nuk mund të thuhet se nuk ekziston». Schwarzenberg ka qenë ministër i Jashtëm më 2008 kur qeveria e kryeministrin Mirek Topolanek pranoi pavarësinë e Kosovës.

Kryetari i Senatit çek Jarosllav Kubera i tha gazetës «Mlada fronta Dnes» se Zeman e ka përmendur tërheqjen e njohjes së Kosovës vetëm për t’ua bërë qejfin serbëve. «Kjo nuk domethënë asgjë. Ai nuk ka kurrfarë fuqie juridike ta ndryshojë këtë. Presidenti mund të flasë çfarë të dojë, por ai nuk mund të bëjë asgjë».

Agjencia çeke e lajmeve ÇTK njofton se për shkak të deklaratave të Zemanit autoritetet kosovare kanë hequr dorë nga pjesëmarrja në takimin e Grupit të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor të enjten në Pragë. Përndryshe Zeman ka qenë më 1999 në krye të qeverisë çeke, e cila atëbotë përkrahu luftën e NATO-s kundër Serbisë.

(Dialog Plus)

Please follow and like us: