Albspirit

Media/News/Publishing

Brigitte Bardot: Kam zgjedhur vetminë për të mbrojtur veten

“Kam zgjedhur vetminë për të mbrojtur veten. E ruaj veten nga njerëzimi që më rrethon, nga ky njerëzim i zhurmshëm dhe paragjykues. Jetoj e rrethuar nga kafshët, pemët, lulet. Kam kuaj, gomerë, desh, dhi, derra, pula, rosa, pata, pëllumba. Pastaj, sigurisht, mace dhe qen. Unë as nuk e di se sa janë…

Ndihem shumë më afër natyrës dhe kafshëve, se sa me njerëzit. E pranoj se e urrej shumicën e specieve njerëzore. Unë përkraha kauzën e kafshëve për t’i dhënë më në fund kuptim ekzistencës sime në Tokë. Po përpiqem t’i shpjegoj njerëzve se mizoritë që u bëhen kafshëve janë të padrejta, të papranueshme dhe shumë çnjerëzore. Nuk më vjen keq sikur bota ta kujtojë të madhërishmen Brigitte Bardot, që nuk ishte aspak e madhërishme”.

Brigitte Bardot është një aktore dhe modele franceze, e cila pasi hoqi dorë nga bota e modelingut dhe kinematografisë, iu përkushtua plotësisht mbrojtjes së të drejtave të kafshëve, duke u bërë një aktiviste e flaktë. Në fjalët e mësipërme, ajo shpreh një urrejtje të brendshme për njerëzit, urrejtje që shpesh vinte si pasojë e përfshirjes në rrymën e mbrojtjes së kafshëve. Me të vërtetë, mjafton të shohim përditë se sa shumë mizori bëhen me kafshët, për të arritur në përfundimin se njerëzimi nuk ka më ndjenja.

Isha duke udhëtuar sot dhe në një rrugë të qytetit, shoh që kishin shtypur një mace me makinë dhe as nuk e kishin lëvizur në anë të rrugës. Flasim për rrugë të qytetit ku shpejtësia maksimale e lëvizjes me makinë është 40 km/orë dhe është shumë më e lehtë të frenosh. Sërish, shpirtligësia e shoferit e shtyu të mos frenonte dhe ta vriste atë kafshë të pafajshme. Mbi të gjitha, ishte larguar pa e lëvizur macen, duke lejuar që një shofer tjetër, i cili mund të ishte i dehur (nuk është çudi në Shqipëri), të mos e vinte re dhe të kalonte me makinë sërish sipër trupit të saj. Sa e sa padrejtësi bëhen të tilla. Vriten kafshë të rralla në pyje, edhe pse janë në mbrojtje nga shumë organizata si gjallesa në zhdukje. Lihen kafshë të tjera rrugëve të paushqyera, të cilat sigurisht rrezikojnë të ngordhin nëse dikush nuk i merr t’i ushqejë në shtëpinë e vet.

Njerëzimi ka arritur në një fazë ku vihet me të drejtë në dyshim dashamirësia. Nuk ka më logjikë të kthjellët, nuk ka më ndjenja. Ndaj dhe Brigitte Bardot shprehet kaq me urrejtje për njerëzit. Ajo u izolua totalisht pas shkëputjes nga karriera e mëparshme, duke pasur kontakte të rralla me njerëzit. Këtë vendim e mori pikërisht për shkak të trishtimit të madh “në luftë me njerëzit” për mbrojtjen e kafshëve. Nëse e mendoni mirë, është gjëja më me mend që ka bërë…

Please follow and like us: