Albspirit

Media/News/Publishing

Bujar Qesja: Një takim i përmallshëm me Bardhyl Berberin!

Bujar Qesja me Bardhyl Berberin

 

BUJAR QESJA, Mjeshtër i Madh

 

Një shok dhe mik i vjetër mbetet i pandrruar
Që të dy të marrosur, pas qyteteve tona Durrësit dhe Pogradecit

 

Kur u ndodha në Voskopoj, gjatë muajit gusht 2019, drekoja një ditë me familjen në lokalin e Xhipe Bacellit. Mishi i keçit të pjekur, pas një lakrori me hithra, pjesë e artit kulinar të vendasve, përzierë me shijen e një vere në ngjyrën e gjakut, më kishte joshur dukshëm.

Biseda në tavolinë ishte ndezur, nxitur edhe nga “artileria e rëndë” e menysë dhe krejt rastësisht vërejta, që dikush i ndodhur në një tryezë disa metra larg, më vështronte. Me sy të picërruar, ngula vëmëndjen në drejtim të tij dhe befas thërrita Bardhyl. Po, po ti je Bardhyli!

U ngrita aq shpejt, saqë pasojat u ndjenë mbi tavolinë dhe nxitova drejt Bardhylit, i cili edhe ai ndërkohë, ishte ngritur dhe më priste krahë hapur.

Që të dy gati, ishim me një fjalor. Ai më thonte mua, që kam kohë pa të parë, e unë ia ktheja që, më ke munguar gjatë. Ne gazetarët e “kohës së Enverit”, kemi patur dhe ruajtur një miqësi të thekshme, që ishte mbresë dhe jo rrallë kthehej në mall. Bardhyli pasi iku nga revista “ Hosteni “ me këmbënguljen e tija filloj tek gazeta “ Driloni “ gazetë e rrethit të Pogradecit por ai shkruante tek gjithe organet e asaj kohe qe nga” Zeri I Popullit” ,”Bashkimi “ revista Nëntori ,Ylli etj

Me Bardhylin, bashkëpunuam gjatë edhe nw gazetën “Puna”. Unë punoja nga mesi i viteve 70-të, instruktor në Këshillin e Bashkimeve Profesionale të Rrethit dhe kryetar kishim njeriun energjik dhe të paharruar Agim Kasmin. Bardhyli ishte në Pogradec dhe mbulonte qytetin e tij. Ishim mjaft të rinj dhe emrat tanë, kishin filluar të bëheshin të dëgjuar. Punonim dukshëm dhe ishim shumë njerëzor njëri me tjetrin.

Pavarësisht se ato quheshin Namik Dokle, Ilia Dede, Fatmir Dibra, Minella Dalani, Ibrahim Çavolli, Nexhip Nezha, Angjelo Xhaçka, Kristaq Laka, Edmond Laçi, Ndoc Logu, Artan Kristo, Timo Marga etj. trajtimi dhe respekti për njëri tjetrin ishte i barabartë.

Organizoheshin shumë takime nga gazeta “Puna”. Përfitonim nga njëri tjetri. Edhe stimuloheshim. Po bënim një punë, mbi bazën e vullnetit dhe pasionit të jashtëzakonshëm. Dhe ky Bardhyl Berberi, ky pogradecar i pakonkuruar, ishte shumë miqësor. Pinim kafen e miqësisë dhe ndaheshim, për t’u takuar në kuvendime të tjera.

Kishte një komunikim ky Bardh Berberi i Pogradecit, që më tërhiqte. Por ishte edhe i zoti në laps. Angazhimi si gazetar, kishte nxitur tek miku im pogradecar dhe intuitën e shkrimtarit. Dhe arriti të kombinoj, zanatin e vjetër të publiçistit me atë të shkrimtarit, forma më e lartë e mendimit të shkruar.

Por pa ia thënë njëri tjetrit, pasi kjo kuptohej hapur, kishim qëlluar që të dy të tërbuar pas dashurisë për qytetet tona. Ai edhe kur punoi në Tiranë, mëndja ishte e varur në Pogradec. Aq e vërtetë është kjo, sa që kujtoj një pjesë të një shkrimi të tij:

“Kam qenë në Tiranë vetëm me trup. pasi mëndja ime “gjezdiste“ tek qyteza ime e vendlindjes, e vendosur mbi ujërat e syrit të kaltër, tek imazhet e dy gjenive të letrave të qytetit tim Lasgush Poradecit dhe Mitrush Kutelit me perëndimet e vagëlluara, muzgjet si pëlhurë dhe si hije, pasqyrimet e shndritshme të liqenit, dergjet e përgjumura ,vetëtitjen e magjishme me zallin e shkretuar me shkrumbin e natës dhe pritjen metafizike të varkave dhe pyllin e gështenjave … Mbase është i vetmi qytet në botë që liqenin e ka të futur kaq thellë në gji, shëtit buzë rrugëve të qytetit dhe ndien klithjen e pulëbardhave, kërcitjen e peshkut, tingujt e lopatave të peshkatarëve, flë natën dhe të duket sikur e ke valën e liqenit nën jastëk, si një ninull të bukur hipnotizuese .

Kjo dashuri e pakufi i Bardhyl Berberit me Pogradecin e tij, ngjasonte me super dashurinë time për Durrësin tim. Vetëm me një ndryshim. Unë nuk pranova të punoja në Tiranë, ndonëse emërimin zyrtar, e mora në vitin 1974 në gazetën e vetme sportive në Shqipëri “Sporti Popullor”, pa dashur ti heq asnjë presje respektit për kryeqytetin e atdheut tim. Tiranën, nuk e vendosja kurrë dhe s’kam për ta vendosur sa të kem frymë, mbi Durrësin e zemrës time, këtë folezë të ngrohtë ku u linda, u rrita dhe natyrisht do të strehohem përjetësisht.

Kam edhe një fakt jetësor, që e argumenton saktësisht bindjen time. Kur isha student, fakultetin e kishim tek korpusi qendror, afër liqenit artificial të Tiranës. Leksioni mbaronte në orën 11.15 dhe treni për në Durrës nisesh në orën 11.35. Më pas kishte të tjera nisje, por unë doja të kapja orën 11.35. Vrapoja me sa mundja. Madje kapërceva edhe portën e hekurt dhe treni ndaloi sapo ishte nisur. Kur erdhën fatorinat, për të ditur arsyjen e hallit që kisha, arrita të flas vetëm kaq, pasi isha tejet i lodhur:
-Asgjë nuk kam, vetëm doja të kthehesha, sa më parë në Durrës.

Le të ndjekim, këto vargje të shkëlqyera të Bardhyl Berberit, shkruar për qytetin e tij:

“Me çfar litarë e zinxhirë më ke lidhur/O qyteti im/ Nuk janë as litarë e as zinxhirë / Por janë ca damarë, që e ushqejnë vazhdimisht trupin tim …/…”

Dhe më pas, dashuria që kullon nga mëndja e mprehtë dhe lapsi i ndritur i Bardhyl Berberit, tashmë shkrimtar i dhjetra romaneve:

“Pogradeci për mua ka qenë një metaforë, ka qenë bari që mbinte në pranverë, xixëllonjat në netët e verës, ullukët e shiut në vjeshtë dhe qirinjtë e akullit në dimër. Pogradeci është ai qytet, siç thotë Lasgush Poradeci “Lum kush vjen në Pogradec dhe mjerë ai, që nuk kthehet dot më”.

Dhe unë nuk mbetem pas mikut tim, me refrenin shkëputur nga kënga himn për Durrësin, që këndon Qemal Kërtusha:

Të falem i bukuri Durrës,
me mall e afsh të këndoj,
s’të harroj ty, kurrën e kurrës,
me asnjë qytet, nuk të ndërroj.

Kisha kohë pa e takuar Bardhyl Berberin. Mbase, mbase që në kohën e gazetës “Puna”. Mund të ketë 35 vite. Por respekti dhe malli për njëri tjetrin, nuk qe shuar. Bëmë një foto, e cila më nxiti këtë frymëzim.

Në lokalin e Xhipe Bacellit në Voskopojë, takohen një durrsak dhe një pogradecar. Miq të thekur dhe të betuar. Respektojmë dhe vlerësojmë miqësinë me njëri tjetrin, e pas kësaj duam përjetësisht të dy qytetet tona. Romani më i ri i Bardhyl Berberit, mbeti në dorën time, si dhurata më e çmuar në botë dhe brenda saj dedikimi prekës:

-Mikut tim të çmuar Bujar Qesja!

Mbeç me shëndet, i nderuari mik! Mbase takohemi vitin tjetër, tek lokali i Bacellëve në Voskopojë.

Durrës më: 27 shtator 2019

 

 

Please follow and like us: