Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Reformatori Damo Tërmeti

 Image result for pergjimet ne diber

 

 

”Tërmet, tërmet! Tërmet i q…nanën”. Këto janë fjalët e Damian Gjiknurit, ministër në atë kohë, tashmë negociator a kryesues i bisedimeve në një tryezë të gjerë me inisiativën e Europës për reformën zgjedhore. Nuk ka paradoks më të madh kur dëgjon dhe shikon që bash ky Damian Gjiknuri është kryenegociatori për reformën zgjedhore. Jemi totalisht paradoksal dhe nuk e di se përse ankoheni për kushtet që vë parlamenti gjerman. Nuk e di përse kërkoni fajin tek opozita etj. Apo dilni studiove dhe i quani të plotësuara të gjitha këto kushte, i quani lehtësisht të mundshme për t’u plotësuar kur një deputet gjerman klith në mes të natës se nuk na gënjeni dot duke dënuar me shpërdorim detyre një ministër të implikuar në kanabizimin e vendit. Dhe ndjesë për fjalorin por a ishte ky Gjiknuri që thërriste në telefon, -”Tërmet, tërmet! Tërmet i q…nanën”?

Pra ia kishte lëruar nënën blerjes së votave, ishte ky që doli gafil në video përgjimet e Bild-it, apo jo? Ndërkohë a e dini se në bazë të legjislacionit shqiptar, vjedhja e votës përbën shkelje ligji dhe është e dënushme. Dhe ju e pranoni pikërisht një të kapur flagrant në shkelje të ligjit si negociator. Dhe pretendoni të shkoj vaj çelja e negociatave duke ofruar persona të tillë për negociata reformash?! Jemi kryekëput absurd dhe nuk e di se ku e gjejmë këtë forcë paturpësie për t’i folur njerëzve. Përfshi këtu së pari vet Damianin, së dyti kryeministrin dhe së treti opozitarizmin që ulet e negocion me të denoncuarin për vjedhje vote. Dhe nuk e di akoma më keq se auditori se si i dëgjon këta tipa, se si pretendojnë se do ndreqin vendin me kësi tipash.

”I q…robtë. Doli llafi jot. Doli llafi jot me 1 mijë vota plus”.

Janë fjalët e kryenegociatorit për reformën zgjedhore, nuk janë fjalët e mia. Pa u futur më në atë përgjegjësinë individuale, të ndjesës, a hapjes së krahut. Vendi jonë është i mbytur nga pseudointelektualët, nga fallciteti i kollareve dhe kostumeve. I kemi me shumicë. Për më tepër e kemi kulturë shtetërore këtë, që një mjekër e parruar një pistoletë në brez, një qylaf dhe jemi burra shteti. Së fundi ricikluam dhe shallvaret dhe atletet adidas. Pra pa ju futur kësaj, por duke u kujtuar se akoma ju mbajnë nervat me kësi surrogatosh, që këtej kapen me presh në dorë, këtej bëjnë progresistin. Si i duroni, sinqerisht nuk e kuptoj. Eshtë një absurd kolektiv që po na shpërbën si komb, si atdhe, si vend.

Nga ana tjetër çirremi studiove për të amdinistruar meritën se kush po ia çel rrugën vendit për t’u bërë pjesë e Europës. Nga Edi Rama i pari që i thotë shqiptarëve se do futemi se ai e ka mikeshë Angelën. Pastaj nga rilindasit e tjerë që hiqen sikur janë të hapur për bashkëpunim dhe se ata kanë pasur të drejtë kur kanë bërë votime monopartiake etj. ”Tërmet, tërmet! Tërmet i q…nanën” ”I q…robtë. Doli llafi jot. Doli llafi jot me 1 mijë vota plus”. Janë fjalët e negociatorit të reformës zgjedhore, i gjeni kudo, zë i kulluar. Një shtetar shqiptar i mandatuar për votën tuaj. Pika reformave shqiptare.

Please follow and like us: