Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Ishujt që i largoi era

Image may contain: outdoor and text

Tregim

1. Kohë më parë
Ajo i tha përmes telefonit se do e priste në dritare, por nga mbrapa pallatit. Nuk i besohej. Vështroi receptorin. Që andej erdhi ai tingulli i mospërfilljes së aparatit kur nga ana tjetër nuk të pret më askush. Vërtet i tha eja? U mendua për pak. Pse habitej? Ndofta nga që u bënë vite që i lutet ta pranojë. Vite përgjërimesh. Ndaj vrapoi përjashta. Qe një paradite vjeshte e kulluar me stërkala dielli dhe zhaurima njerëzore. E kaploi një gaz i ëmbël ku në të njëjtën kohë i shkaktoi ato të dridhurat e zakonshme, që i provonte kur e priste tek rruga. Qeshi me vete, futi duart në xhepa, uli vështrimin në pllakat e trotuarit dhe i kërkoi zemrës të rregullonte ato pampamet. Ndryshe nga përpara pallatit, ku rruga e Ypsilonit vlonte nga lëvizjet. Makina lart e poshtë, kalimtarë, sy kureshtarë. Sidomos nga ata që shisnin. Mbrapa, prehej një qetësi lagjeje. Rrethina e tërë pushonte nën një qiell blu. Aq sa ai pati përshtypjen sikur natyra, bota, njerëzimi, i patën rezervuar rastin fatlum.
-Dhe sa do vazhdosh të më ndjekësh? – e pyeti ajo.
Ai u hutua. Iu kthjelluan sytë e kaltër deri në një pasiguri këmbësh. Vuri dorën tek muri me tulla.
-Këtë e di ti, jo unë. Varet gjithçka nga ty. Më thuaj po, tani, dhe kaq. Të tjerat janë punë e jonë, e përbashkët. Më kupton. E ardhmja është e të dyve, nuk është më vetëm e imja apo e jotja, – tha ai me qetësi por me rend fjalësh që i dolën vetiu prej anës më të mirë të qënies së tij. Dhe për më tepër, shumë më të forta se dobësia që ndjente nga ato të dridhura.
Ajo qeshi. Duke e ditur se e kishte qënien e tij në dorë, përveshi buzët, ngriti vetullën e majtë, si për t’i thënë që të ulte tonin. Dhe të mos fliste me ngjyra romantizmi. Mirëpo ai vazhdoi, madje në vetën e tretë. Sikur të t’i fliste për dy të dashuruar filmi.
-Pastaj ata ikin diku siç ikin zogjtë, -vazhdoi.
Dhe ajo ia priti…,
-Prandaj edhe ti nuk ke ikur?
Ai iu përgjigj.
-Sa të mbarosh ti shkollën. Të ikim të dy.
Qe koha e ikjeve të para. Natyra në qytet qe e mbarsur me ethet e saj, sikur kishte rënë epidemia e ikjeve. Ikja nuk kishte moshë. Po ndërsa të martuarit kishin hallin e familjeve, të dashuruarit, sidomos djemtë e rinj, të vajzave që donin.
Ajo vetëm sa çoi buzën në gaz. Në qiell për rastësi kaloi një avion. Edhe pse larg, dukej si një krijesë e bardhë. Gati lodër, gati një pëllumb nga ato që varim për zbukurim në pemën e vitit të ri. Lëshonte nga pas një vazhdë të bardhë e cila dikur bëhej fashë e udhtë.
-Ja sikur na i bën për zili, -tha ai.
Ajo çoi sytë nga qielli dhe vetëm sa u tulat në krahët e saj. Ndodhej diçka lart. Qe dritare nga ato ku të duhet të kolovitesh. Çfarë dëshirë e madhe. Vetëm ta puthte pak. Sytë e saj në bojën e mjaltit. Mjaltit të zënë, nga ai i i luleve të drurëve shekullorë. Kishte mbledhur flokët mbrapa, i dukej qafa, nofullat, veshët. Çfarë mrekullie. Sikur ta prekte pak. Por mes tyre ishin hekurat, lartësia. Frika se mos po vinte ndonjë nga fqinjët. Ora duhej të ishte njëmbëdhjetë e paradites. Nuk donte ta bënte me fjalë. Por nuk mundi. U ngjit. U kacavier.
-U çmende, – ia priti ajo dhe i përplasi kanatin e dritares, midis një trembje të lehtë dhe një kënaqësie që fytyra e djalit mbarte nervin e burrit. Ai pa përreth. Qetësi. Megjithëse krrima e kanatës akoma jehonte. Seç qe aty mbrapa një shtëpi me mure guri të lartë. Ku në verandë një grua e moshuar ushqente macen. Plaka nuk ishte asgjëkundi edhe pse dukej sikur po e shikonte. Iku me kokën ulur. Nga një dritare tjetër u përhap një këngë nga programet e mërzitshme të paraditeve televizive. Nga ato populloret ku përzihen si zhaurimë xhinglash instrumentet muzikore. ”E imja moj/ do të jesh përjetë.” Përbri i kaloi një burrë me biçikletë. Kërrujti fytin dhe aq. Djalëria është kuriozitet. Ndaj atij iu duk sikur burri e kishte me ‘të. Nxitoi. Në atë lagje qyteti ai qe një i huaj. I panjohur. Aq me tepër me ato flokë të gjatë. Me xhiboks bluxhins ku fekste një noçkë kau. Vajza në fjalë nuk i ndaloi më. Sikur panikosej prej tij. Kaluan dy muaj. Por hiç. Madje kur dilte nga shkolla, ecte në krah të katër vajzave. Mes të qeshurave të tyre. As që e shikonte. Ai kullohej tek druri i ekualiptit. Shikonte qoshen e rrugës Ypsilon ku ajo do të kthente. Njerëzit që nxitonin me çantat plot. Zilet e biçikletave që kumbonin hera-herës si të çjerra bagëtish të imta.
-Qënke bërë i tmerrshëm, – tha një nga shokët, në kuptimin që ajo zuri të kthehej në shtëpi e shoqëruar. Pati domethënien që ai nuk duhej ta ndalte më. Ose ta linte rehat. Kurse ai i tha shokut se, nuk e mendonte ashtu. Mirëpo një ditë më pas ato, vajzat qëndruan aty pari. Afër tyre. Ata ishin tre djem. Kurse ato katër. Shoku i qeshi me naivitet. E shikoi gjatë dhe zë ulët i tha se ato as që druheshin më prej tyre.
-E pastaj, -ia ktheu ai.
-Kur nuk të ka një çikë frikë, ka domethënien që nuk e pjerth fare për ty, -ia ktheu tjetri.
Atë kohë vajza e tij u shkëput nga shoqet duke u përshëndetur dhe nxitoi e vetme për në shtëpi. Nuk i hodhi sytë nga ai. Ai u mendua. ”Çfarë po ndodh? Iku vetëm për të më sfiduar? Apo kërkon ta ndjek nga pas?”. U mendua. Shoku e vështronte po njësoj. Me pak ironi. Megjithatë ai nuk e ndoqi. Dhe gjysmë ore më vonë, do i dhimbte, do e torturonte, aty e përjetësisht, ai ngurim, ajo ngathtësi, ajo stepje për të mos i shkuar nga pas. Ajo stepje për të mos këmbëngulur.
Ndërkaq, treshja e vajzave u kthye mbrapsht dhe u shkoi djemve mu tek hundët. Qeshën. Ai vetë nuk i vështroi, veçse në grimë çasti aty afër u ndjeu erën. Parfumin e mishit që i ngjan freskut të luleve.
-Mbaroi nuk ia ndjen më për ty, biles na shpërfillin edhe ne që vimë me ty. Nuk e shikon, kaluan këtu para nesh sikur të mos ekzistojmë fare, -tha i njëjti shok.
-Po ti çfarë pret, përse nuk i shkove nga pas. Ajo për ty u nda nga shoqet, – i tha shoku tjetër.
Ai heshti. Pa nga vajza, shpina e saj u tret përtej. Tek qoshku i rrugës Ypsilon, tek pallati me granil të bardhë. Nga ana tjetër vështroi shoqet e saja. Ato sërish qeshnin teksa shkonin trotuarit që ata kishin vite që e ruanin. Nuk i urreu. Qe një lloj lufte nervash mes mendjeve njerëzore. Megjithatë ai besoi se i dha kuptim orëve. Dikur edhe shokët e tij ikën. Mbeti vetëm fare. Kujtoi atë ditë kur guxoi e u ngjit tek kangjellat e dritares për ta puthur. Nuk ndodhi. Pastaj kujtoi ca vargje.

Puthja është zanat i së përditshmes,
gabimi që do e bëjmë përjetësisht.

Qeshi hidhur, kështu shkruante në poezitë e tija një shoku i vet. Pastaj prapë asgjë. Vetmi në anë të rrugës. Të ndahesh nuk do të thotë të kesh domosdo arsye të forta.
Rruga mbeti ashtu me lëvizje. Mirëpo atij nuk i ikej. U ul në ato telishta hekuri, pranë kaçubave kuadrate prej ligustrash dhe dëshiroi që jeta të ndalte aty. Jo për të mbaruar, jo për t’u ngrirë, jo për t’u fiksuar e mos feksuar më, por thjesht për të patur një pritje tërësisht të përjetshme. Me diferencën në duar, mes një dite me pritje dhe një dite pa pritje. Aty do rrinte. Për të mos e besuar asnjëherë se ashtu mbaroi e gjitha ajo lojë e bukur ndër ato vite pritjesh e përcjelljesh. Për të mos jetuar me mendimin se plaga mbyllet, por nuk ikën. Eshtë aty. Vetëm sa zë kore. Por edhe kur korja bie, mbetet një njollë.

2. Kohë më pas
Fill mbas shtatë vitesh, ndërsa i jepte mjetit të tij një kalibra e silvërt, në rrugët e një qyteti bregdetar, plot me palma nga të dya anët. Afër një stacioni treni. Ku ca më tutje ndiheshin dhe dukeshin qiellit feçkat e vinçave të portit. Shfryma e kripës, në një pas dreke të vakët. Aq sa ata që ishin me ‘të, kolegë të katërt, dy çifte, edhe pse gjysmë të përgjumur nga dreka e bollshme, zunë të diskutonin për një telenovelë me temë plagët e dashurive të para.
-Çfarë bisedash që bëjmë edhe ne, – tha njëri.
-Pas një dreke si kjo po nuk fole të zë gjumi, -ia priti tjetra.
Dielli po binte përfund, varej anash një kurore peme. Atij iu kujtua nga koha e largët dielli i rrugës Ypsilon. Binte ashtu deri sa perëndonte. Dhe njerëzit dukeshin si silueta. Vetëm ajo dukej e brajtë, e prushtë madje verdikt i diellit si mbetje në tokë. Qeshi…
-Po ti në timon pse vazhdon të qeshësh? – e pyeti kolegia nga mbrapa.
-Kot, – ia ktheu ai.
Ajo e pëlqente. Edhe ai, madje kishin filluar të dilnin bashkë.
-Ku ishe tani me mëndje. Hë na i thuaj edhe ne, – iu lut ajo.
Por asesi nuk e tha, nuk e tregoi. E ruante si diellin e tij të vogël, të avullt që kushedi se ku, ngrohte botën me krela lulesh në këndin e një burri tjetër. Pikërisht atë çast, nga e majta një grua e re, me fustan të kuq tentoi të kalojë rrugën. Ai frenoi i trembur. U nguros tërësisht, kur pa se ishte po ajo, vajza e dikurshme e rrugës Ypsilon. I rrahu zemra aq fort, aq me kumbim njësoj si atëhere. Gruaja e re kaloi qetësisht duke shikuar se mos po vinte ndonjë tjetër makinë. Pasi kjo që ndaloi iu bind vështrimit të saj. Bulevardi qe i gjerë. Dhe ajo as që ia hodhi sytë se cili qe njeriu në timon. Kurse ai u gëzua si fëmijë. Nuk i erdhi aspak keq. Aspak. U shplodh që e pa dhe që ajo ishte akoma po njësoj aq e bukur.
-Çu hutove o njëri, po jepi të ikim, – i tha kolegu përbri.
Por ai priti. Duke harruar njerëzishëm koleget mbrapa që po e vështronin me habi. Sidomos ajo me të cilën sapo kishin filluar të dilnin bashkë. Mbajti këmbën lehtë mbi pedalin e gazit deri sa gruaja në rrugë kaloi në anën tjetër, duke i shkelur vizat e bardha, sikur të ecte mbi një tastierë pianoje. Zemra i hovte si flutur lëndinash. Gjithçka iu bë e purpurt, rruga e ligustrave, Ypsiloni, hija pas pallatit, shtëpia e plakës, burri me biçikletë etj. Të nesërmen kolegia që kishte në makinë, ajo që pëlqeheshin, i tha midis të tjerave se nuk ia vlente më lidhja që kishin. Ai u mërzit. Dhe nga darka ktheu një dopio fërnet.
Aty në banak, pinte në këmbë një i panjohur. Burri për çfarë nuk i foli. Madje i afruan njëri-tjetrit nga një gotë më shumë. Dikur i tha me pikëllim:
-Dëgjo more djalë, e vërteta e dashurive të para i ngjan ekzistencës së dy ishujve që vetëm sa i bëjnë hije njëri-tjetrit. Kur ka erë, i çojnë mesazhe të ujshme. Kur ka shi, njelmen duke zhbiruar sysh rrigat prej uji e mjergulle, duan të shihen. Pra ta dish që shqetësohen shumë për njëri-tjetrin. Dhe kur moti është i kthjellët, argalisen për zili të tyre. Vetëm kur i shkund ndonjë tërmet, kur i zhvendos akoma më larg aq sa nuk shihen më, vetëm atëhere e kuptojnë se përse u bënë ishuj. Ai fshiu sytë në supet, si një foshnje që shikon diku dhe askund. Një ishull që pret në shoqërinë e një fari vetmitar. Dhe se pritja nuk kishte mbaruar asnjëherë.

Please follow and like us: