Albspirit

Media/News/Publishing

Trishtimi i mjeshtrit të llokumeve me arra Petrika Çomo në koncertin e Marinelës së famshme në Pogradec

Image may contain: 1 person, suit

Bardhyl Berberi

Në jetë njeriu ndodhet jo rrallë përballë të papriturash, ndodhi të çuditshme që zenë vend në kujtesën e tij rrinë për një kohë të gjatë të strukura aty dhe vjen një ditë që shërben një episode tjetër që lidhet me atë dhe si një asociacion të vjen e freskët ngjaria…

Mu kujtua para pak ditësh Petrika Çomo, fqinji im që banonte në një vilë dy katëshe buzë liqenit. Erdhën dy vetura nga Ohri dhe e kërkonin Petrikën, pasi iu duheshin një sasi e kosiderueshme llokumesh me arra. Por djali i tij Gjergji, mësues matematike në gjimnazin e qytetit, me urtësi dhe i prekur iu tha maqedonasve se ‘babi i tij pra pak kohësh ishte ndarë nga jeta…’.

Me Petrikën jo vetëm që ishim miq, por mjeshtërinë e rrallë të tij në prodhimin e llokumeve të famshme me arra e kishin provuar jo vetëm udhëheqia e lartë komuniste e asj kohe dhe fëmijët e tyre dhe shumë personalitete të larta që kishin vizituar Pogradecin si Shtrausi apo këngëtaria e famshme greke Marinela. Këngëtarja e famshme pasi kishte ikur nga Pogradeci, pas koncertit me dy arka me llokume me arra në Greqi nga dora e mjeshtrit, kishte kërkuar përsëri llokumen e famshme të Pogradecit.

Është një fakt që me një njeri të famshëm apo një mjeshtër siç ishte Petrika Çomo kur bisedon herë pas here dhe kur e ke fqinjë ambientohesh me atë dhe të shpëton ai fakt se ky mjeshtër ishte krejt i veçantë dhe llokumet e tija të famshme shkonin nëpër shtëpitë e funksionarve të diktaturës komuniste për fejesa dhe gëzime të ndryshme, deri në Amerikë dhe vende të tjera ku kishte emigrantë shqiptarë.

Një ditë duke biseduar dhe duke i vjelë shumë sekrete të mjeshtërisë së tij, që çuditërisht nuk ia dha askujt atë sekret dhe e mori me vete në varr, i them se ‘do ta bëj një shkrim në gazetë…’.

Ai u prish në fytyrë dhe pka nga pak u zbardh si ato statujat greke dhe më thotë:

-Jo miku im, nuk dua shkrim në gazetë se me këto të shkreta llokume kam marrë shumë veta më qafë…

-Si ta kuptoj këtë? – i them unë i befasuar.

-Ja ta them unë, shumë djem dhe vajza pogradecare, që ishin çyryk në mësime dhe ngeleshin nëpër provime në vjeshtë vinin dhe blinin llokumet me arra që prodhoja unë dhe ja u çonin pedagogëve dhe mernin provimin…Ato llokumet e mia dhe peshku Koran dhe ndonjë shishe rakie perlë  kanë qënë armët që ‘luftonin’ këta studentët e dobët  që nuk e meritonin të kalonin. Se atëhere në diktaturë nuk kishte zarfe me euro dhe dollarë siç ndodh sot që kalojnë këta çyrykët…Unë në këto vite kam parë studentë që janë bërë mjekë, inxhinjerë, mësuesë me arkat me llokume që prindrit e tyre dhe ata ja u çonin pedagogëve. Por është për të çuditur që këta që kalonin me ryshfete dhe llokumet e mia i vëreja me kujdes që u bënë të mëdhenj dhe me pozitë që në atë kohë…Madje disa drejtorë nëpër dogana dhe tatime, madje njëri prej tyre që mbaroi kimi- industriale e kisha shef në punë. Por, shton mjeshtri, ashtu siç e morën shkollën në mënyrë të pamerituar po ashtu i morën dhe karriket e larta dhe po t’i shikoje me kujdes ashtu me dallavere ecën në jetë duke ruajtur karriken me ryshfete dhe dallavere jo në mënyrë të ndershme. Dhe e bukura është se edhe kur erdhi demokracia po këta zunë pozicione kryesore nëpër parti dhe qëndruan në këmbë duke bërë tarapanë. Ja pra pse nuk dua që të shkruash për mua se i kam bërë dëm shoqërisë me atë produkt që prodhoja me llokumet e ëmbla me arra ‘helmoja’ shoqërinë me ato dru të shtrembura që dilnin kuadro. Po kështu mbaj mend kur Shtrausi vizitoi Pogradecin, erdhën më morën me makinë në shtëpi dhe e gëdhiva duke i bërë dy arka me llokume me arra, të cilat ia bënë dhuratë pushtetarët e asaj kohe…

Shumë ngjarje të kohës së dikaturës rrinë gjatë. Ishte koha e diktaturës  kur Enveri shkroi librin “Dy popuj miq” dhe marrëdhëniet me Greqinë kishin pësuar një fare zbutje, në këtë kohë vjen në Pogradec për të dhënë koncert këngëtarja e famshme greke Marinela. Ishin vitet ‘70. Tek holli i Hotel – Turizmit ishte bërë gardh me sigurimsa të veshur me kostume gri. Rreth orës dhjetë paradite doli Marinela buzë liqenit e shoqëruar nga truprojat e saj. Më pas e  morën dhe e çuan tek ndërmarrja e famshme ushqimore aty ku prodhohej rakia perlë dhe muskat dhe llokumet e famshme me arra. Madje i bënë dhuratë disa shishe rakie perlë dhe muskat dhe një arkë me llokumet e famshme me arra të Pogradecit të vendosura në disa kuti të lodhura kartoni që prodhoheshin në një fabrikë kartoni nga Shqipëria e Mesme, më duket se në Kavajë. Marinela përshëndeste njerëzit gjithë dashmirësi, por asnjëri nuk mund të afrohej pranë saj gjithçka në distancë…

Kështu në orën 18 në sallën e shfaqeve në Pallatin e Kulturës ajo do të jepte koncert. Kuptohet që nuk kishte bileta. Komiteti i Partisë i kishte ndarë ftesat sipas një programi të caktuar nëpër njerëzit e besuar të administrates dhe te familjet me komunistë në shtëpi. Me shpresa të shuara shkova në shtëpi për drekë. Im atë punonte në një institucion në rreth dhe i kishin dhënë një ftesë. I mërzitur i them pa shpresë se ‘të vijë këngëtarja më e madhe greke në Pogradec dhe të mos kesh mundësi ta shikosh koncerti’.

Nuk më besohej që kisha në dorën ftesën për të parë koncertin e Marinelës. Sapo më lëshoi në dorë ftesën babai më tha ‘shiko se na bën ndonjë të pabërë fillon dhe duartroket me furi, shijo koncertin dhe qëndro në heshtje’.

Isha maturant dhe këto porosi më dukeshin gomarllëqe. Pasi i premtova babait se do të jem korrekt u futa në shfaqje. Njerëz tepër seriozë që i ngjanin një ceremonie mortore. Sapo Marinela u shfaq në skenë na u duk vetja sikur ishim në ëndërr. E bukura Marinelë me një dekor kuq e zi  si për të respektuar shqiptarët…

Nisi koncerti plot me ngjyra e andrenalinë. Një aktor i Teatrit të Estradës së Pogradecit fillo të fërshëllejë pas këngës së tretë. Kostumet gri, që qëndronin në dy anët e sale, e kapën për rrobash e flokësh dhe e tërhoqën zvarrë…

E bukura Marinelë e shikonte që diçka nuk shkonte, pasi një pjesë e sallës ishte akull fare dhe herë pas here  binte mikrofonit me gisht për të kuptuar se si dilte zëri i saj. Një shoku im i klasës, që dhe ai e kishte marrë një ftesë nga i ati që ishte drejtor në një ndërmarrje, më bie me sup dhe më thotë ‘shiko në mes të prozhektorëve. Aty ishte një sigurims me një kokë të madhe si prej lope që vështronte sallën dhe mbante shënime në një bllok për t’i futur në rrethin e Zapatës ata që ishin entuziastë dhe duartrokisnin me vrull…

Dolëm një nga një nga salla dhe ne dukej sikur dolëm nga ndonjë ceremoni funebre. Marinela gjithë karafilat e shportës ia hodhi ëmbëlsisht publikut. Përbri dëgjova një drejtoreshë të një ndërmarrjeje kryesore të qyteti e cila duke dalë tha: “Nu bëftë kurban greçka”.

Shkova në shtëpi, por a mund të flije atë natë pas gjithë asaj doze qytetërimi që kishim thithur…Në kokë më buçisnin meloditë e këngëve të Marinelës që atë natë na bëri të jetojmë një botë prej ëndërre…Ky ishte prologu i një jete dhe një bote të vërtetë jashtë korrnizave të diktaturës komuniste.

 

Please follow and like us: