Albspirit

Media/News/Publishing

Kalvari i Parë i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për islamizimin e tyre dhe kujtimi i At Pjetër Bogdanit

Skënder Jashari

Pushtimi Osman në Luginë të Preshevës, kishte ardhur në fazat e para të pushtimit të Trojeve Shqiptare. Madje dokumentarisht faktohet që Perandoria Osmane, kishte vendosur garnizonin Osman në Sopot, për të siguruar kanalin rrugor Morava-Vardar. Brenda garnizonit osman në vitin 1410 ndërtohet xhamia e parë në Trojet Shqiptare (disa shqipfolës dhe pseudohistorianë, tentojnë të kopjojnë me porosi historiografinë ruso-serbe, që tentojnë këtë xhami ta bartin për vite para pushtimit osman- për gjoja të argumentojnë ardhjen e islamit para pushtimit osman!). Xhami të tjera nuk kishte në Luginë të Preshevës deri në vitet 1735.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk u konvertuan me dhunë në fillim të pushtimit Osman, konvertimi i dhunshëm filloi pas dështimit të kryengritjes antiosmane të vitit 1689. Konvertimet e interesit ishin evidente edhe në Luginë të Preshevës para vitit 1689. Mjafton të shikohen statistikat osmane të kohës, që dëshmonin se edhe pjesa e ultësirës së Luginës, nuk ishte muslimane. Në çdo vendbanim kishte Kisha dhe manastire katolike, në kuadër të Dioqezës së Shkupit, si në: Preshevë ( Kishën e njejtë e sllavizuan serbët); Rahovicë ( Kishën ku qëndroi Gjergj Kastrioti, të cilën e sllavizuan serbët); Kishën në Zhunicë, Bukoc, Gosponicë, Raincë, Bukurocë, Boshtran etj etj.

Lidhja e Shenjtë u formua më 1684, mes Austrisë, Polonisë, Venedikut, Maltës e pas dy vitesh hyri edhe Rusia. Aleanca e Shenjtë, filloi veprimet ushtarake anti-osmane më 1686, ku ushtritë austirake zgjeruan territorin kundër Osmanëve, në Bosnje, Bullgari, njëjtë bënë edhe Venecianët si në Dalmaci ashtu edhe në More. Derisa popujt të Gadishullit Ilirik (kryesuar nga shqiptarët, pastaj bullgarët, serbët, grekët etj), nxiteshin nga Perandori Austriak, për kryengritje antiosmane, e komanduar nga At Pjetër Bogdani! Gjatë kësaj kohe, kalvari i parë i Luginës së Preshevës (Karadakut), ishte kryengritja anti-osmane e vitit 1689. Ushtritë Austriake depërtuan deri në Shkup, pra përmes Luginës së Preshevës, ku shqiptarët i bashkoheshin masivisht kryengritjes anti-osmane (sa që deri më sot, janë përcjellur gojdhana e deri këngë lufte)!Njëjtë edhe shqipëtarët e Kosovës, iu bashkuan ushtrive austriake! Fatkeqësia ndodhi në Grykën e Kaçanikut, përmes së cilës pritej bashkimi i Ushtrive Austriake, të asaj që çliroi Kosovën, me atë që kishte çliruar përmes Luginës së Preshevës për në Shkup, prej nga do vazhdonin çlirimin e Selanikut e tutje! Dështimi i Betejës për marrjen e Grykës së Kaçanikut, bëri që të dështonte e gjithë kryengritja anti-osmane dhe lufta anti-osmane e udhëhequr nga Austria!

Me janar 1690, pra me dështimin e Luftës Austriake kundër Osmanëve dhe në të njejtën kohë dështimin e kryengritjes sidomos Shqiptare kundër osmanëve, filloi kalvari i tmerrshëm për Kombin Shqiptar! Prej qershor 1453, kur Perandoria Osmane kishte lidhur aleancë me Patrikanën e Stambollit (Kishën Ortodokse greko-sllave), vetëm shqiptarët u akuzuan për kryengritjen anti-osmane të 1689. Represioni brutal i pushtuesit osmane në bashkësundim me Patrikanën e Stambollit, u vu në veprim. Shqiptarët e Luginës së Preshevës që deri në këtë periudhë ishin pothuajsë 100% katolikë, u detyruan të iknin: ose maleve të Karadakut, ose për në drejtim të Vojvodinës (tokës së Austrisë). Pushteti Osman në hakmarrje spastroi etnikisht dhe kreu xhihad mbi Shqipëtarët edhe të kësaj treve, e në vend të tyre vendosën sllav apo edhe më pas (pas viteve 1705) edhe shqipëtar të muslimanizuar-këto ende  tregohen me frikë nga gojdhanat e popullit të kësaj ane. Në vitet 1690-1735, në Luginë të Preshevës, hapësira e ultësirës kishte pësu ndryshim të tmerrshëm etno-teologjik, më nuk kishte katolik. U zhdukën fshatra të shumta Shqipëtare të rrafshit të Luginës së Preshevës, duke përfshirë edhe Rahovicën, e kryesisht fshatrat që ndodheshin në fusha. Madje gojtaria e popullit ka përcjellur edhe:” sollën Shqipëtarët musliman nga ana e Shkodrës derisa atje bëhej kryengritje anti-osmane, pushtuesit Osman i ofronin faljen e jetës së familjeve të kryengritsëve dhe vendosjen edhe në Luginë të Preshevës, si familje muslimane”. Në shumicën e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, mund të thonë që origjina e tyre është nga Malësia e mbi Shkodrës, e që lidhet me shpërnguljen e viteve 1690-1735, mirëpo nëse rrëmon më thellë do shohësh që një pjesë e tyre realisht janë vendas, por që pushteti serb i pas viteve 1912 dhe hoxhallarët e Mbretërisë serbo-kroato-sllovene ia imponuan një vetëquajtje të tillë për nga origjina. Zhvendosja e dhunshme nga një vendbanim Shqipëtar, në vendbanimin tjetër Shqipëtar, ishte taktikë ushtarake me të cilën pushtuesit Osman arrinin t’i tjetërsonin fetarisht shqiptarët, sa që psikologjikisht edhe sot e vërejmë që “Shqiptarët turpërohen për një të keqe vetëm para atyre që njihen e jo edhe para atyre që nuk i njohin”.

Historiografia serbe e quajti këtë gjoja ikja e serbëve, por në fakt nga Lugina e Preshevës vetëm shqiptarë kishte dhe vetëm të tillët u detyruan të iknin. Emrat edhe të shqiptarëve të Luginës së Preshevës ishin të shumtë të tipit bizantin, të cilët më pas u përvetësuan si emra gjoja sllav e bullgar.

Kisha katolike përpjekej në forma të ndryshme për mbrojtjen e besimtarëve të saj, por asnjëra nuk dha rezultat. Madje disa raste Kisha katolike i vuri në mes dy zjarresh shqiptarët, duke kërkuar që të bëjnë ç’të jenë e mundur, që të ruajnë identitetin fetar katolik ose në të kundërtën shkishërohen. Shumë shqiptarë në këtë periudhë u bënë “shkije” u shkishëruan edhe në Luginë të Preshevës.

Tjetërsimi fetar i ngjarë sidomos në vitet 1690-1735, i parapriu tjetërsimit kombëtar të shqiptarëve. Në këtë periudhë mund të flasim për islamizimin e rrafshit të Luginës së Preshevës dhe mbetjen tërësisht të krishter katolik të malësisë së Karadakut të Luginës së Preshevës. Në vitet 1836-1908, në mënyrë të vazhdueshme ndodhi gjenocidi Osman kundër Shqipëtarëve në Karadak dhe në rrafshin e Luginës. Për fat sot, kujton Kombi yn, vetëm rastin e Martirëve të Karadakut (Stubllës), por shqiptarët katolikë të Karadakut të Luginës së Preshevës, nuk e patën fatin të kishin prijësin fetar pas vitit 1705 (Kuvendit të Arbërit), gjë që askush  nuk ishte zë i tyre! Kjo periudhë njihej si periudhë e “trashjes së zullumit osman”, gjegjësisht në ndërdije të parëve tonë, identifikohet si Kalvari i dytë i Luginës së Preshevës (Karadakut)!

Si përfundim, Lugina e Preshevës edhe pse kishte një rol vendimtar në kryengritjen anti-osmane të vitit 1690, ky vit njihet si viti i shkëputjes së të kaluarës tonë mijëravjeçare nga Europa dhe lidhja me islamin, të keqen që do e bartim në supe vazhdimisht me pushtimet  osmano-sllave.

 

 

 

 

 

Skënder Jashari, ish i burgosur politik nga EULEX, për  rastet e sulmeve kundër policisë dhe xhandarmërisë së Serbisë në Dobrosin, komuna e Bujanocit. Ky shkrim është pjesë e marrë nga punimi i bërë gjatë qëndrimit në burgimin politik!

Master drejtimi juridiko-penal dhe studime joformale ushtarake.

 

 

Please follow and like us: