Albspirit

Media/News/Publishing

Manifestimi kulturor ‘Ora e maleve’ promovon librin e Shaban Muratit

No photo description available.

 

Manifestimi kulturor i përvitshëm ‘Ora e maleve”, në edicionin e tij të njëmbëdhjetë, zhvilluar në 6-7 dhjetor 2019 në Rrozhajë, pati të tjerë pjesëmarrës dhe një cikël veprimtarish që kulmonin me promovimin e librit të publicistit dhe diplomatit të shquar Shaban Murati, “Bosnja. një pikëpamje nga Tirana”.

Organizatori i kësaj veprimtarie Ali Daci është një personalitet i njohur i viseve shqiptare si shkrimtar, publicist, aktivist politik, madje i vlerësuar edhe nga Presidenca e Shqipërisë dhe komuna e Pejës. Për më shumë se një dekadë ai organizon këtë veprimtari kulturore me pjesëmarrës nga të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët që, përpos të tjerave, është edhe një mesazh për të mos braktisur dheun e të parëve. Rrozhaja, një krahinë e bukur dhe me një klimë të mrekullueshme, që dikur dominohej nga shqiptarët, aktualisht ka një përqindje të vogël të tyre.

Dita e parë e manifestimit kulturor hapi siparin me Himnin Kombëtar dhe u pasua me fjalën përshëndetëse të organizatorit, z. Ali Daci. Gjithashtu, po këtë ditë u çel ekspozita me 30 tablo e piktorit Pjetër Marku, u dha një program artistik si dhe u krye një bashkëbisedim mes krijuesish.

Në ditën e dytë, që nisi sërish me interpretimin e Himnit Kombëtar u përurua vepra “Bosnja: një pikëpamje nga Tirana” të autorit Shaban Murati, Mjeshtër i Madh, libër për të cilin foli publicisti dhe shkrimtari Çerçiz Loloçi. Ai tha ndër të tjera se pas librit të Vaso Pashës, ky është libri i dytë që ka në fokus boshnjakët në tri dekadat e fundit. Libri është një përmbledhje artikujsh të botuar në kohë të ndryshme, në shqip dhe në gjuhën boshnjake, që ka pasur jehonë të gjerë më mediat vendase dhe te huaja dhe që ka pasur disa promovime të njëpasnjëshme në Tiranë, Sarajevë dhe tani në Malin e Zi. Autori, një institucion më vete, me përvojë të gjatë gazetareske e diplomatike dhe me një korpus librash të çështjeve ndërkombëtare dhe jo vetëm, me librin e fundit apelon për marrëdhënie më të mira mes boshnjakëve dhe shqiptarëve, që shpesh kanë pasur edhe fate të përbashkëta.

Më pas u kalua te ora letrare dhe përshëndetjet na poetë, njerëz të letrave, përfaqësues të botës së medies, aktivistë të shquar shoqërorë, si Rrezëartë Samiu, profesori dhe shkrimtari Ejup Ajdini, presidenti i Unionit Mbarëkombëtar të Artistëve Azgan Haklaj, Elinda Dibra, publicisti Ramiz Lushaj,  shkrimtari nga Tetova Ekrem Ajruli, Zise Pepshi, Hodo Katal, poetja dhe profesorja Olimbi Velaj, Burkuqe Aliu, botuesi i gazetës ‘Dibra’ Fatos Daci, Rovena Stefa Koçi, drejtori i akademisë alternative ‘Rrënjët’ Sazan Guri, Anton Gjurafqaj etj., Verimtarinë e hijeshoi edhe interpretimi i bukuroshes Kështjella Pepshi, Miss Univers Kosova 2010.

Shumë nga pjesëmarrësit i dhuruan qendrës “Ora e Maleve” disa nga botimet e tyre. Në këtë takim kulturor, Alban Daci, anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave, edhe pse nuk ishte i pranishëm, për shkak të angazhimeve të tij në Itali, dhuroi librat: ‘Evropa në marrëdhëniet ndërkombëtare’ dhe ‘KuqeZi’.

 

PËR DY DITË ROZHAJA NË MAL TË ZI, U BË QENDRA E PROMOCIONIT KULTUROR SHQIPTAR

 

Rozhaja nderon diplomatin Shaban Murati me Çmimin e Lartë “Ora e maleve”

Please follow and like us: