Albspirit

Media/News/Publishing

Bislim Ahmetaj: Urime ditëlindjen, bija jonë!

Image result for bislim ahmetaj"

Fëmija i parë i Lëvizjes Studentore në atë Dhjetor historik të 90-ës ishte Partia Demokratike e Shqipërisë. E kam hedhur firmën për të qënë themelues i saj darkën e datës 10 Dhjetor në Godinën Nr.15 në Qytetin Studenti, në një dhomë studentesh të improvizuar si zyra e Kryetarit të Komisionit Nismëtar për themelimin e partisë së studentëve dhe intelektualëve të ri akoma pa marrë emrin e vërtetë që mori më vonë, në këtë zyrë ishte Azem Hajdarit. Në atë moment historik kam qëlluar të jem bashkë me babën tim, i cili erdhi në Tiranë për me qenë pranë nesh jo si i dërguar nga Komiteti i Partisë së rrethit siç ndodhi me shumë të tjerë, por nga ndërgjegjia e tij si prind i përgjegjshëm që i njihte mirë djemtë e tij dhe na kish porositur një mijë herë “Mos hyni në burg si punëtor ferme, se nuk do ta marrë vesh kurrë njëri që jeni në burg, duroni, shkoni në shkollë të lartë, po u burgosët duke qënë studentë do ta marrë vesh gjithë Shqipëria”. Pasi unë e shkrova emrin, emrin e babës, mbiemrin, numrin e letër-njoftimit në një fletore në memorien time dhe hodha firmën. Azemi iu drejtua babës: Dajë, firmos edhe ti për të hyrë në partinë tonë. Baba iu kthye si rrufe, siç ai di të japë përgjigje që kur e njoh: “Azem kjo është partia juaj, koha jonë ka mbarue. Ju ju daltë për hair…”.

Tani pas 29 vitesh Azemi nuk jeton ma ,jo prej Zotit, por prej dorës së vrastareve që nuk deshën që ajo të ishte partia e brezit të ri siç mendonte im atë dhe ne aso kohe. Baba jeton akoma, por nuk ma kujton më atë moment, ndoshta edhe pse nuk do të më lëndojë. Ndërsa Partia Demokratike pas Godinës 15 që ishte selia e parë e saj ka ndërruar 5 seli-shtëpi dhe 6 kryetarë në këtë përvjetor e ka shtëpinë-seli më të madhe, me më shumë drita, por ekipin që e drejton dhe kryetarin më të vogël dhe shkëlqimin më të zbehtë, besimin dhe shpresën thuajse të dërmuar… Selinë e Parë të Partisë së studentëve dhe intelektualëve të rinj shqiptarë që ishte Godina Nr.15 në Qytetin Studenti këto ditë po e shembin, ndoshta e ka goditur pamëshirshëm termeti i 26 Nëntorit, ndoshta edhe errësimi po aq i pamëshirshëm i syve të vrastarëve historikë të lirisë sonë. Shtëpia e re ku është vendosur PD-ja pas humbjes rraskapitëse të vitit 2013 ka një histori të shëmtuar në të kaluarën komuniste. Ajo ka shërbyer si shtëpi e propagandës bolshevike kundër NATO-s dhe Amerikës, ishte vendi i orgjive të oficerëve të lartë të ushtrisë komuniste shqiptare. Ajo sot vërtet shndrit nga jashtë, por lidershipi i ngujuar nëpër zyrat e shumta të saj tash 6 vite s’ja ka dalë të mbjellë shprese dhe besim tek shqiptarët edhe pse jemi qeverisur më keq se kurrë në këto 29 vite, ngjashëm me vitet kur kishte vetëm një parti dhe disa këmbë oktapodi që e ushqenin dhe mbanin në pushtet. Ajo, Godina Nr.15 vertetë s’kishte drita, aq më pak luks, por ia doli të ngjallë shpresë dhe besim ndër shqiptarë anë e kënd botës ku ata jetonin deri sa mjeshtrat e vjetër të politikës antishqiptare vendosën ta shuajnë atë shpresë, ta djegin atë liri dhe tash së fundi edhe ta rrafshojnë Selinë e parë të Lirisë dhe Demokracisë Shqiptare.

Gëzuar ditëlindjen bija jonë e dërrmuar, e kërrusur, e grabitur, e keqtrajtuar!

Uroj që në përvjetorin e 30, ti bija jonë që linde në Qytetin e Lirisë, pas 46 vitesh diktature të kesh një shtëpi të ngrohtë ku të mblidhen rreth teje të gjithë ata që të themeluan me shpirt dhe me zemër, të gjithë ata që t’u bashkuan në ditët e para dhe të rritën, të gjithë ata që investuan idealet dhe rininë e tyre tek ti, të gjithë ata që e çmojnë dhe e duan lirinë, demokracinë dhe mbi të gjitha Shqipërinë!

Tiranë, me 11 Dhjetor 2019.

Please follow and like us: