Albspirit

Media/News/Publishing

Kryetarja e Gjykatës Administrative të Durrësit, Velçani nuk kalon vettingun

Kryetarja e Gjykatës Administrative të Durrësit, Marjana Velçani, nuk ka kaluar vettingun.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) ka shkarkuar nga detyra gjyqtaren Velçani për shkak të problemeve me deklarimet e pasurisë dhe mangësive në profesionalizëm.

Komisioni ngriti dyshime për burimet financiare në blerjen e një apartamenti në Berat me sipërfaqe 111 m2, në vitin 2003. Problematikat lidhur me këtë apartament ishin në pagesë si dhe në disbursimin brenda 3 muajve të një kredie 20 mijë euro të marrë për blerjen e tij.

Në lidhje me këtë apartament, KPK ka evidentuar pasaktësi në deklarim për arredimin e tij pasi sipas deklarimeve të gjyqtares vlera shkon në 300 mijë lekë ndërkohë që Banka Popullore e kishte bazuar dhënien e kredisë për mobiliet e banesës në Berat, duke i përllogaritur ato 2.3 milionë lekë.

Komisioni identifikoi pamundësi financiare edhe për blerjen e automjetit tip Ford Fiesta në vlerën 250 mijë lekë në vitin 2006, me një balancë negative prej 437 mijë lekësh. Nga analiza financiare është konstatuar balancë negative dhe për vitet 2005 dhe 2012.

Komisioni identifikoi një sërë problemesh edhe në kriterin e profesionalizimit. Sipas Bekteshit, gjyqtarja Mariana Velçani, është vlerësuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësorë se ka aftësi mesatare në interpretimin e ligjit, por janë konstatuar probleme në zbatimin e procedurës dhe se nuk përdor praktikat e gjykatave më të larta në vendimet e saj.

Tjetër gjetje është edhe mbajtja e qëndrimeve të ndryshme në gjykime. Në aspektin organizativ Komisioni evidenton tejkalim të afateve në të tetë dosjet e shqyrtuara. Në 4 raste ka rezultuar se ka vepruar bazuar në Procedurën Civile, ndërsa në një rast në atë Administrative. Bekteshi tha se këto probleme, gjyqtarja Velçani i ka justifikuar me ngarkesën e punës. Ndërkohë, Velçani ka marrë vlerësim pozitiv lidhur me etikën. Nga gjashtë denoncime të kryera nga publiku komisioni ka konstatuar probleme procedurale në dy raste.

Please follow and like us: