Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: MINIPAMUKU BALLKANIK DHE BADIGARDI I SHESHELIT,VUÇIQ…!

Image result for minishengeni ballkanik"

Erdhi edhe në Tiranë, ideologu i Minishengenit apo Minipambukut, VUÇIQ.

I gjatë e sfidant, ashtu si në Sarajevë, në Ohër edhe në Tiranë, ai na bëri me dije se ka ardhur tek ne pasi i ka llogaritur mirë interesat e Serbisë dhe se ne nuk duhet të na vijë çudi se kjo marrëveshje e treshes ballkanike do të jetë e mirë edhe për të tjerët, për Shqipërinë e për Malin e Zi, por veçanërisht për Bosnje Hercegovinën e për Maqedoninë e Veriut.

Për të tërë do të bëhej mirë veç për Kosovën ai nuk e nxori asnjë fjalë, broçkulloi në mes të Tiranës kundër saj, na tha që VENDORIT ata i thonë KRAHINË e piu një çaj shumë të shijshëm dhe u largua për në Beograd.

Do të ketë që nesër analiza nga të gjithë ata që na kanë velur me analiza 30 vjet, do të ketë bilance të përfitimeve me shumicë, komplimente për politikën tonë të jashtme, por një analizë të mirëfilltë të dëmeve e përfitimeve nuk do ta bëjë askush.

Dhe shkaku i vërtetë do të jetë ajo me të cilën tek ne nuk merret askush, as media dhe as politika në Shqipëri, e drejta e Shqipërisë për të marrë vendime rajonale pa llogaritur interesat e Kosovës dhe pa praninë e saj në tavolinat e çfarëdolloj bisedimeve, pa llogaritur e kushtëzuar këto bisedime me të drejtat e nëpërkëmbura të shqiptarëve në Kosovën Lindore e cila çdo ditë e në sytë e shqiptarëve po tretet dalëngadalë duke ndryshuar dhunshëm raportet demografike në tre komunat tradicionale shqiptare për të cilat flitet përditë e nuk bëhet asgjë.

Duke qëndruar për kohë të gjatë pa ndihmën e Shqipërisë njerëzit në këto komuna po largohen me dëshpërim nga fshatrat dhe qytetet e tyre ku kanë jetuar në shekuj dhe këto vende të pasura po ua dhurojnë serbëve të cilët nuk kanë hasur asnjë pengesë as nga Prishtina dhe as nga Tirana zyrtare.

Duke i hedhur një vështrim kritik e historik marrëdhënieve shqiptaro-serbe në këto 30 vjet dhe veçmas pas luftës në Kosovë do të kuptojmë se serbët e kanë rritur kërkesën e llogarisë ndaj shqiptarëve dhe po e kalojnë në paqe periudhën e pas luftës të cilën ata e humbën dhe nuk kërkuan as falje e nuk dhanë as dëmshpërblime për atë gjak që kanë derdhur ndaj popullit shqiptar.

Sot, ata serbët me gërdallën në krye erdhën në Tiranë si triumfatorë dhe realisht edhe si lider të krejt Ballkanit.

Eksportet e tyre do të rriten e tregu shqiptar gjithnjë e më shumë do të bëhet i varur nga mallrat dhe produktet e industrisë serbe.

Do të harrohet mielli e gruri i Ukrainës, vaji me dioksinë e shumë produkte të tjera me lëndë kancerogjene të futura në Kosovë e në Shqipëri nga Republika e Serbisë e cila siç ka bërë në Kosovë me qindra vjet do të bëjë edhe për ne shqiptarët e mbetur ende të paikur drejt Europës.

Vetëm për dinjitet e për moral ne duhet të kthejmë kokën nga tregje të tjera nga vende e popuj që nuk kanë ndaj nesh pretendime territoriale.

Duhet të ikim nga ata që na vranë e nuk kanë kurrfarë pendese për çfarë na kanë bërë.

Nuk përligjet asesesi bashkëjetesa e jonë, e ne shqiptarëve, në një kope me ujqërit.

Të jeni të sigurtë se nesër badigardi i SHESHELIT e nxënësi i “Doktrinës SLLOBO”, bashkë me sojin e tij do të na vrasin përsëri dhe këto njerëz në vend që të bëjnë të penduarin po na bëjnë kokoshin e kjo është e pafalshme për ne.

Gjithandej na vijnë thirrje për dialog, thirrje që ne shqiptarët t’ia shtrimë dorën Serbisë e kurkush nuk merret me krimet e detyrimet e saj ndaj shqiptarëve.

Na kërkohet që ne të falim përsëri gjak e troje e kjo është krejt e pafalshme, poshtëruese dhe e dëmshme për të ardhmen.

Pa i qëruar mirë hesapet dhe pa Kosovën në tavolinë, pa një qëndrim reciprok ndaj të gjitha problemeve shqiptaro-serbe nuk mund të ketë të ardhme, paqe e siguri në Ballkan.

Please follow and like us: