Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptarët dhe hebrenjtë – miqësi që sfidon kohët!

Shkrimi i botuar në gazetën prestigjioze izraelite “The Jerusalem Post”. Shqipëria dhe Izraeli kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe mbështetja gjatë tragjedisë së fundit e vuri në pah përsëri këtë miqësi të vërtetë. Miqësia ndërmjet shqiptarëve dhe popullit hebre tregoi se ka kaluar nëpër kohëra dhe sfida të mëdha.

Akri Çipa

Elie Wiesel shkruante se miqësia nuk është gjë tjetër përveçse të ndash me tjetrin si me vetveten. Miqtë ndajnë momentet e lumtuara, por, më e rëndësishme është të ndajnë momentet e dhimbshme. Në castet tragjike të Shqipërisë së këtyre tri javëve të fundit, lidhja e miqësisë me Izraelin dhe popullin hebre u vu përsëri në dukje.

Ndiq “Izraeli Sot” në Facebook dhe Twitter dhe  Grupin Izraeli dhe Shqiptaret

Nuk kishte vend për festime në Shqipëri, nëntorin që shkoi. Teksa vendi ballkanik po përgatitej për 28-29 nëntorin, një tërmet shkatërrues nuk la vend për momente gëzimi. Flamuri që duhej të valëvitej lart në qiell, ndaloi në gjysëm-shtizë.

Në 26 nëntor, Shqipëria u godit nga një tërmet me magnitudë 6.4 – më i forti në vend në dyzet vitet e fundit. Me 51 viktima, kjo katastrofë ishte eventi më tragjik në kujtesën e rishtë. Ndërsa epiqendra e tërmetit ishte shumë afër zonave më të populluara të vendit, shifrat zyrtare të qeverisë pasqyrojnë më shumë se 13 mijë banorë u prekën në mënyrë të drejtpërdrejtë nga tërmeti.

Megjithëse situata ishte kritike, kumtet e miqësisë ndaj shqiptarëve ishin prekëse. Përveç mbështetjes vëllazërore nga Kosova, vendet fqinje dhe miqtë nga Europa dhe bota erdhën menjëherë në ndihmë. Italia, Greqia, Franca, Rumania, Turqia, Gjermania dhe shumë vende të tjera sollën menjëherë ekipe shpëtimi në Shqipëri dhe premtuan ndihmë financiare. Ndërmjet miqve të shumtë tek të cilët mund të mbështetej Shqipëria në këtë kohë të vështirë ishte dhe Izraeli, i cili shprehu menjëherë solidaritetin duke dërguar një ekip shpëtimi për të dhënë mbështetje logjistike dhe për të ndihmuar për rindërtimin.

Sipas disa vlerësimeve, më shumë se 1,500 familje shqiptare mundën të kthehen në shtëpitë e tyre pas sigurimit të apartamenteve nga ekipi izraelit, por edhe të spitaleve dhe shkollave të goditura nga tërmeti.

Videoja e kryeministrit Edi Rama teksa falenderonte ekipin izraelit për mbështetjen në emergjencën post-tërmet, u shpërnda nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ritheksoi mbështetjen e Izraelit për Shqipërinë në këtë kohë të vështirë.

Kryeministri Rama u shpreh në videon e tij se Shqipëria ishte “krenarisht i vetmi vend në Europë me më shumë hebrenj pas se sa para Luftës së Dytë Botërore”. Në fakt, marrëdhënia ndërmjet shqiptarëve dhe popullit hebre u forcua në ato orë të errëta për Europën dhe për botën. Jo vetëm që shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë refuzuan të dorëzonin anëtarët e komuniteteve hebraike vendase, por ata strehuan dhe ushqyen shumë refugjatë që vinin nga Europa qendrore dhe jugore.

Një përshëndetje e bukur ishte ajo e Forcave Mbrojtëse të Izraelit, në të cilën u përmendën disa nga historitë e panumërta të shqiptarëve që shpëtuan hebrenj nga nazistët gjatë Holokaustit. Në faqen zyrtare të ushtrisë izraelite, i mëshohej faktit se ekipi i shpëtimit në Shqipëri “kishte një kuptim shumë më të madh për izraelitët nga sa mund të dukej në pamje të parë”.

Shqipëria dhe Izraeli kanë marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe mbështetja gjatë tragjedisë së fundit e vuri në pah përsëri këtë miqësi të vërtetë.

Solidariteti pas tërmetit nuk është një rast i izoluar. Në fakt, historia është e pasur me shembuj të tillë ndërmjet shqiptarëve dhe popullit hebre. Shqiptarët e mbajnë mend mirë kur Izraeli mirëpriti shumë refugjatë që u larguan nga Kosova në vitin 1999, teksa Serbia kishte nisur fushatën e saj të gjenocidit ndaj shqiptarëve. Fushata e NATO-s e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara u mbështet dhe u përshëndet nga komunitetet hebraike në botë, veçanërisht nga komuniteti hebreo-amerikan.

Ndjenja e ndërsjelltë e respektit dhe miqësisë ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, e përforcuar në një tjetër kohë të vështirë si tërmeti i fundit, është vlerësuar nga të gjithë shqiptarët në Ballkan dhe përtej. Një ndjenjë e thellë vlerësimi dhe mirënjohjeje u shpreh jo vetëm nga liderët në Shqipëri, por edhe nga diaspora shqiptare, sikurse mund të vërehet dhe te fjalët e Mark Gjonaj, anëtar i këshillit bashkiak në qytetin e Nju Jorkut dhe përfaqësues i komunitetit shqiptaro-amerikan. Ai nënvijëzoi faktin se bota ka nevojë për më shumë histori të tilla.

Miqësia ndërmjet shqiptarëve dhe popullit hebre tregoi se ka kaluar nëpër kohëra dhe sfida të mëdha. Teksa Shqipëria po ndërmerr rrugën e gjatë dhe të vështirë të rindërtimit, është mirë të dish që ke miq të vërtetë tek të cilët mund të mbështetesh.

Shkrimi është botuar fillimisht në gazetën prestigjioze izraelite “The Jerusalem Post

Please follow and like us: