Albspirit

Media/News/Publishing

Altina Çoçaj: Kosovës!

Kosovë, jam unë bija jote. Bija që s’mori hisen e babës që ma la amanet para se të binte në altarin e lirisë.

Kosovë, jam unë nana e tre djemve që ta ujitën tokën me gjak e gjakun e tyre po i’a njollosin duart e liga.

Kosovë, jam unë një prej heroinave që u dhunua prej shkjaut që dy dekada, e sot unë po e ruaj vajzën prej vllaut shqiptar.

Po Kosovë, këto të zeza të n’gjanë.

Kosovë, jemi ne, rinia, por fatkeqësisht nuk jemi në vendin tonë, Kosovë.
Na prenë ëndrrat, na vodhën shpresat, na këputën krahët e na përdhosën në dyer të Evropës.
Nuk deshëm Kosovë, por na detyruan.

Kosovë, edhe ajri nuk është më i njëjti.
Helmohemi çdo ditë me helmin e egozimit, me helmin e vëlla-vrasjes e kohët e fundit edhe prindër-vrasjes dhe e kundërta, me helmin e mosmirënjohjes. Vrahemi mes vete për toka tona Kosovë. E ndër vete jemi bërë vrer.

E tash Kosovë, edhe besa po tretet.

Kosovë, nana jonë Shqipnia na ktheu shpinën.
Strehoi armikun tënd më të madhin, shkjaun.
Armikun që t’i mori qindra djem, Kosovë.
Armikun qe t’i dhunoi çikat, Kosovë.
Armikun qe t’i la fëmijët jetimë e nënat ende shpresojnë se bijtë e tyre do i kthehen ose mbase eshtrat do t’ia gjejnë.
Ta thyen besën Kosovë.
Të copëtuan.

Kosovë, unë po mundohem që të të bëj krenare në botë, ama diplomën time nuk e njeh askush.
Kosovë, gjitha portat na mbyllën.
Etja për të qenë në maje po shkatërron çdo ditë e më shumë ëndrrat tona, se unë po diplomoj Kosovë, e në fund po punoj zanat për bukën e gojës.

Kosovë,
Në fyt kam ende, po s’guxoj Kosovë.
Të dëshprova, e di.
Nuk u bëmë ashtu siç ti deshe.

Ama të duam Kosovë kështu siç je, e jetën e japim për ty.

Se ti je atdheu ynë Kosovë e unë jam bija jote.

 

Please follow and like us: