Albspirit

Media/News/Publishing

BE mbështet nismat për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

Aleanca për mbrojtjen e Teatrit njofton se në një komunikim zyrtar,  Mariya Gabriel, Komisionerja e Bashkimit Europian për inovacionin, kërkimin, kulturën, edukimin dhe rininë, bëri të ditur publikisht mbështetjen e saj për shtatë nismat për mbrojtjen e vendndodhjeve me rëndësi të veçantë të trashëgimisë kulturore që më 24 mars u shpallën si pjesë e programit të “Europa Nostra” për vitin 2020, ku Teatri Kombëtar figuron në krye.

Sipas saj, në muajt në vijim ekipe ekspertësh do të zhvillojnë plane aksioni për rimëkëmbjen e këtyre vendndodhjeve dhe për identifikimin e burimeve të mundshme të fondeve.

Qëllimi i programit të “7 vendndodhjeve më të rrezikuara” është që të shërbejë si katalizator dhe të promovojë ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore europiane përmes “fuqisë së shembullit të mirë”.

“Mariya Gabriel, Komisionerja e re e Bashkimit Evropian për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Edukimin dhe Rininë, sapo ka njoftuar mbështetjen e saj të plotë për listën e 7 Siteve më të Rrezikuara nga ana e Europa Nostra – ku kryeson Teatri Kombëtar.

Ky është mesazhi kulmor dhe vendimtar që tregon se komuniteti ndërkombëtar dhe Bashkimi Evropian nuk mund të pranojë shembjen e trashëgimisë kulturore dhe nuk do të lejojë kurrë prekjen e Teatrit Kombëtar.

Faleminderit nga zemra znj. Gabriel!

#mbroteatrin #mbroshqiperine”, shkruhet në postimin e Aleancës, krahas fotografisë së postimit të Mariya Gabriel.

 

Please follow and like us: