Albspirit

Media/News/Publishing

Ali Daci: Në 21-vjetorin e vrasjes së refugjatëve shqiptarë të Kosovës në Mal të Zi

Erdhi dita e malësisë: Ali Daci | RugovaPost

 

Pse hesht drejtësia malazeze për vrasjen e refugjatëve kosovarë?!
21 refugjatë të pafajshme ranë nën breshëritë e plumbave të forcave militare e paramilitare serbo- malazeze.

Sot, më 18 prilli 2020 u mbushën plot njëzet e një vite nga dita e vrasjes së refugjatëve kosovarë në Husaj të Rozhajës. Edhe pas dymbëdhjetë viteve të pavarësisë së Republikës së Kosovës, asnjë Kyeministër e as Ministër i Drejtësisë deri më tani nuk ka kërkuar nga qeveria e Malit të Zi që të zbardhet rasti i vrasjes së refugjatëve nga Kosova në teritorin e Malit të Zi, në pranverën e vitit 1999. Shteti i Kosovës duhet të jetë këmbëngulës në kërkimin e drejtësisë për qytetarët e vet. Zyrtarë kosovarë duhet të kërkojnë nga shteti i Malit të Zi zbardhjen e këti krimi dhe vendosjen e drejtësisë, krim ky i cili është në kundërshtim më çdo ligj lufte dhe konvente për të drejtat e refugjatëve. Familjarët e të vrarëve presin nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu të marrin hapa konkret dhe këtë çështje ta paraqesin si prioritet në marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Kanë kaluar njëzet e një vite të plota nga vrasja e refugjatëve shqiptarë nga Kosova në teritorin e Mali të Zi nga forcat militare e paramilitare serbo- malazeze. Gjatë periudhës kohore mars – qershor e deri në tërheqjen e plotë forcave ushtarake serbo-malazeze nga Malësia e Rozhajës u vranë dy fëmijë, dy gra të moshuara, pleq por edhe të rinj që e çojë numrin të vrarëve e të masakruarve e të karbonizuarve në 21 persona dhe janë plagosur rëndë dhjetëra civilë të tjerë refugjatë, por edhe banorë të fshatit Husaj, shtetas të Malit të Zi. Nga ajo kohë rezulton ende i zhdukur trupi i pajetë i Sadik Ramçajt nga Vrella e Istogut. Jo vetëm ky preson rezulton i zhdukur, por dyshohet se nga turturat në burgjet e improvizuara të ushtrise serbo-malazeze në Andrijevicë janë likuiduar dhe zhdukur persona të tjerë që kurrë nuk u hulumtua e as u zbulua ky krimi i organizuar nga forcat paramilitare e militare serbo-malazeze.
Që 16 vite, por edhe me ndërprerje, në bashkëpunim me Komiteti Malazias të Juristëve për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, më 18 maj të vitit 2005 ngriti një kallëzim penal për krimet e bëra mbi civilët kosovarë të nënshkruar nga avokati i mirënjohur Velia Muriq, kryetar i këtij asociacioni dhe përfaqësuesi i KMLDNJ në Pejë avokati Zenel Mekaj. Këtë kallëzim penal avokatët ia dorëzuan edhe Tribunalit të Hagës, gjegjësisht hulumtuesit të këssj gjykate ndërkombëtare Z. Roel Versonnen në Beograd. Ndërkaq më 30 korrik 2008, Prokuroria Supreme Shtetërore e Malit të Zi ngriti një aktakuzë me propozim për caktimin e paraburgimit të 8 pjesëtarëve të Batalionit të I të Brigadës së III të motorizuar të Korpusit të Podgoricës të armatës së II të Ushtrisë Jugosllave. Nga kjo datë kanë vazhduar dëgjimet e dëshmitarëve në gjykatat themelore në Rozhajë, Bjell Pole, në Gjykatën e Lartë në Podgoricë si dhe në Gjykatën e Apelit në Podgoricë. Të gjitha faktet dhe dëshmitë jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të zyrtarëve shtetëtorë të Malit të Zi janë hedhur poshtë nga “organet e drejtësisë” në Malin e Zi.

Heshtja e krimit dhe lirimi i të akuzuarve nga aktpadia është edhe një akt qyqar i drejtësisë malazeze e që është i papranueshem dhe lag drejtësisë dhe respektimit të të drejtave njeriut. Të akuzuarit pas tri vitesh sa u mbajtën nën hetime u liruan nga Gjykata e Apelit në Podgoricë në mungesë ‘provash’ dhe u shpallën ‘të pafajshëm’ në dhjetor të vitit 2014, siç u tha në vendimin e kësaj gjykate. Gjykata e Apelit në Podgoricë i liroi nga aktpadia dhe i shpalli të pafajshëm e të lirë të dyshuarit për krime në Husaj, Bukel i Sipërm, Fushë e Gilit, Besnik e gjithë andej territorit të komunës së Rozhajës ku u kryen këto krime. Absurde të tilla të padrejtësisë malazeze nuk duhet të befasojnë opinionin, pasiqë ata kurrë nuk kanë dënuar krimin dhe kriminelët që nga Masakra e Tivarit ku i vranë dhe masakruan mbi 4800 rekrutë shqiptarë të Kosovës. Avokati Velia Muriq në vitin 2015 përsëriti Kallëzimin Penal dhe kërkoi nga Prokuroria Supreme malazeze që të zbardhet rasti dhe të bëhen hetimet e duhura për ndalimin e personave të përfshirë në këtë krim, të burgosen kriminelët, urdhërdhënësit e këtij krimi. Po ashtu avokati iu ka nisur një letër të instacave më të larta të shteti të Malit të Zi duke kërkuar hetimin e menjëhershëm dhe të vazhdueshëm të krimit dhe arrestimin e të dyshuarve.
Edhe njëqind herë duhet të apelohet në instancat me të larta të drejtësisë botërore që ketë proces ta marrin në dorë si Gjykata Ndërkombëtare, gjykatat speciale pasiqë shteti i Malit të Zi e fsheh krimin aq të dëshmuar dhe nëse nuk do të merren masa serioze më siguri drejtësia malazeze do t’i shpërblejë të dyshuarit për krimet e luftës gjatë vitit 1999 të shkaktuara në Malësinë e Rozhajës. Ndërkaq banorët e Malësisë së Rozhajës dhe jo vetëm këta, por edhe komuna vetë në bashkëpunim me familjarët e të vrarëve e komunën e Pejës dha atë të Istogut duhet që sa më parë të ngrejnë në Rozhajë apo në Husaj një lapidar kushtuar këtyre martirëve të kombit.
18 prill 2020, Rozhajë.

Please follow and like us: