Albspirit

Media/News/Publishing

Gusht 1989/Kur Nënë Tereza vizitonte për herë të parë Shqipërinë

Vizita ne Shqiperi - KultPlus

Pas disa refuzimesh për dhënie vize hyrjeje në Shqipëri dekada më parë, për të marrë pjesë në ngjarjet e hidhura të familjes së saj që jetonte në Shqipëri, Nënë Tereza nuk i ndërpreu asnjëherë përpjekjet për të vizituar atdheun e saj, varret e nënës dhe motrës në ceremonitë mortore të të cilave nuk ishte lejuar të merrte pjesë. Brenda kornizës së një hapjeje të kontrolluar të Shqipërisë në marrëdhëniet me jashtë pas vitit 1985, në kuadrin e përgjithshëm të një “ere të re” në marrëdhëniet ndërkombëtare për të zbutur tensionet midis blloqeve, vizita e saj e parë në atdhe u mundësua në gusht 1989. Dëshira e saj u përcoll në mënyrë formale pranë ambasadës shqiptare në Romë nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Arbëreshë, në maj 1989, si dëshirë “…për të puthur tokën shqiptare përpara se të vdesë”. Strukturat shtetërore të kohës e panë këtë vizitë edhe si një mundësi të mirë për t’u përdorur politikisht si argument i respektimit të të drejtave të njeriut në Shqipëri… Përpos të tjerave, kjo do t’i japë dorë gjithashtu miqve të vendit tonë të na mbrojnë  me argumenta në organizmat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, në të cilat nuk merr pjesë vendi ynë.

Pas miratimit të dhënë nga MPJ për këtë vizitë, Nënë Tereza zhvilloi takimin e saj të parë në ambasadën shqiptare në Romë me 7 korrik 1989, e cila më pas kreu të gjitha modalitetet teknike të vizitës se saj në Shqipëri. Nënë Tereza do të shoqërohej në këtë vizitë të parë në Shqipëri nga prodhuesja e kinematografisë Jeanette Petrie, me origjinë nga Kanadaja, banuese në New York, e cila e kishte shoqëruar Nënë Terezën në çdo vizitë. Vizita u realizua në 14-17 gusht 1989. Pavarësisht se ishte një vizitë private, gjatë saj Nënë Tereza u takua me drejtues të lartë të shtetit shqiptar të asaj kohe dhe shprehu dëshirën që të sillte në Shqipëri motrat e saj të Misionit të Bamirësisë për të dhënë pasuri shpirtërore e kujdes tek të moshuarit dhe të vetmuarit. Kjo kërkesë u refuzua me argumentin se këtë mision e kryenin falas strukturat shtetërore të arsimit dhe përkujdesjes në Shqipëri. Në intervistën e dhënë  për gazetaren e televizionit shtetëror shqiptar pyetjes lidhur me përshtypjet nga vizita e saj e parë në Shqipëri, ku rëndom dëgjoheshin vetëm vlerësime pozitive, Nënë Tereza do përgjigjej “ Nuk kam ditur më parë çka qenë Shqipëria dhe nuk jam në gjendje të bëj një krahasim dhe të jap ndonjë përshtypje”. Pas largimit nga Shqiperia Nënë Tereza iu drejtua me një leter presidentit Alia për të lejuar hapjen e një shtëpie në Tiranë për Misionaret e saj të Bamirësisë. Përgjigjia vonoi gjatë.

Gazetarja Jeanette Petrie e dy motrat e Nënë Terezës qëndruan në Romë në pritje të përgjigjes që do të vinte nga Tirana zyrtare. Ato shkonin vazhdimisht në ambasadën tonë në Romë për t’u interesuar për hapjen e Misionit të Bamirësisë në Tirane. Në prill 1990 në ambasaden shqiptare mbërriti edhe Nënë Tereza e cila interesohej nëse kishte përgjigje për kërkesën e saj për të dërguar motrat misionare në Shqipëri, por ndeshej me të njëjtat argumenta. Në maj 1990 Nënë Tereza e Motrat e saj mbërritën në Rumani për të hapur atje Shtëpitë e Bamirësisë. Gjate qëndrimit, nëpërmjet ambasadorit indian ajo kërkoi takim me ambasadorin shqiptar në Bukuresht për të marrë informacion rreth letrës që ajo i kishte drejtuar presidentit Ramiz Alia në shtator 1989, por takimi nuk dha rezultat.

Në Bashkimin Sovjetik, pas ngjarjeve të Çernobilit, Misioni i Bamirësisë së Nënë Terezës kishte arritur një marrëveshje me qeverinë sovjetike në dhjetor 1988 dhe kishin çelur atje 6 shtëpi bamirësie për viktimat e katastrofës dhe ju ishte premtuar hapja edhe e 7 të tjerave. Në Rumani kishin dy shtëpi të tilla. Në 1990 do hapnin një të tillë në Shangai. Në Kubë ishin hapur 4 të tilla. Misionaret e Nënë Terezës po shtrinin prezencën dhe kontributin e tyre në të gjithë Evropën Lindore. Vizitat e Misionareve të Nënë Terezës që prisnin në Romë, por edhe të vetë Nënë Terezës vazhduan në ambasadën shqiptare në Romë edhe në muajt në vijim për të marrë një përgjigje nga pala shqiptare.

Pas vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Haver Perez De Kuelar në Shqipëri në maj 1990 dhe ngjarjeve të korrikut në 1990, në tetor 1990 Alia përgjigjet se së shpejti do kishte një përgjigje pozitive për vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri. Po në  tetor 1990, në Tiranë kopshtit të fëmijëve që u vizitua nga Nënë Tereza gjatë vizitës së saj të parë në Shqipëri i vihet emri i Nobelistes për Paqe “Kopshti Nënë Tereza”. Në këtë periudhë pati zhvillime të reja politike në Shqipëri dhe po flitej zyrtarisht për lirinë e praktimit të besimit dhe për veprimtarinë e institucioneve fetare. Këto rrethana lehtësonin edhe hapjen e Misionit të Nënë Terezës në Shqipëri. Përgjigjia nga shteti shqiptar vjen në nëntor 1990 sipas të cilës Nënë Tereza ishte e mirepritur për një vizitë të dyte në Shqipëri, ndërsa për aktivitetin e Motrave të saj Misionare të Bamirësisë në Shqipëri duhej të ndryshonte në fillim  legjislacioni ekzistues shqiptar që të lejonte këtë veprimtari. Vizita e dytë u zhvillua 1-5 dhjetor 1990.

Vizita e Nënë Terezës në Shqipëri ( Fotot e rralla) – Tetova Sot

 

https://punetejashtme.gov.al/wp-content/uploads/2018/09/vizita-e-par-e-nn-terezs-n-shqipri-c2a0gusht-1989.pdf

Please follow and like us: