Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Karantina nuk duhet të na zvogëlojë, është ky fundi apo fillimi?

 Ambra Hysa: Koronavirus si “antidepresivi i shoqërisë”, së bashku ...
Ese
Të gjithë po i dorëzohen dalëngadalë rutinës, vështirësive, tundimit dhe një mënyre jetese të re, e cila e ka ndalur vrapin dhe ka nënshtruar njerëzimin në këmbët e saj.
Ky moment në historinë e njerëzimit po i jep fund erës industriale duke i hapur rrugë asaj të informatikës.
Bota nuk po fle, po vendosen rregulla të reja, ndërkohë që ne të gjithë qëndrojmë të përgjumur.
Është momenti të zgjohemi, është momenti të tregohemi kreativë dhe të punojmë më fort.
Nuk na është dhënë një mundësi për të pushuar, na duhet të vendosim një mendësi të re, të punojmë më fort me veten, sepse atje jashtë nuk ka njerëz, por shumë shpejt nuk do të ketë më as mundësi dhe bota po përgatitet të bëhet më e ashpër.
Do të jetë një betejë e gjatë, e cila sapo do të ketë filluar në momentin që ne do të dalim nga shtëpitë tona.
Është një luftë e më të zgjuarve, më të fortëve e cila padyshim na dobëson të gjithëve, por na shkatërron nëse na gjen të papërgatitur.
Këtë luftë mund ta fitojnë vetëm njerëzit produktivë, ata që kanë filluar të mendojnë tashmë si të përmirësohen dhe si të kthejnë sfidat në mundësi.
Gjatë kohës së pandemisë, kemi humbur orientimin dhe na është lëkundur boshti mbi të cilin mbështesnim përditshmërinë tonë.
Kemi humbur, por humbjet duhet të na bëjnë më falenderues për gjërat që kishim dhe më të fortë për vazhdimësinë.
Kemi humbur kuptimin e të dielave të ngrohta, ku me në fund mund të shijonim shpenguar rrezet e diellit qe na përkëdhelnin lëkurën.
Kemi humbur ankthin karakterizues të së hënave dhe nuk ka më një fije ndarese që mund të bëjë diferencen e kohës brenda nesh.
Kemi privuar veten nga kënaqësitë e vogla të kesaj bote, që përmbajnë të gjithë esencën e saj, duke jetuar në burgun e mendjes, si të burgosur të pafaj.
Kemi harruar të vrapojmë në rërë, të përqafohemi në perëndim, të ecim këmbëzbathur në barin e thatë, të bëjmë udhëtime të gjata me makinë apo thjesht një xhiro flladitëse në qytet, ku era pranverore na perkëdhel flokët butësisht duke hyrë nga xhami pakëz i ulur.
Kemi harruar sa të arta janë në fakt këto mundësi të vogla që jeta na i servir çdo ditë falas dhe po përvëlohemi në etjen për t’i ndjerë sërisht.
Kur gjithçka të mbarojë, a do të jetë njësoj?
Qytetet tona të vogla heshtin, na i afrojnë frymëmarrjet dhe na i bashkojnë horizontet, ata qëndrojnë kaq pranë, kështu rreziku bëhet më i madh.
Ne i morëm të gjitha si të mirëqëna… “Puthjet e natës së mirë, shëtitjen buzë liqenit pas punës, takimin me një mikeshë të cilën e mbanim afër zemrës por axhenda nuk na premtonte dot një bisedë sy më sy , darkën me prindërit, të premtën pasdite tek gjyshërit, telefonatën e punës, kursin e gjuhes së huaj, pazarin me shoqen e ngushtë dhe udhëtimin  surpizë për njeriun e zemrës”.
Ne i morëm të gjitha si të mirëqëna… “puthjet, përqafimet, dashuritë…të nesërmen që do të vinte si një premtim”.
Nuk ka kohë.
Nocioni i kohës së pafund brenda nesh është veçse  vëgim i cili  eshtë thërrmuar në mijëra copa.
Tani që retë kanë zymtësuar qiellin dhe janë ulur aq poshtë saqë po të dalim jashtë mund ti ndeshim me kokë, tani që padurimi për ta përshkuar botën në të gjithë cepat e saj na ka pushtuar shpirtin, kemi mesuar se nuk ka kohë, se gjithçka që kemi është “sot” dhe se pjesa tjetër nuk vjen ne një pako dhurate të paketuar, poshtë derës.
E neseëmja nuk vjen si premtim.
Kjo nuk duhet të na demotivojë, përkundrazi është një arsye më shumë për te na mbajtur të motivuar.
Vështirësite mbjellin forcë dhe vetëm në kohë të vështira njeriu mund të zbulojë potencialin e vërtetë që fsheh brënda vetes.
Është koha të zgjohemi dhe ta kërkojmë.
Please follow and like us: