Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Sabina Darova

Image may contain: Sabina Darova, standing and outdoor

Sabina Darova
PSE REND MARATHONOMAK
Lëmsh i lidhur mbas këmbës,
Magmë përvëluese
Mbështjellë me pelenat e nënës,
Në të gjitha udhët kilometra
Që ja ke përshkruar botës
Deri në përkuljen e fundit të qepallës
Është Atdheu!
CINIZEM?
Në radhë fëmijëria ime,
Radhë qumështi, vajguri, gjize…
Radhë në njësh kolonë
Nga 15-18 në zbor,
Në zhveshje misri.
Pas 18-tës
Në radhë të gjithë mblesët…
Pas tyre në radhë çarçafë, jorganë e kushedi sa fustanë
paje.
Në radhë edhe notat e librezës…
Sa mbusha 25, në radhë te shkallët e tragetit.
I ngjita me dhimbje
Për t’u gjendur rishtas në radhë
Korridoreve për leje qëndrimi.
26 e më pas
I qëndisa vitet larg
Në kërkim të një identiteti,
Prapë në radhë sot
Tek dyqani me ulje çmimesh.
Më duhen këpucë që pak kushtojnë,
Për ngjitje…
MOMENT
Ulur
Në një tavolinë mendimesh,
Diskutojnë,
Se cilës stinë i përkasin…
Mbas një diskutimi të gjatë,
Hapën dollapët e rënduar
Dhe veshën ç’gjetën.
Armatosur deri në dhëmbë.
Fikën dritat
Nga frika e përqeshjes.
Dy jorganë
Të vjetër,
Kthyen kurrizin,
Sepse ndjenë të ftohtë
Nga një cipë dëborë.
MULLIRI
Heshtja,
Është një kulaç hëne,
Që kafshohet pa mëshirë,
Nga e hëna
Në të premte.
Më pas,
Përtyp vetëveten.
UDHËTARI
Njeriu i vetmuar,
E fishkëllen hartën,
Ndën buzë,
Si sirenat e trenit,
Stacioneve.
I dashuruar me udhët
I thurr
Si shtizat trikon.
Kërkon, zbulon, shënon…
E përsëri
Mbetet vetëm…
NË KRUJË
Në Krujë,
Nuk dihet nëse është
Guri që bluan sytë e njerëzve
Apo janë sytë e tyre që bluajnë atë.
Dihet që të dyja palët
Kur ecin
Bëjnë kujdes me kurorat e ullirit.
Duel i lashtë.
KUR TE MË DUASH
Vritmë ngadalë
Kur të më duash
Se dua të vdes pa u ndjerë
Me lakuriqësinë e natës
Brenda mishrave të tu
Ashtu si ajo flaka
E fitilit të ndezur
Në këndin më të thellë mistik.
Vritmë ngadalë
Kur të vijë ajo natë
Pranë zemrës tënde
Ndërsa ndjej pulsimin rubin
Tek shkrihem si vaji mbi lëkurë
Në një përqafim fatal
Përzier në aromë rrëshire.
Unë dhe ti,
Mistikisht të vetëm,
Të padukshëm.
PROFECI
Nëse një të nesërmeje
Do t’i mungojë një e sotme,
Lemza ka për të vigjëluar
Mbi buzë
Sa herë të puthësh.
Marrë nga vëllimi poetik “Dritë në Lëkurë”
Please follow and like us: