Albspirit

Media/News/Publishing

Artur Spanjolli: Besimi

VOAL

 

 

Tregim

 

Kam 12 vjet që lëngoj nga kjo gjëmë e madhe. As vetë nuk e di nga vjen kjo gjë. Ndoshta vjen sepse peshojnë mbi mua gjynahet që kam bërë në rini. Nuk duhej ta bëja atë gjë. Ç’më duhej? Isha akoma e re, isha akoma e papjekur. Por ndodhi diçka e tmerrshme që ma trandi të ardhmen. Që nga ajo kohë nuk pata më paqe në shpirt. Ai më detyroi. Unë nuk do ta kisha bërë kurrë. Ai më kërcënonte pa pushim: “Hiqe! Hiqe! Ku të dërgon mushka? Je akoma e re. Nuk kemi kohë për gjëra të tilla”!

Unë iu binda. Më pas ai u nis për luftë dhe nuk e pashë më. U pendova. Por bashkë me pendimin filloi dhe mjerimi. Një mjerim që zgjat që prej 12 vjetësh. Unë e vuaj në heshtje. Vetëm zemra ime e di se ç’heq. Është e tmerrshme kjo fatkeqësi. Ka filluar që kur e hoqa foshnjën e vogël. Vazhdon pa ndërprerje, por në porcione të vogla. Jo aq sa të më firojë i gjithë gjaku dhe bashkë me të edhe shpirti përjetë. Thonë që është më mirë t’i vuash gabimet e tua në këtë jetë se sa në jetën tjetër. Është më mirë ta paguash mëkatin këtu, në mënyrë që më pas të çlirohesh nga pesha e gabimeve. Të gjithë kemi gabime. Asnjë nuk është perfekt. Më kanë ardhur mend. Me këto mend do ta kundërshtoja tim shoq, por përpara 12 vjetësh isha akoma fëmijë. Isha 15 vjeçe.

Oh e mjera unë! E kam lutur Perëndinë prej shumë kohësh që të shërohesha, por akoma Ai i Madhi nuk ma ka falur si duket. Duhet të pres akoma. Kam akoma për të shlyer borxhin. Kur fillon dhe rrjedh shpirti nga aty, ndjehem e lodhur, ndjehem e drobitur, por ajo që më tremb është se njerëzit nuk më afrohen më. “Është e papastër”, thonë dhe më shikojnë me disa sy plot përçmim dhe sfidë. “Grua. Kushedi ç’ke bërë që je katandisur kështu”?!

Unë besoj. Kam shumë besim tek Ai. Tek Ai që ka krijuar Jetën. Vazhdoj t’i lutem atij. Kam ardhur këtu në Kafarrnao, përgjatë detit dhe po e pres. Thonë që do të kalojë këtu. Po të kalojë këtu unë shpëtova. E di, do të jetë e vështirë, Ai është i rrethuar gjithmonë nga shumë njerëz, nga të 12-ët e tij, e ndjekin kudo turma njerëzish, por ndoshta kam fat. Nuk i dihet. Kam bërë tashmë gjithçka për ta zgjidhur këtë problem. Kam shitur deri dhe shtëpinë, tokën përreth. Doktorët më kanë lodhur shumë, por asnjë nuk ka arritur të më shërojë. Do të më shërojë ky njeri, fama e të cilit është përhapur anë e mbanë. Është njeri si ne? Po është si ne! Veç se brenda ka dritën. Brenda është i dlirë, i pastër, i tejdukshëm. Brenda ka virgjërinë absolute të së Vërtetës. Aty fillon gjithçka. Shpirtërat e mëdhenj duhet ta çlirojnë vetveten nga çdo e keqe njerëzore. Plot thjeshtësi dhe vërtetësi, Ai bën tashmë mrekullira. Duart e tij janë ndërmjetësi mes qiellit dhe tokës. Mjafton që ai të dojë diçka dhe ajo bëhet. Do ta provoj. Duhet ta provoj. Ky njeri dritë e ka ketë fuqi. Një herë paska thënë: “Besimi yt të shëroi”!

Por unë kam besim. Po mos të kisha besim nuk do të isha tashmë, këtu, në pritje që Ai të kalojë. Qielli është gri. Retë janë të murrëta, por nuk bie shi. Atje tej është varka e drunjtë mbi të cilin Ai do të ngjitet për të shkuar nga ana tjetër e detit. Në Gërgesa. Më mjafton ta prek. E di. Sapo të më shohin që po i afrohem, turma do të më hakërrehet tërë inat dhe mllef. “Ik ti. E papastër! Ik. Si nuk të vjen zor që do t’i afrohesh?! Ku e gjen tërë këtë guxim”?! e pastaj do të më shtyjnë me shkelma. Ndoshta do të më gjuajnë dhe me gurë. Unë duhet të ulëras zërin e tij: “Më ndihmo. Kam nevojë për ty”! Nëse nuk arrij t’i afrohem nga turma që e rrethon do të bërtas. Ndoshta Perendisë do t’i vije keq për mua dhe fjala ime do ta godasi në zemër. Ka ndodhur. Po. Ka ndodhur disa herë që Ai ka ndaluar kur zërat e mëkatarëve i kanë arritur në vesh.

Sheshi është i qetë. Atje tej janë disa peshkatarë që po përgatiten të futën në det për të peshkuar. Pak më tutje janë disa lypës, një fëmijë po kalon me një kope delesh dhe akoma më larg, duket fshati i peshkatarëve. Jo të gjithë e dinë që Ai është këtu. Po ta dinin do të ngriheshin i madh dhe i vogël. Do të ndaheshin në grupe. Një grup do ta lëvdonte dhe adhuronte. Një grup tjetër do të ulëriste: “Ik. Ik larg përpara se të gjuajmë me gurë” me kryepriftin e vendit të shenjtë. “Ti e bën veten tënde Zot. Ik larg”! Kurse një grup tjetër do të bënte sehir. Asnjanësit gjithmonë kanë bërë sehir. Ato kryqëzojnë krahët, mbështeten pas murit dhe bëhen spektatorë. Fillojnë të lëvizin disa njerëz atje. Po afrohen! Unë do të ngrihem në momentin kur Ai të vijë këtu pranë. Këtu do të kalojë. Kjo është rruga.

Dëgjoj zhurmat që shtohen. Ja duhet të jetë atje në mes të atij grupi njerëzish. Jam me fat atëhere. Jam me fat që po jetoj në një epokë të tillë. Kushedi sa njerëz të së ardhmes do të donin të jetonin në këtë moment. Në këtë çast historik kur Perëndia ecën mes nesh! Kushedi sa njerëz do të donin të isha unë, jo me këtë sëmundje, por me sëmundje më të rënda akoma, vetëm të shihnin, të dëgjonin, të preknin Atë. Mijra vite gjeneratash do të ëndërronin këtë çast historik. Duhet ta ul velin mbi kokë. Nuk duhet të më njohin. Po më njohën do të më kthehen të hakërryer duke më ulëritur: “Ti je e papastër. Ti je e papastër. Si guxon t’i afrohesh”!

Ja, futem mes turmës e cila ecen përkrah tij. Si mua, nëpër cepa rrugësh me guriçka lumi, shkëputen dhe njerëz të tjerë të cilët me siguri kanë probleme si të miat. Ndoshta kanë besim më të fortë se ky i imi. Për diçka jam i bindur. Po e preka do të shërohem. E di. E ndjej këtë gjë. Ai ecën në mes të burrave. Është i bukur. Ka një dritë hyjnore në vështrim. I ka mbuluar kryet me një cohe gri të pastër, por i shoh ballin e dlirë, i shoh sytë e thellë dhe mjekrën e virgjër përreth buzëve.

Fillon të më rrahë fort zemra. “Po e preka fitova”, i them vetes. Në atë moment asnjë nuk më pikas. Të gjithë shohin nga Ai. Krijohet një bujë e heshtur kudo. Asnjë nuk flet, por njerëzia ka filluar të lëvizë. Ka nga ata që e shoqërojnë. Nga ata të cilët duan t’i afrohen. Nga ata që fillojnë e thërrasin me zë.

Ai ecën dhe buzëqesh. Ka një buzëqeshje që jep siguri. Vështrimi i tij qetëson shpirtërat. Tani është momenti im. Si t’ja bëj në këtë rrëmujë njerëzish të cilët fillojnë ta rrethojnë nga të tëra anët. E thërrasin me zërat e tyre. Me zërat e shpresës, me zërat e lutjes. “Jehoshua. Jehoshua”!

I afrohem. Për një çast krijohet një shteg. Ai fillon të shpejtojë hapin. Përreth tij janë ato, të 12-ët që ai i ka zgjedhur. Shkoj drejt. Një nga ata po më vështron me bisht të syrit. Më mban nën vëzhgim. “Po e preka, fitova”, mendoj vetëtimthi. Do ta realizoj atë që kam ndër mend. Pastaj, të bëhet ç’të dojë. Nëse Perëndia do, atëhere do të realizohet mrekullia. Në atë moment, gjendem në mes të vorbullës së njerëzve. Ato shtohen gjithnjë, unë zgjas dorën përpara, dua ta prek nga mbrapa. Ndërkohë një nga të 12-ët e pikas qëllimin tim dhe ngul një vështrim mes habisë dhe mohimit. Nuk do ta lejojë. Doemos. Nëse të tërë do të donin ta preknin, atëhere do t’i zhdukej jeta private. Do të nervozohej pa fund. Arrij ta prek. I kam kapur cepin e mantelit. Është një mantel gri liri. Një pëlhurë e pastër që kundërmon erë të mirë. Por era e mirë që kundërmon është vallë nga vajrat aromantikë që ka përdorur, apo vetë lëkura e tij hyjnore e nxjerr këtë aromë? Kjo pyetje më kalon nëpër mend me shpejtësinë e dritës. Në mes të turmës e prek pëlhurën erëmirë. Në atë moment me habinë time e shoh që ndalon në vend dhe kthehet. E pabesueshme! Kthehet nga krahu ynë. “Kush më preku”, thotë. Ndjeva se më doli një forcë e madhe nga trupi.

“Nuk e sheh që turma afrohet gjithnjë e më shumë”, i thotë një nga të 12-ët. Dëgjoj gjithçka. Ai hyjnori, vazhdon të vështrojë përreth. Kurioziteti i tij është kurioziteti i një njeriu të mirë, i një shpirti të dlirë, të larë në ujrat e ndritur hyjnore. Kurioziteti i tij nuk është kurioziteti kërcënues i një njeriu të cilit i kanë bërë një të padrejtë, por është ai i një njeriu plot me lumturinë qiellore.

Është e pamundur të rri në heshtje. Mrekullisht, ndjej se jam shëruar. Nuk e di! Por nuk ndjej me fluksin e ngrohtë të më rrjedhë poshtë këmbëve. Për herë të parë, pas 12 vjetësh vuajtje, ndjej se diçka ka ndryshuar në trupin tim. Ndjeva një si ngrohtësi në trup, një si gudulisje mizash pa fund, pastaj një çlirim. Një çlirim të brendshëm. Unë atëhere u afrova. Fillova të dridhesha nga kurajo e madhe që kisha pasur duke e prekur fshehurazi dhe iu hodha tek këmbët, gjithmonë duke u dridhur.

“Unë e bëra”, thashë dhe preka këmbët e tij, sandalet e lëkurës, duke treguar me zë të lartë motivin. Atëhere ai u ul dhe më ngriti me një delikatesë të rrallë. Pashë nga afër atë mish hyjnor.  Ishin sekondat e lavdisë për mua. Sekondat e lavdisë së jetës sime. Pranë meje ishte ai, qengji i Perëndisë. Hyjnori. Ishte ndryshe nga njerëzit e tjerë. Zëri i tij kumbonte me një tingull të fortë sikur të skalitej në zemër, vështrimi ishte plot me një paqe, me një qetësi plot nur. Lëkura i shndriste nga një dritë e brendshme dhe gjithkund, gjithkund dalloja karizmën e tij. Elektricitetin e qënjes së tij. “Po ti kush je”, mendoja. “Ti kush je? Vërtetë atëhere ke zbritur nga Perëndia”?! Sa gjëra mund të thotë njeriu në një sekondë. Mund të mbajë ligjërata të tëra, po të gjendej forma e shprehjes. Ishin gërma ato që harxhonin kohë. “Ti kush je? Kush je”!

Ai më vështroi thellë, me ato sytë e tij që shihnin deri në fund të zemrës, aty ku rrinë sekretet më të thella. “Nuk kanë gjetur faj tek ti”, më përshpëriti dhe ato fjalë kumbuan si tinguj kristali, plot bujë, brenda meje. Pastaj ngriti kryet dhe foli përsëri me zë më të lartë në mënyrë që ta dëgjonin të gjithë: “Vajzë. Besimi yt të shëroi. Shko në paqe”!

Please follow and like us: